Ndërlidhjet

logo-print

Kremtja e Fitër Bajramit, mesazhe për tolerancë dhe paqe


Besimtarët myslimanë në Kosovë sot po kremtojnë festën e Fitër Bajramit.

Shënimi i kësaj kremteje ka nisur sot në orët e para të mëngjesit në të gjitha xhamitë në Kosovë, ndërkohë që manifestimin qendror është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Festa e Fiter Bajramit, e cila po shënohet sot, ka pasuar muajin e shenjtë të Ramazanit, gjatë të cilit, sipas besimit Islam, agjërohet 30 ditë, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.

Faljen e Namazit të Fiter Bajramit e ka udhëhequr kryemami i Kosovës, Sabri Bajgora.

Ndërkaq, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, me rastin e festës së Fitër Bajramit, i është drejtuar opinionit me porositë që, siç ka theksuar ai, reflektojnë edhe esencën e kësaj feste, si dhe vet besimit Islam.

Tërnava ka theksuar se libri i shenjtë, Kur’ani, urdhëron njerëzit që të jetojnë në paqe, të respektojnë njëri tjetrin, të rrisin dhe forcojnë vlerat morale njerëzore, si dhe të bashkëpunohet dhe veprohet në kultivimin e dashurisë ndërmjet njerëzve..

“Të nderuar vëllezër e motra, të kultivojmë frymën e dashurisë, paqes, tolerancës, respektit të ndërsjellë edhe me besimet tjera, që Kosova të jetë vend i harmonisë, bashkëpunimit, tolerancës dhe paqes. Islami është një fe që i është shpallur njerëzimit, me qëllimin e dhurimit të një jete paqësore, përmes së cilës pasqyrohet në tokë, mëshira dhe bamirësia e pafund e Allahut xheleshanuhu".

"Ky është edhe mesazhi universal i cili del nga kuptimi i drejtë i agjërimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, mesazh i cili në vazhdimësi troket në ndërgjegjen e njeriut, për ta rizgjuar atë, në mënyrë që bota ta përqafoj paqen. Me fat, për hajr festa e Fitër Bajramit, të gjithëve”, tha Tërnava.

Kryetari i Bashkësisë Islame, myftiu Tërnava, ka theksuar se Islami është kundër dhunës, kudo që paraqitet ajo, është kundër vrasjeve të njerëzve të pafajshëm, kundër torturave të natyrave të ndryshme dhe kundër çdo gjëje që shkon në dëm të shoqërisë njerëzore.

Në këtë kontekst, ai ka përmendur dhe dënuar dhunën në konfliktet aktual në Rripin e Gazës në Palestinë, në Siri dhe Irak.

Ai ka dënuar ashpër sidomos vrasjet që kanë ndodhur gjatë muajit të Ramazanit dhe i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndikoj për ndalimin e dhunës dhe luftës në zonat me konflikte.

Myftiu Tërnava, gjithashtu ka theksuar se Bashkësia Islame e Kosovës do të luftoj ashpër çdo lloj ekstremizmi dhe radikalizmi, i çfarëdo ngjyre qoftë, që shkon në dëm të shtetit të Kosovës dhe sigurisë së vendit.

Ne jemi kundër çdo dhune, pavarësisht se ku ajo ndodhë, pavarësisht se çfarë besimi i takon ai që e kryen atë. Duhet ta ruajmë vendin tonë nga ky sindrom shkatërrues dhe i prishtë, i cili synon destabilizim, përçarje, mos tolerancë, gjakderdhje e krime të natyrave të ndryshme".

"Ndaj interesave të individëve, të grupeve apo kujtdo qofshin ato, duhet edhe më shumë ne të ngrehim zërin e arsyes, të gjithë ne, sepse nuk do të tolerojmë me asnjë çmim destabilizimin e vendit tonë, përmes këtyre akteve në emër të fesë”, u shpreh Tërava.

Ai i ka ftuar të gjithë imamët dhe qytetarët e Kosovës që të jenë sy-çelë dhe të mos u krijojnë hapësirë grupeve ekstreme dhe radikale që të veprojnë në Kosovë.

Me rastin e ditës së Fitër Bajramit, apo siç quhet nga besimtarët mysliman si Bajrami i Madh, presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga, e ka uruar Bashkësinë Islame të Kosovës dhe besimtarët mysliman në vend “që këtë ditë ta kalojnë në paqe, solidaritet dhe mirëkuptim me njëri-tjetrin”.

“Në këtë ditë feste, më shumë se kurdoherë duhet të ndalemi e të reflektojmë për punën tonë, për angazhimet dhe obligimet që kemi ndaj njëri-tjetrit, familjes, miqve dhe shoqërisë. Në këtë festë të Bajramit të Madh me respekt të veçantë, t’i kujtojmë të gjithë ata që u angazhuan dhe sakrifikuan për vendin tonë”, thuhet në urimin e presidentes Jahjaga.

Edhe kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar bashkësinë Islame të Kosovës dhe besimtarët mysliman të Kosovës për festën e Fiter Bajramit.

“Qytetarët tanë të besimit islam shquhen për kultivim të vlerave humane, për urtësi, shpirt paqësor, tolerant dhe respekt për njerëzit e besimeve të ndryshme. Urojmë qe kjo frymë e mirëkuptimit dhe kultivimit të vlerave që na bashkojnë të vazhdojë dhe të thellohet gjithmonë në mesin tonë, duke e bërë Kosovën vend te paqes, përparimit dhe harmonisë midis njerëzve të përkatësive të ndryshme etnike dhe religjioze”, thuhet në urimin e kryeministrit në largim, Thaçi.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG