Ndërlidhjet

Hedhja e ushqimit, dukuri edhe në Kosovë


Ilustrim

Ilustrim

Kosova nuk posedon ndonjë të dhënë në lidhje me hedhjen e ushqimit. Por, perceptimet janë se edhe në Kosovë hedhet një masë e madhe e ushqimit, ngjashëm me shumë vende tjera në botë.

Statistikat flasin se nëse vetëm një e katërta e ushqimit që hidhet nëpër botë, do të ruhej dhe menaxhohej, ajo do të ishte e mjaftueshme të ushqente 870 milionë njerëz të uritur në botë.

Disa hulumtime që kishte bërë Instituti Suedez i Ushqimit tregonte se totali i humbjes globale të ushqimit dhe mbetjet e tij, arrin në rreth 1.3 miliard ton në vit.

Organizata e Kombeve të Bashkuara, udhëheq një iniciativë globale për të shpëtuar ushqimin, e quajtur “Ruaj Ushqimin”.

Statistikat kanë treguar se për kokë banori, llogaritet se konsumatorët e Evropës dhe Amerikës Veriore, për një vit hedhin mes 95 deri 115 kilogramë në vit, ndërsa konsumatorët sub-saharianë, ata jug dhe juglindor të Azisë, hedhin vetëm 6 deri në 11 kilogramë për një vit.

Përfaqësues të Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, thonë se nuk kanë statistika për hedhjen e ushqimit nga konsumatorët. Sipas tyre, këto të dhëna mungojnë në Kosovë.

Por, Selatin Kaçaniku nga kjo organizatë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tregon se hedhja e ushqimit në mbeturina nga konsumatori kosovar është evidente.

“Unë mendoj që ky problem është jo vetëm i Kosovës, por që e mundon edhe gjithë botën, edhe përkundër varfërisë ekstreme në botë, që miliona njerëz ndërrojnë jetë nga varfëria, ne e kemi dukurinë e hedhjes së ushqimit”, thotë ai.

Në të kaluarën, kujton Kaçaniku, konsumatori kosovar ka qenë më i vëmendshëm ndaj kësaj dukurie.

Sipas tij, qytetarët kanë treguar kujdes më të madh për ushqimin dhe rrallëherë ke mundur të hasësh ushqim të hedhur në mbeturina.

Institucionet, shton Kaçaniku, duhet të kenë një rol të rëndësishëm karshi këtij problemi. Sipas tij, kjo mund të arrihet me një kujdes më të madh dhe me një informim për konsumatorin.

Në vendet në zhvillim, siç është Kosova, hedhja e ushqimit dhe humbjet ndodhin kryesisht në fazat e para të zinxhirit të vlerave ushqimore dhe mund të përcillet në kufizime financiare, menaxheriale dhe teknike, si në teknikat e vjeljes, magazinimit dhe ftohjes së objekteve.

Lamir Thaçi, nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, thotë se agjencia e tyre ka asgjësuar mbi 160 mijë kilogramë ushqim për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, i cili ka qenë i dyshimtë.

“Ne mund të flasim vetëm për asgjësimet që urdhërohen nga, apo asgjësohen, në prezencën e inspektorëve tanë, qoftë atij veterinar apo sanitar. Sasia totale për këtë gjashtëmujor të këtij viti, 160 mijë e 600 kilogramë, me origjinë bimore dhe shtazore. Asgjësimi i produkteve vjen si shkak i dyshimit për dyshim. Janë shkak i skadimit të afatit apo vjen si shkak i dyshimit për konsum, ose si shkak i çfarëdo forme që mund të konsiderohet si produkt jo i konsumueshëm për qytetarët”, thotë Thaçi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas raportit të OKB-së, humbja e ushqimit, vendeve të industrializuara ju kushton 680 miliardë dollarë, ndërsa vendeve në zhvillim 310 miliardë dollarë.

Me anë të iniciativës “Ruaj Ushqimin”, OKB-ja ka për qëllim të ngritë vetëdijen për ndikimin dhe të gjejë një zgjidhje për humbjen e ushqimit.

XS
SM
MD
LG