Ndërlidhjet

Koalicioni në pritje të Kushtetueses dhe kushteve të Vetëvendosjes


Formimi dhe funksionimi i institucioneve të reja të Kosovës tashmë po varet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, sipas kërkesës së parashtruar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Gjykata Kushtetuese është bërë një fushë-arenë ndërmjet partive politike kohët e fundit.

Tani, edhe blloku LDK, AAK dhe Nisma e ka paralajmëruar presidenten Atifete Jahjaga se mund të përballet me lëndën në Kushtetuese nëse nuk e nominon mandatarin për krijimin e qeverisë sipas afatit kushtetues.

“Ka mundësi që ne ta pyesim Gjykatën Kushtetuese a ka vepruar drejtë Presidentja që nuk e ka ushtruar të drejtën e vetë për ta nominuar mandatarin, pasi që ka ndodhë seanca. Presidentja po rrezikon që ajo vetë të shkelë kushtetutën. Është një çështje e hapur, në rast se presidentja nuk e shfrytëzon kohën, atëherë do të shohim se si do të sillemi”, ka thënë Ramush Haradinaj.

Ndërkohë që kjo periudhë e pritjes së vendimit të Kushtetueses, është besuar se do të ishte një rast dhe kohë shtesë për vazhdimin e negociatave politike në lidhje me krijimin e koalicionit të ardhshëm që pretendon formimin e qeverisë.

Mirëpo, duket se negociatat mes bllokut LDK, AAK dhe Nisma me Lëvizjen Vetëvendosje kanë ngecur.

I kandiduari për kryeministër nga koalicioni i treshes LDK, AAK dhe Nisma, Ramush Haradinaj ka bërë me dije se bisedimet me Vetëvendosjen mund të rifillojnë, por ai paraprakisht kishte deklaruar se ka një hendek i cili mund të jetë edhe i pakapërcyeshëm.

Në këtë rrafsh, Haradinajt dhe tri partive të koalicionit u mbetet si zgjidhje bashkëpunimi dhe negociatat për qeverinë me pakicat.

“Minoritetet na e kanë spjegu herët se do të jenë me shumicën shqiptare. Na e kanë thënë që këtë dhe kjo është edhe bazë kushtetuese. Përkundër kësaj dhe duke e ditur këtë fakt, ne kemi bashkëpunuar me lëvizjen Vetëvendosje dhe kemi pasur, mund të them ashtu, një diskutim përmbajtësor. Ky diskutim mund të rikthehet, ngase formimi i qeverisë së vendit është interes i gjithë neve, spektrit politik shqiptar, përfshi Vetëvendosjen”, ka deklaruar Haradinaj.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje shprehet e përcaktuar se do të qëndroj në opozitë nëse treshja LDK, AAK dhe Nisma nuk i pranon kriteret apo parimet që i ka vendosur si kusht për arritjen e marrëveshjes së koalicionit.

Rishikimi i pozicionit të Kosovës në dialogun me Beogradin dhe privatizimi, mbeten kërkesat kryesore të Vetëvendosjes, nga të cilat ky subjekt politik nuk do të tërhiqet. Këtë e ka rikonfirmuar zëdhënësi i Vetëvendosjes, Erzen Vraniqi.

“Jo, nuk mund të lëshojmë pe sepse ato parime janë për të mirën e Kosovës. Edhe me dialogun, edhe me privatizimin është degraduar Kosova qoftë në rrafshin ekonomik apo në atë politik. Ato janë parime kyçe që të ndërpritet rrëshqitja e Kosovës në humnerë dhe të kthehet një kurs i ri shtetëror që do të kishte për qëllim shtetndërtimin dhe zhvillimin ekonomik”, ka thënë Vraniqi.

Pas seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës më 17 korrik, ky institucion nuk po mund të fillojë me punën për shkak të lëndës tashmë që PDK ka deponuar në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me zgjedhjen e liderit të LDK-së, Isa Mustafa në postin e kryetarit të legjislaturës.

Përderisa Kushtetuesja të mos e thotë opinionin e vet, edhe presidentja Atifete Jahjaga ka paralajmëruar se nuk do të emërojë mandatarin për formimin e qeverisë së ardhshme të Kosovës.

XS
SM
MD
LG