Ndërlidhjet

Izraeli dhe Hamasi: Armëpushim 12 orësh, refuzohet plani i Kerryt


Gaza...
Gaza...

Prej orës 7 të mëngjesit të së shtunës sipas kohës së Evropës Qendrore, ka filluar marrëveshja për armëpushim ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

Izraeli dhe grupet militante palestineze në Rripin e Gazës janë pajtuar me kërkesën e Kombeve të Bashkuara për pauzë humanitare, derisa përpjekjet për sigurimin e armëpushimit afatgjatë po vazhdojnë. Ushtria e Izraelit tha se nuk do të hapë zjarr, por do të vazhdojë kërkimin për tunelet, që shfrytëzohen nga militantët.

Një zëdhënës i grupit islamik Hamas, që e qeveris Rripin e Gazës, tha se të gjitha grupet palestineze do ta respektojnë armëpushimin e shkurtër. Të premten vonë, qeveria e Izraelit hodhi poshtë propozimin e Sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, për armëpushim njëjavësh.

Televizioni publik i Izraelit raportoi se plani i Kerryt ishte “refuzuar unanimisht”, por qeveria do ta vazhdojë diskutimin për këtë plan. Kerry, duke folur në Kajro të ,Egjiptit kishte bërë thirrje për armëpushim shtatëditësh për festën e Bajramit, javën e ardhshme.

“Në mënyrë specifike, këtu është ajo që ne ishim duke punuar në përpjekje për ta sjellë armëpushimin. Në këtë moment, ne po punojmë drejt shtatë ditëve të paqes, shtatë ditë të armëpushimit humanitar për nder të Bajramit. Në mënyrë që të jemi në gjendje t’i sjellim njerëzit së bashku në përpjekje për të punuar në krijimin e armëpushimit më të qëndrueshëm afatgjatë. Të punojmë për të krijuar plane për atë udhëtim të gjatë”, tha John Kerry.

Mediat e Izraelit raportojnë se qeveria e kryeministrit, Benjamin Netanyahu, kërkoi që ushtria të lejohet ta vazhdojë shkatërrimin e tuneleve, që shfrytëzohen nga grupi palestinez Hamas, për të ndërmarrë sulme brenda Izraelit. Hamasi tha se po e studionte propozimin.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i qeverisë së Izraelit, Mark Ragev, tha se armëpushimi 12 orësh do të respektohet, nëse Hamasi nuk ndërmerr sulme me raketa.

“Përfundimisht, populli i Gazës nuk është armiku ynë. Armiku ynë janë ata terroristë – Hamasi – që hedhin raketa brenda Izraelit, në përpjekje për t’i vrarë njerëzit tanë. Tash ne do ta respektojmë këtë armëpushim humanitar, por nëse Hamasi na sulmon, lanson raketa brenda në Izrael ose i sulmon trupat tona, atëherë kuptohet se ne e rezervojmë të drejtën për ta mbrojtur vetveten”, i tha agjencisë Reuters, Mark Regev.

Në përpjekje për arritjen e gjetjes së një zgjidhjeje për këtë konflikt, sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, gjatë turneut të tij në Lindjen e Mesme, është takuar me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, dhe me ministrin e Jashtëm të Egjiptit, derisa shtohet presioni ndërkombëtar për arritjen e armëpushimit për ta përfunduar konfliktin, i cili të shtunën hyri në ditën e 19, me ç’rast janë vrarë afro 900 palestinezë dhe 38 izraelitë, 34 prej tyre ushtarë.

Kerry do të udhëtojë për në Paris për bisedime të mëtejshme në përpjekje të gjetjes së një zgjidhjeje, me ministrat e jashtëm të Katarit dhe Turqisë, që do të mund të ushtronin ndikim ndaj Hamasit.

Në bisedimet në Paris pritet të marrin pjesë edhe ministrat e Jashtëm të Francës, të Britanisë, Gjermanisë, Italisë, së bashku me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton.

Të shtunën, herët në mëngjes, së paku 18 palestinezë janë vrarë nga një sulm ajror izraelit në qytetin jugor Khan Yunis të Rripit të Gazës, përfshirë disa fëmijë, kanë thënë shërbimet e emergjencës.

Në Bregun Perëndimor, të premten, së paku 5 palestinezë janë vrarë gjatë një proteste kundër operacioneve ushtarake izraelite në Rripin e Gazës.(f. bujupi)

XS
SM
MD
LG