Ndërlidhjet

logo-print

WP: SHBA-ja duhet të kërkojë çarmatosjen e Hamasit


Kufiri Izrael - Gaza

Kufiri Izrael - Gaza

Tipari dallues i luftës së fundit në mes të Izraelit dhe Hamasit janë “tunelet ofensive”, siç i quan ushtria e Izraelit, shkruan Washington Post, në editorialin e saj.

Gazeta amerikane në pjesën e parë të këtij editoriali bën një përshkrim të arsyeve që e kanë nxitur Izraelin të nisë ofensivën tokësore në Gaza, pasi vetëm deri të mërkurën, 28 tunele të tilla janë zbuluar, ndërsa gjysma e tyre të çojnë deri në territorin izraelit.

Ajo që është më e dukshme, është se tunelet shpërfaqin pse ka qenë tejët e vështirë të arrihet armëpushim dhe pse çfarëdo marrëveshje duhet të krijojë një rregull të ri politik dhe të sigurisë në Gaza, shkruan Washington Post.

Tunelet e Hamasit nuk duhet të ngatërrohen me gropat që Hamasi kishte hapur në kufi me Egjiptin, përmes së cilave kontrabandonte para, ushqime dhe pajisje ushtarake.

Strukturat e sapozbuluara në mes të Gazës dhe Izraelit e kanë vetëm një qëllim, që përmes tyre të sulmohet toka izraelite, thotë më tej qëndrimi editorial i Washington Post.

Tunelet e ndërtuara me beton janë të pajisura me pranga dhe qetësues që do të mund të përdoreshin për persona të marrë peng.

Tunele të tjera në pjesën veriore të Gazës janë të ndërtuara në atë mënyrë që mund të përdoren për depo dhe sulmimin e Izraelit me raketa.

Gazeta amerikane më tej shkruan se burimet financiare që Hamasi Ia ka dedikuar këtij projekti, janë shumë të mëdha, sidomos kur kihet parasysh varfëria ekstreme në Gaza.

Sipas vlerësimeve të Izraelit, shkruan artikulli, çdo tunel ka kushtuar 1 milion dollarë për t’u ndërtuar për disa vite, duke përdorur disa tonë të betonit që në anën tjetër, dëshpërimisht është i nevojshëm për ndërtimin e shtëpive civile në Gaza.

Shumica e këtyre tuneleve e kanë hyrjen në lagjen e populluar shumë të Shijaiyah, ku edhe është përqendruar ofensiva izraelite.

Një nga tunelet ishte gjetur nën spitalin “al Wafa”, ku Hamasi gjithashtu kishte vendosur një nga postet komanduese dhe kishte lënë armatim, sipas zyrtarëve izraelitë.

Korrupsioni moral i strategjisë së Hamasit duket se nuk po vërehet nga shumica e botës së jashtme, e cila sipas pretendimeve të terroristëve, e fajëson Izraelin për viktimat në civilë që i shkakton derisa provohet të shkatërrohen tunelet.

Washington Post vlerëson më tej se “derisa fëmijët vdesin në sulme kundër infrastrukturës së tillë që liderët e Hamasit me qëllim i kanë bërë aty ku janë sot, ata qëndrojnë të sigurt nëpër shtëpitë e tyre. Nga shtëpitë e tyre, ata vazhdojnë të refuzojnë propozimet për armëpushim, ndërsa vendosin një listë të gjatë me kushte të papranueshme”.

Sipas gazetës, të gjithë zyrtarët që po bëjnë përpjekje për të arritur armëpushim, përfshirë edhe Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, duhet të hedhin poshtë kërkesat e Hamasit, të cilat do të përdoreshin vetëm për vazhdimin e kontrabandimit të armatimit dhe betonit për ndërtimit të më shumë tuneleve.

“Përkundrazi, çfarëdo marrëveshje politike duhet të bëhet pas një armëpushimi dhe negociimit me liderin palestinez, Mahmud Abaz. Hapja e kufijve dhe koncesioneve të tjera ekonomike duhet të lidhet me rikthimin e Gazës te forcat e sigurisë së Autoritetit Palestinez, çarmatosjen e Hamasit dhe zgjedhjet për qeverinë e re”, vlerëson më tej WP.

Duke vendosur kushte të tilla, ndërmjetësit ndërkombëtar do ta kishin padyshim përkrahjen e shumicës së popullatës së Gazës.

Sondazhet tregojnë se popullata e Gazës është e ngopur me regjimin e Hamasit dhe me përdorimin e fëmijëve dhe grave si mish për top në një luftë që s’mund të fitohet me Izraelin, thotë më tej qëndrimi editorial i Washington Post-it dhe përfundon duke shtuar se qeveria e ardhshme e Gazës duhet të jetë e tillë që investon në shkolla, klinika dhe shtëpi, e jo në tunele.

Përgatit: Artan Haraçia
XS
SM
MD
LG