Ndërlidhjet

WP: Kërcënimi ekstremist në rritje, SHBA indiferente


Ilustrim
Ilustrim

Luftimet në Gaza kanë shërbyer për të hedhur hije mbi një tjetër luftë në Lindjen e Mesme, e cila është më e përgjakshme dhe më e rëndësishme për interesat amerikanë, shkruan në fillim të një artikulli Washington Post.

Gazeta kujton se, javën e kaluar, mbi 700 viktima janë raportuar në një betejë të vetme në Siri, derisa trupat qeveritare kanë bërë përpjekje të rimarrin një fushë të gazit, të uzurpuar nga Shteti Islamik, degë e Al Kaidës që tani kontrollon pjesën më të madhe të Sirisë lindore dhe Irakut perëndimor.

Luftimet janë ndezur po ashtu midis regjimit dhe forcave të moderuara rebele në Alepo dhe midis rebelëve dhe islamistëve në periferi të Damaskut.

Në mesin e sfidave për Shtetet e Bashkuara në konfliktin e shumanshëm është nëse shteti irakian, i krijuar pas pushtimit amerikan, mund të mbijetojë; nëse Shteti Islamik do të lëshojë rrënjë; nëse regjimi vrasës i presidentit sirian, Bashar al-Assad, do të jetojë dhe nëse rajoni do të bëhet bazë për sulme terroriste kundër tokës amerikane.

Zyrtarë të lartë të administratës Obama kanë alarmuar për mundësinë e fundit, shkruan Washington Post. Gazeta kujton se prokurori i përgjithshëm, Eric Holder, ka thënë së fundmi se “kërcënimi terrorist në Siri është më i frikshëm se çdo gjë”. Drejtori i FBI-së, James Comey, ka thënë se nga ky rrezik “nuk fle natën”.

Administrta Obama, megjithatë, duket se po bën pak për të adresuar këtë krizë. Sekretari i Shtetit, John Kerry, ka ngre kamp në Kajro, në ndjekje të një armëpushimi në Gaza, por asnjë i dërguar i lartë nuk është duke punuar për një formulë politike që do të bashkonte forcat e moderuara siriane dhe irakiane kundër Shtetit Islamik.

Presidenti Obama nuk ka pasur asgjë për të thënë për Sirinë apo Irakun gjatë paraqitjeve të tij të fundit për të diskutuar mbi Gazën dhe Ukrainën, shkruan gazeta.

Po sipas saj, edhe më shqetësuese janë raportet se iniciativa e vetme që ka ndërmarrë administrata në Siri, që nga kolapsi i konferencës së keqkonceptuar për paqe, dimrin e kaluar, janë fondet.

Pesëqind milionë dollarët e premtuar për të armatosur dhe trajnuar rebelët e moderuar duken si një skemë patetike e Pentagonit, e cila do të prodhojë një forcë vetëm prej 2,300 vetash, por që mund të mos fillojë deri në vitin e ardhshëm.

Ndërkohë, vijon artikulli, forcat e Ushtrisë së Lirë Siriane janë vazhdimisht duke humbur terren nga regjimi dhe islamistët. Ka rrezik real që kur programi të zbatohet në terren, nëse do të zbatohet ndonjëherë, të mos ketë njësi që mund t’i mbështesë.

Gazeta thotë se nuk është e lehtë që në këtë fazë të vonë, Shtetet e Bashkuara të intervenojnë në Siri ose Irak në një mënyrë që do të ishte konstruktive. Por, nëse ka parime të qarta, atëherë forcat e moderuara që janë të gatshme të luftojnë Shtetin Islamik, duhet të ndihmohen dhe atë shpejt. Kryesorë në mesin e tyre janë rebelët laikë të Sirisë. Milicia e pavarur e Kurdistanit irakian është një tjetër kandidate, sipas gazetës.

Vendimi i Obamës për të mbajtur qëndrim indiferent ndaj Sirisë dhe Irakut i ka ndihmuar shumë krijimit të kërcënimit për SHBA-në. Pasiviteti i vazhdueshëm do ta bëjë edhe më keq, shkruan Washington Post.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG