Ndërlidhjet

logo-print

Shqipëri: Reforma territoriale nxit debate


Tiranë...

Tiranë...

Mes debatesh të ashpra, Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo – Territoriale miratoi Projektligjin “Për ndarjen Administrativo – Territoriale të Republikës së Shqipërisë”, e cila e ndan vendin në 61 njësi të qeverisjes vendore, nga 373 që ka aktualisht.

Ky propozim është kundërshtuar nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) dhe organizata OMONIA, të cilat kundërshtojnë bashkimin e bashkisë së Himarës me komunat e Vranishtit dhe Lukovës.

Deputetët e PBDNJ-së kanë deklaruar se do të votojnë kundër kësaj reforme e cila cenon minoritetin grek sipas tyre.

Çështja e përfaqësimit të minoritetit grek në hartën e re territoriale, është trajtuar edhe nga Athina zyrtare.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm grek Evangelos Venizelos ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Ditmir Bushati.

Sipas Ministrisë së Jashtme greke, zoti Venizelos ka theksuar gjatë bisedës, rëndësinë e reformës territoriale, ndjeshmërinë e lartë që ekziston rreth saj dhe nevojën për të çuar përpara zgjidhjen e çështjeve të hapura midis dy vendeve, pa shtuar të reja.

Zoti Venizelos ka theksuar se udhëzues për zgjidhjen e të gjitha çështjeve duhet të jenë praktikat evropiane, sidomos tani që Shqipëria, duke fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, ka detyrime shtesë.

Reagime ka pasur edhe nga Shoqata e Komunave të Shqipërisë që ka vlerësuar se varianti më i arsyeshëm do të ishte një ndarje me një numër nga 80 deri në 100 njësi vendore.

Ndërkohë, mazhorancës së majtë, i janë tkurrur numrat në parlament, për të arritur e vetme, votimin për reformën.

Votimi i saj kërkon shumicë të cilësuar (të paktën 84 deputetë), por 6 deputetë, të mazhorancës, kanë paralajmëruar se mund të votojnë kundër.

Ndërkohë duket se në favor të reformës do të votojë, PDIU(Partia Drejtësi, Integrim, Unitet) e cila mbron interesat e komuniteti çam, dhe që ka 5 deputetë në parlament.

Projektligji “Për ndarjen Administrativo – Territoriale të Republikës së Shqipërisë”, do të kalojë për votim seancën e fundit plenare për këtë sesion, që zhvillohet në datën 31 korrik.

XS
SM
MD
LG