Ndërlidhjet

logo-print

Vendi i rrëzimit të aeroplanit, një zonë gri

  • RFE /RL

Një mbetje e aeroplanit malajzian të rrëzuar në lindje të Ukrainës

Një mbetje e aeroplanit malajzian të rrëzuar në lindje të Ukrainës

Në Holandë, rreth 1,000 të afërm të atyre që kanë vdekur në bordin e fluturimit 17 të Malajzisë, kanë pritur trupat e parë që ktheheshin nga lokacioni i rrëzimit në lindje të Ukrainës.

Ngjarja e trishtë, në të cilën kanë marrë pjesë udhëheqës të Holandës dhe përfaqësues të të gjitha vendeve që kanë humbur qytetarë të tyre në tragjedi, është shënuar me lot dhe me zotime për përcaktimin e shkakut të rrëzimit. Trupa të tjerë të viktimave po arrijnë këto ditë.

Por, në vendin e rrëzimit, në lindje të Ukrainës, aktualisht nuk ka pothuajse asnjë aktivitet që mund të ndihmojë në gjetjen e provave se çfarë ka vrarë të 298 njerëzit në bord.

Zyrtarët perëndimorë besojnë se aeroplani është sulmuar më 17 korrik nga një raketë e avancuar tokë-ajër, e hedhur nga separatistët pro-rusë, por këta të fundit fajësojnë forcat e Ukrainës.

Fakti që një javë pas incidentit ka kaluar vetëm me qasje të kufizuar të hetuesve ndërkombëtarë, ka rritur frikën se vendi i rrëzimit është duke u pastruar, në mënyrë që të bëhet gjithnjë e më e vështirë gjetja e provave.

Kryeministri i Australisë, Tony Abbott, u ka thënë gazetarëve më 24 korrik në Kanbera se “ende nuk ka pasur kërkim të plotë dhe profesional të zonës ku është rrëzuar aeroplani” dhe se “nuk mund të ketë derisa zona kontrollohet nga persona të armatosur”.

Ai po ashtu ka thënë se Australia ka dërguar 50 policë në Londër, me shpresën se ata mund të shkojnë te lokacioni dhe ta sigurojnë atë për hetuesit, porse mbetet e paqartë nëse ata do të marrin leje për një gjë të tillë nga rebelët pro-rusë, që kontrollojnë territorin.

Dyshimet në lidhje me dërgimin e policëve të Australisë apo ndonjë vendi tjetër vijnë pavarësisht faktit se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar njëzëri një rezolutë më 21 korrik, e cila bën thirrje për hetime ndërkombëtare dhe kërkon nga grupet e armatosura që të lejojnë qasjen e lirë në vendin e rrëzimit.

Analistët thonë se për të konstatuar përfundimisht se çfarë e ka shkaktuar tragjedinë, hetuesit duhet të ndjekin procedurat që sigurojnë prova të forta dhe të mjaftueshme për të dalë në gjyq.

“Çdoherë kur në një vend të rrëzimit të aeroplanit, siç është ky, ndërhyhet në çfarëdo mënyre, me njerëz që ecin mbi të, ai dëmtohet shumë”, thotë Chris Yates, analist i pavarur i aviacioit, me seli në Bolton të Anglisë.

Prejse aeroplani është rrëzuar më 17 korrik, separatistët kanë lejuar banorët kuriozë nga qytetet dhe fshatrat pranë që të ecin nëpër vendin e tragjedisë dhe thuhet se kanë lëvizur vetë mbeturinat përreth dhe kanë evakuuar trupa.

Por, ata kanë lejuar vetëm një numër të vogël të ekspertëve të Ukrainës, Holandës dhe Malajzisë që të vizitojnë lokacionin.

Zëdhënësi i OSBE-së, Michael Bociurkiw, i ka thënë BBC-së më 23 korrik se rrënojat e aeroplanit kanë ndryshuar prejse zyrtarët e OSBE-së i kanë parë ato për herë të fundit. Pjesë të mëdha të aeroplanit, ka thënë ai, janë ndarë.

Yates thotë se duhet të përcaktohet nëse pjesët janë prerë për të larguar trupat apo për të dëmtuar provat.

“Nuk mjafton që hetuesit thjesht të lejohen të ecin përreth rrënojave dhe të bëjnë ndonjë fotografi të rastit e kështu me radhë. Ajo që duhet bërë është analiza e plotë e këtyre rrënojave, që do t’iu mundësojë hetuesve të përcaktojnë se çfarë lloji i eksplozivit është përdorur”, thotë Yates.

Sipas tij, përmes një analize kimike të ndonjë gjurme të eksplozivit, hetuesit mund të përcaktojnë përbërjen e eksplozivit dhe të nxjerrin ndonjë indikacion për vendin se ku mund të jetë prodhuar raketa.

Aeroplani i kompanisë “Malaysia Airlines” është rrëzuar derisa ka qenë në një fluturim të rregullt komercial nga Amsterdami për në Kuala Lampur.(v.tela)

XS
SM
MD
LG