Ndërlidhjet

KE: Kosova ka ende punë për liberalizim të vizave


Komisioni Evropian ka prezantuar raportin e tij të dytë për progresin e Kosovës në përmbushjen e kërkesave për udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

Në raport thuhet se Kosova ka arritur progres, por kërkohen përpjekje të mëtutjeshme për të fituar udhëtimin pa viza për qytetarët e saj.

Raporti vlerëson progresin që Kosova ka arritur në secilën fushë të udhërrëfyesit për viza dhe jep një numër rekomandimesh për Qeverinë e Kosovës në përmbushjen e pikave kryesore të udhërrëfyesit.

''Autoritetet e Kosovës kanë punuar shumë dhe kanë arritur progres në fushat, si pranimi dhe siguria e pasaportave. Ata duhet të vazhdojnë të punojnë në rezultatet e treguara dhe të angazhohen në mangësitë e identifikuara në këtë raport, në veçanti kur është fjala për sistemin informativ për viza, pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Komisioni Evropian është i gatshëm t’i ndihmojë ata në përpjekjet e tyre për të pasur progres konkret në vend',' tha Komisionerja për Çështje të Brendshme, Cecilia Malmström.

Raporti vlerëson se Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të implementuar legjislacionin e saj në të gjitha fushat e udhërrëfyesit për viza.

Në të njëjtën kohë, thuhet se ende mbeten hapa të mëtejshëm, të nevojshëm për të qenë në përputhshmëri të plotë me kërkesat e udhërrëfyesit për viza.

Raporti rekomandon që Kosova duhet të rrisë riintegrimin e qëndrueshëm të personave kthyer; të përmirësojë saktësinë e sistemit të saj për statusin civil; të shtyjë para sistemin informativ për viza; të zhvillojë pavarësinë e gjyqësorit dhe të krijojë një regjistër të besueshëm për vendimet e gjykatave të marra për rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Komisioni ka vlerësuar po ashtu ndikimin potencial të liberalizimit të vizave në siguri dhe migrim dhe ka konkluduar se heqja e obligimit për viza për qytetarët e Kosovës ka sjellë si pasojë për BE-në rrezik në siguri dhe migrim.

Që nga viti 2012, ka pasur një rritje të madhe në kontrabandimin e njerëzve nga Kosova, dhe raporti vjetor i EASO-s për vitin 2014 ka nënvizuar gjithashtu një rritje të konsiderueshme të numrit të aplikacioneve për kërkim azilinë shtetet anëtare të BE-së nga qytetarët e Kosovës.

Komisioni rekomandon hapa të mëtejshëm nga ana e Kosovës për zbutjen e rreziqeve në fushën e sigurisë dhe migrimit nga liberalizimi potencial i vizave.

Komisioni Evropian ka lansuar dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën më 19 janar 2012.

Udhërrëfyesi për viza i është dorëzuar autoriteteve të Kosovës më 14 qershor 2012.

Ai paraqet një listë gjithëpërfshirëse reformash, të cilat Kosova është kërkuar t’i implementojë, në mënyrë që të përmbushë kërkesat që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes, si riintegrimi dhe pranimi, siguria e dokumenteve, menaxhimi i kufirit/pikëkalimit dhe migrimit, azili, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të drejtat themelore që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG