Ndërlidhjet

Shkup: Dialogu politik, thellohet hendeku pushtet - opozitë


Ilustrim

Ilustrim

Dialogu politik ndërmjet pushtetit dhe opozitës disa herë është apostrofuar nga zyrtarët e BE-së, si një nga kushtet e që duhet të përmbushë Maqedonia në procesin e integrimit euroatlantik.

Këtë, së fundi, e tha edhe shefja e diplomacisë italiane, Federica Mogherini, vendi i së cilës kryeson me Bashkimin Evropian, por bazuar në qëndrimet e fundit të përfaqësuesve të të dyja palëve, dialogu vështirë se do të nisë për shkak të pozicioneve diametralisht të kundërta.

Opozita e udhëhequr nga Lidhja Social-Demokrate thotë se kthimi i saj në Kuvend varet nga pranimi i kërkesës së saj kryesore, formimi i qeverisë teknike, e cila brenda gjashtë muajve do të organizonte zgjedhje të lira dhe demokratike.

“Qeveria teknike duhet të formohet sa më shpejt që të jetë e mundur, apo të formohet gjashtë muaj para zgjedhjeve të parakohshme që të mund të zbatohen të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e tyre”, deklaron Hari Lokvenec , anëtar i Komitetit ekzekutiv të Lidhjes Social-Demokrate, e cila nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 27 prillit me pretendimin se zgjedhjeve ishin të manipuluara nga pushteti, si ato parlamentare, ashtu edhe ato presidenciale, që u mbajtën të njëjtën ditë.

Por, nga qeveria përjashtojnë çdo mundësi për qeveri teknike, ndërsa kërkesat e opozitës i quajnë alibi për të arsyetuar disfatën në zgjedhjet e fundit.

Dhe jo vetëm kaq, partia e kryeministrit Nikolla Gruevski disa herë ka theksuar se qëndrimi i tillë u LSDM-së dëmton të ardhmen e vendit në procesin integrues dhe se shkon në favor të politikave të Greqisë kundrejt çështjes së emrit.

“Sa më përket mua, dialogu politik është i mundur në çdo moment, për të cilin do të vlerësonte LSD-ja, por kuptohet se nuk mund të pranojmë kërkesa dhe kushtëzime për qeveri teknike”, deklaron kryeministri Nikolla Gruevski.

Ai thotë se qeveria është legjitime pasi ka fituar në një proces të rregullt zgjedhor edhe atë me një dallim shumë të madh në vota.

Edhe një pjesë e analistëve në vend nuk e arsyetojnë kërkesën e opozitës për qeveri teknike. Ata konsiderojnë se dialogu politik duhet të vendoset sa më parë, por kërkesa për qeveri teknike, sipas Vlladimir Bozhonovskit, nga Instituti për hulumtime politike, nuk është forma më e mirë.

“Askush nuk mundet të kërkojë qeveri teknike, nuk bëhet fjalë për atë se a mund dikush ta ndihmojë këtë çështje apo jo, thjesht duhet të hiqet dorë nga kërkesa për qeveri teknike, pasi kjo vështirë se do të kalojë. Kush do të pranonte një kërkesë të tillë?”.

“Kjo mund të ketë pasoja më të mëdha për opozitën, pasi nëse vendos kushte të parealizueshme, kjo mund të ketë pasoja për vetë opozitën. Konsideroj se Kuvendi është vendi ku duhet të udhëhiqet dialogu politik”, vlerëson Bozhinovski.

Tani për tani nuk ka paralajmërime për ndonjë takim të ri ndërmjet kryeministrit Gruevski dhe liderit të opozitës, Zoran Zaev, pas dështimit të takimit që u mbajt më 20 qershor.

Zgjedhjet e fundit parlamentare janë fituar bindshëm nga koalicioni i udhëhequr nga VRMO DPMNE-ja, ndërsa te shqiptarët zgjedhjet, po ashtu, bindshëm janë fituar nga BDI-ja.

Për dallim nga opozita maqedonase, ajo shqiptare merr pjesë në punimet e Kuvendit, madje Partia Demokratike Shqiptare kishte votuar edhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, Trajko Veljanovski, që vjen nga partia e Gruevskit, VMRO-DPMNE.

XS
SM
MD
LG