Ndërlidhjet

Parlamenti i Shqipërisë dënon vjedhjen e bankës


Ilustrim©Shutterstock

Ilustrim©Shutterstock

Ardian Bitraj ka vjedhur 713 milionë lekë nga Thesari i Bankës së Shqipërisë, është shifra zyrtare e Këshillit Mbikëqyrës, prej të cilave 143 milionë lekë të nxjerra nga qarkullimi për t’u asgjësuar.

Për vjedhjen më të madhe të ndodhur ndonjëherë në jetën 100 vjeçare të Bankës së Shqipërisë, janë nën akuzë dy persona: Ardian Bitraj, përgjegjës i sektorit të Stokut, në ndërtesën e Emisionit të Monedhës, i cili e ka pranuar akuzën e vjedhjes së rreth 7 milionë dollarëve, si dhe Mimoza Bruzaj, përgjegjëse e arkës në Emisionin e Monedhës, e cila akuzohet si bashkëpunëtore në vjedhje. Deri tani Bruzaj nuk e ka pranuar akuzën.

Gjashtë ditë pas evidentimit të vjedhjes së ndodhur në Linzë, aty ku edhe është ndërtesa e ruajtjes së valutës shqiptare, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka deklaruar se thesaret e sigurisë së lartë nuk janë prekur.

Pas raportimit me dyer të mbyllura në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, guvernatori i Bankës, Fullani, gjatë një konference për shtyp, ka deklaruar se Banka e Shqipërisë do të ketë një bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë.

Ndërsa, kreu i Komisionit të Ekonomisë, deputeti socialist Erion Braçe, pas mbledhjes ka deklaruar:

“Kemi kërkuar tolerancë zero për cilindo që është përfshirë në këtë ngjarje, duke nisur nga guvernatori, e deri te zyrtari i fundit në aspektin administrativ, ligjor dhe penal”.

Sipas Këshillit Mbikëqyrës të Bankës, përvetësimi i parave ka ndodhur në hallkën e ndërmjetme që ka natyrën e një sporteli operacional, ku kryhen veprimet e përditshme me paratë e thata.

Mosrespektimi me rigorozitet i procedurave nga disa prej punonjësve, krijoi mundësi për abuzime të kësaj natyre, bën të ditur Këshilli.

Me përfundimin e raportit të kontrollit, do të vazhdojë marrja në pyetje e punonjësve të Qendrës së Emisionit të Monedhës dhe zyrtarëve të Bankës së Shqipërisë.

Prokuroria u kërkoi të gjitha bankave të nivelit të dytë, që të kontrollojnë llogaritë bankare të 20 familjarëve të të arrestuarve. Në listën e këtyre 20 personave, janë familjarë të 2 të arrestuarve, si prindër, vëllezër, motra, kushërinj të parë apo të afërm të tjerë.

Një javë më parë kontrolli i brendshëm i Bankës së Shqipërisë, në momentin që ka tentuar të bëjë inventarizimin e parave që do të asgjësoheshin, ka konstatuar mangësi në pakot e mbushura me kartëmonedha.

XS
SM
MD
LG