Ndërlidhjet

WP: Polemikë e ashpër Britani - Francë për Rusinë


 David Cameron dhe Francois Hollande

David Cameron dhe Francois Hollande

Kryeministri i Britanisë, David Cameron, e ka udhëhequr sulmin kundër Francës: do të ishte e “paimagjinueshme” për britanikët që t’i shitet luftanije Rusisë, deklaroi ai, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja Washington Post, dhe vazhdon se pothuajse menjëherë, presidenti francez, François Hollande, e konfirmoi synimin e tij që saktësisht ta bëjë këtë: ai tha se do t’ia dërgoj luftanijen sulmuese Mistral, Marinës Ruse, aashtu siç pçarashihet me kontratë, dhe pastaj goditi fuqishëm.

“Ky është një debat i falsifikuar i udhëhequr nga hipokritët”, tha një koleg i tij partiak, dhe shtoi se “kur ju i shihni se sa shumë oligarkë rusë kanë synuar të gjejnë strehim në Londër, atëherë David Cameron duhet ta filloj pastrimin e oborrit të vet”, tha ky bashkëpartiak i zotit Hollande.

Çka është më keq, e shtron pyetjen Washington Post: dërgimi nga Franca në Rusi i luftanijes, e cila mund të përdoret kundër aleatëve të NATO-s në Baltik ose në Detin Baltik? Apo, insistimi i Britanisë për të drejtën e saj për t’i pastruar paratë ruse nëpër tregjet financiare të Londrës?

Ishte një grindje argëtuese, jo për shkak se kemi të bëjmë me stereotipe: Britania kundër Francës, bankerët e pasinqertë kundër politikanëve cinikë.

Ky mospajtim ka dominuar në media, derisa evropianët debatuan për përgjigje të drejtë ndaj agresionit rus në pjesën lindore të Ukrainës, shkruan Washington Post.

Por, në një masë, kjo, po ashtu, e maskon natyrën reale të ndikimi të Rusisë në Evropë. Por ndikimi më i fuqishëm politik i Rusisë nuk është në vendet realtivisht të mëdha, siç janë Britania dhe Franca, ku së paku gjërat diskutohen në mënyrë të hapur, por më tepër në vendet e dobëta, ku mezi që ka debat për politikën e jashtme.

Asnjëra nga këto ndikime nuk është prodhim direkt i forcës ose pasurisë së Rusisë. Popullata prej 142 milionësh e Rusisë është më e vogël se Nigeria ose Pakistani, është e njëjtë sa Britania dhe Gjermania së bashku, dhe ekonomia e saj është e ngjashme me atë të Italisë.

Bashkimi Evropian, që e ka një popullatë prej 500 milionësh, e dërgon vetëm 7% të eksportit të saj në Rusi. Megjithëqë duket befasuese, Gjermania tash tregton më tepër me Poloninë se sa me Rusinë.

Pavarësisht nga kjo, Rusia ka ndikim politik në Evropë për shkak të natyrës së partnerëve dhe bashkëpunëtorëve evropianë biznesorë të Moskës: kompani shumë të mëdha, zakonisht të lidhura me naftë dhe gaz, që bëjnë donacione shumë të mëdha për partitë politike.

Nëse merret së bashku, 100 mijë tregtarë gjermanë dhe prodhues, që bëjnë biznes me Poloninë, nuk kanë ndikim të njëjtë sikur shefi i kompanisë E.ON Ruhrgas, që ka investime të mëdha ruse.

I gjithë eksporti i verërave dhe djathërave të Italisë së bashku nuk e kanë zërin e njëjtë në politikën italiane, sikur shefi ekzekutiv i kompanisë shtetërore italiane të gazit, Eni, që është njëri nga klientët më të mëdhenj të Rusisë.

Për këtë çështje, dëshirat e viktimave të holandezëve të zemëruar të rrëzimit të aeroplanit të udhëtarëve të Malajzisë, në fund të fundit, ndoshta nuk paraqesin çështje të rëndësishme te qeveria e Holandës, sa pikëpamjet e kompanisë Royal Dutch Shell, që ka investime madhore në Rusi, megjithëqë autorja e shkrimit në Washington Post, Anne Applebaum, thotë se shpreson se kjo nuk do të provohet të jetë e vërtetë.

Kur rusët filluan të bëjnë biznes në vitet e 90-ta në Evropë, ata mësuan shumë shpejtë për rëndësinë e kompanive të ndërlidhura politikisht.

Si rezultat i kësaj, ata kanë filluar të marrin aksione në më tepër sosh.

Rosnefi, kompania që është pronë e shtetit në Rusi, tash e goditur nga sanksionet e Shteteve të Bashkuara, aktualisht i ka blerë 13% të aksioneve të kompanisë së madhe italiane të gomave, Pirelli. Presidenti i Rosnefit, të cilit nuk do t’i jepet viza për udhëtim në Shtetet e Bashkuara, është në bordin e Pirellit.

Vitin e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, erdhi në Itali për ta shpallur krijimin e një fondi investues italiano – rus në vlerë prej një miliard eurosh.

Po cili ishte rezultati, pyetet gazeta Washington Post? Italia, e jo Franca, Britania ose Gjermania, kanë punuar më së shumti për bllokimin e sanksioneve kundër Rusisë, ndërsa Italia është mbështetësi më i madh evropian i “interesave” të Rusisë në Ukrainë.

Përpjekjet e Rusisë në pjesën juglindore të Evropës ishin veçanërisht të theksuara.

Në Serbi, që ende nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, firmat e Rusisë i kanë nën kontroll kompanitë më të rëndësishme të naftës dhe gazit.

Por, duket se qëllimi nuk është fitimi i parasë, sepse po të ishte kështu, atëherë rusët, sikur të tjerët, do të hezitonin të investojnë në tregjet e varfra. Pra, qëllimi është politika – për ta dobësuar Bashkimin Evropian, për ta parandaluar atë që të ketë politikë të jashtme, dhe mbi të gjitha, ta mbajë atë larg nga krijimi dhe mbajtja e strategjisë unike lidhur me Rusinë, shkruan e përditshmja Washington Post në një artikull të gjatë.

E përgatiti Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG