Ndërlidhjet

logo-print

Në tregun e brendshëm të Kosovës ka laramani të çmimeve të produkteve të ndryshme, varësisht nga dyqani, lokacioni apo edhe qyteti. Këto çmime në vigjilje të festave, sipas disa qytetarëve të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, zakonisht shënojnë ngritje.

Besimtarët myslimanë të hënën, më 28 korrik, festojnë Fitër Bajramin.

Fatime Ahmeti një qytetare nga Prishtina, e cila po furnizohej me ushqime në njërin nga marketet në kryeqytet, tregon se të gjitha çmimet, e në veçanti ato të produkteve ushqimore janë ngritur para festës.

“Prej fillimit janë rritur të gjitha. Është më shtrenjtë gjithçka. Çka do të bëjnë ata që jetojnë me ndihma sociale, apo me pension të ulët?! Kjo s’është e drejtë”, thotë Fatimja.

Edhe Anduena, një qytetare tjetër, thekson se në veçanti produktet, të cilat shërbejnë për përgatitjen e ushqimeve tradicionale për këtë festë, kanë shënuar ngritje.

“Po ka pasur rritje, për shembull një produkt, gjalpi, që më herë e kam blerë 49 centë, tash është 52 centë, po më duket që këto çmime kanë filluar të ngrihen nga dita e shtunë. Tash para festës së Bajramit, merren edhe rrogat dhe fillon edhe ngritja e çmimeve”, shton Anduena.

Kosova nuk ka ndonjë mekanizëm që e rregullon tregun e çmimeve. Në mungesë të këtij mekanizimi, përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e konsumatorit, thonë se tregtarëve iu krijohet hapësira që të bëjnë ngritje të çmimeve pa u penguar nga askush.

Kryetari i Organizatës Joqeveritare Konsumatori, Selatin Kaçaniku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se tregtarët zakonisht për festa po bëjnë ngritje të çmimeve, derisa sipas tij, duhej të ndodhte e kundërta.

Te ne është bërë traditë që në vigjilje të festave të ngrihen çmimet, fatmirësisht këto ditë kam parë që ka pasur diku ulje reale të disa çmimeve, e cila gjithsesi se është bërë për të shfrytëzuar konsumatorin që të blejë edhe artikuj të tjerë”, pohon Kaçaniku.

Autoritetet e Kosovës, shton Kaçaniku, nuk duhet të arsyetohen me atë se në Kosova ka ekonomi të lirë të tregut dhe tregtarët mund t’i ngritin çmimet për konsumatorët dhe institucionet shtetërore nuk mund ta pengojnë një gjë të tillë.

“Ne, për fat të keq, për mungesë të aktiviteteve të mjaftueshme të institucioneve të mekanizmave të shtetit, nuk kemi arritur akoma që të përcjellim edhe në këtë aspekt. Shteti arsyetohet se kemi ekonomi të tregut të lirë dhe se tregu i tillë vepruaka si rregullator, ne themi se Kosova nuk ka akoma treg vendor dhe nuk ka as treg të lirë”, vlerëson Kaçaniku.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, indeksi i tërësishëm i çmimeve të konsumit në Kosovë është më i lartë për 0,1 për qind në muajin qershor 2014 krahasuar me muajin maj 2014.

Shkalla e inflacionit e matur në muajin qershor 2014 me muajin qershor 2013, ishte 0,4 për qind.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG