Ndërlidhjet

Maqedoni: Pa lëvizje lidhur me çështjen e emrit


Pamje nga Shkupi

Pamje nga Shkupi

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare nuk presin lëvizje në pozicionet e palëve lidhur me çështjen e emrit nga vizita e ndërmjetësit të OKB-së, Metju Nimic në Shkup dhe Athinë më 28 dhe 29 korrik.

Ata thonë se Nimic mund të dalë me propozim të ri për emrin, por atmosfera në të cilën ai vjen këtu nuk është e favorshme dhe se turneu i tij diplomatik më tepër është si rezultat i interes në rritje të Gjermanisë për zgjidhjen e problemit rreth emrit.

“Ai më në fund do të del me një propozim konkret, mund të jetë Maqedonia Veriore, apo diçka e ngjashme. Mendoj se pozicioni ndërkombëtar e posaçërisht i SHBA-së dhe i kancelares gjermane, Merkel mund të japin ndonjë rezultat. Ky optimizëm si i Nimicit ashtu edhe diplomatëve amerikan dhe evropian në dukje të parë të duhet mistik, por me siguri se ka diçka tjetër që ne nuk kemi qasje apo nuk e kuptojmë”, thotë ish diplomati Alajdin Demiri.

Sipas tij, edhe sikur të ketë propozim të ri zgjidhja do të jetë e vështirë duke marr parasysh qëndrimet e fundit, të kryeministrit grek Antonis Samaras i cili mohoi ekzistimin e gjuhës, apo qëndrimin e palës maqedonase e cila mbetet në qëndrimin për të mos pranuar asnjë zgjidhje që cenon integritetin kombëtar, gjuhën dhe kulturën maqedonase.

Ish diplomati, Risto Nikovski nuk beson se Nimic do të sjellë ndonjë propozim të ri, përveç atyre që tashmë dihen.

Gjithçka po sillet rreth asaj që deri tani ishte në tavolinë, pra, nuk duhet pritur befasia, diçka të re. Vizita është në funksion të kancelares Merkel, por unë nuk jam optimist se kancelaria gjermane Merkel mund të arrijë sukses, meqë problemi qëndron te pala greke e cila nuk do të pranonte asnjë zgjidhje, para së gjithash për shkak të problemeve të brendshme me të cilat ajo po ballafaqohet për momentin”, thotë Nikovski.

Ngjashëm vlerëson edhe Sasho Klekovski, njohës i çështjeve politike.

“Për momentin gjendja politike brenda Greqisë është më kufizuese. Koalicioni qeveritar atje pësoi disfatë në zgjedhjet lokale edhe ato për Parlamentin Evropian, kurse në mars të vitit të ardhshëm do të ketë zgjedhje presidenciale, pra dallimi mes koalicionit qeverisës në Athinë dhe Shkup e bën shumë të ndjeshme situatën”, thotë Klekovski.

Ai ngrit dyshime nëse politikanët e Greqisë do të marrin guximin për arritjen e ndonjë kompromisi të mundshëm, pasi kjo do të reflektonte në rënien e popullaritetit të tyre, duke marrë parasysh ndjeshmërinë e kësaj çështjeje tek elektorati grek.

Për shkak të moszgjidhjes së kontestit të emrit, Greqia tani disa vite ka bllokuar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Bllokimi i këtij procesi dhe mungesa e gatishmërisë për arritjen e kompromisit, jo rrallë herë ka tensionuar edhe raportet mes partnerëve të koalicionit qeveritar.

Bashkimi Demokratik për Integrim që është pjesë e qeverisë, si prioritet kryesor të programit të vet, ka pikërisht integrimin euroatlantik. Andaj, në rast se ky proces nuk zhbllokohet deri në vjeshtë, kjo parti ka paralajmëruar shqyrtimin e pozicionit të saj në qeveri, braktisjen e saj dhe çuarjen e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

XS
SM
MD
LG