Ndërlidhjet

Fushat ku Kosova ngeci për liberalizimin e vizave


Ilustrim

Ilustrim

Rekomandimet që i ka shtruar Komisioni Evropian në raportin e dytë të progresit për liberalizmin e vizave për Kosovën, sipas analistëve të integrimeve evropiane, nuk janë të panjohura për Kosovën.

Pavarësimi i Gjyqësorit, luftimi i krimit të organizuar, korrupsioni dhe rekomandimet tjera, sipas profesorit të së Drejtës Evropiane, Avni Mazreku, janë probleme, të cilat janë ripërsëritur gati në të gjitha raportet e progresit për Kosovën,

Ai kritikon institucionet e Kosovës që nuk kanë marrë masa për luftimin e këtyre dukurive negative.

“Janë dy çështje kryesore, është çështja e reformës së administratës publike që ka ngecur Kosova dhe dihet pse ka ngecur, sepse kjo administratë publike përdoret për qëllime të politikës të partive të caktuara, që pretendojnë ta marrin pushtetin dhe të qeverisin me vendin. Dhe e dyta, pavarësia e sistemit të drejtësisë, dhe kush ka interes në mungesë të pavarësimit të sistemit të drejtësisë - kanë të fuqishmit, ata që i kanë monopolet politike në vend dhe ata janë që vendosin apo krijojnë rrethanat që ky sistem të funksionojë si i pavarur”, thotë Mazreku në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike, që në vazhdimësi ka monitoruar procesin e zbatimit dhe plotësimit të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, përmes një komunikate për media, iu ka bërë thirrje qeverisë në largim, partive politike të përfaqësuara në Kuvend dhe institucioneve të tjera, që t’i adresojnë të gjitha kërkesat që dalin nga ky raport.

“Qytetarët e Kosovës nuk mund të vazhdojnë të jenë peng i papërgjegjshmërisë së përfaqësuesve politikë, bartësve të institucioneve të pavarura, sidomos resorëve ministrorë, organeve gjyqësore dhe prokuroriale (të përmendura në Raportin vlerësues), të cilët po rrezikojnë që qytetarëve të Kosovës të mos u njihet e drejta që të lëvizin lirshëm (pa viza) në zonën Schengen”, thuhet në kumtesën e Grupit për Studime Juridike dhe Politike.

Raporti i fundit i Komisionit Evropian lidhur me liberalizmin e vizave i rekomandon Kosovës të zhvillojë pavarësinë e Gjyqësorit dhe të krijojë një regjistër të besueshëm për vendimet e gjykatave të marra për rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Komisioni ka vlerësuar, po ashtu, ndikimin potencial të liberalizimit të vizave në siguri dhe migrim dhe ka konkluduar se heqja e obligimit për viza për qytetarët e Kosovës, si pasojë ka sjellë për BE-në rrezik në siguri dhe migrim.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, ndaj të cilit Bashkimi Evropian aplikon regjim të vizave.

Lum Ahmeti, një qytetar nga Prishtina, e quan të padrejtë këtë.

“Më duket paradoksale ne si qytetarë të Kosovës dhe Kosova si shtet, është geto në Evropë. Jemi të vetmit qytetarë që nuk mund të lëvizim lirshëm në vendet e Unionit Evropian dhe më gjerë”, thotë ai.

Ndërsa, Artani, një qytetar tjetër, tregon se për shkak të procedurave të shumta për të marrë vizë, nuk do të mund ta vizitojë familjen e tij në Gjermani.

“Unë kam një ofertë prej familjarëve të mi që jetojnë në Gjermani, por për shkak të procedurave të gjata që duhet ndjekur për t’u pajisur me vizë, është një faktor që më pamundëson udhëtimin drejt këtij shteti”, shton ai.

Riatdhesimi i migrantëve dhe ri-integrimi i tyre është po ashtu një nga parakushtet kryesore për të hequr regjimin e vizave me BE-në.

Raporti i Komisionit Evropian në raportin e fundit ka dhënë edhe këtë rekomandim, ku thuhet se Kosova duhet të rrisë riintegrimin e qëndrueshëm të personave kthyer.

Ministria e Punëve të Brendshme, është institucioni i cili koordinon procesin e ri-integrimit të personave të riatdhesuar.

Rroksana Qarri, shefe e Zyrës për informim në Ministrinë e Punëve të Brendshme, tregon për Radion Evropa e Lirë se brenda këtij viti janë ripranuar gjithsej 2,174 persona.

“Lidhur me procedurat e riatdhesimit, Qeveria e Kosovës ka marrëveshje për riatdhesim me 22 shtete, si dhe ka në fuqi Ligjin për ri-pranim, i cili aplikohet me shtetet, me të cilat nuk kemi marrëveshje për ri-pranim. Me pranimin e kërkesës për riatdhesim nga shteti kërkues, MPB-ja fillon verifikimin e personave nëse janë shtetas të Kosovës apo jo në tri faza të verifikimit”, bën të ditur Qarri.

Avni Mazreku konsideron se marrëveshjet e riatdhesimit të nënshkruara mes Kosovës dhe shteteve përkatëse, nuk zgjidhin problemin e riatdhesimit. Sipas tij, problemi i riatdhesimit ka të bëjë me zhvillimin ekonomik, i cili siç thekson Mazreku, ka mbetur peng i politikave jo të drejta ekonomike që janë zbatuar në Kosovë.

“Problemi i riatdhesimit dhe krijimi i një stabiliteti në kontekstin e riatdhesimit të njerëzve, ka të bëjë me zhvillimin ekonomik. Nëse njerëzit që kthehen në Kosovë dhe nuk gjejnë perspektivë ekonomike dhe sociale kjo atëherë nuk është stabile dhe e riprodukon problemin dhe nuk e zgjidh problemin e këtyre njerëzve”, vlerëson Mazreku.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG