Ndërlidhjet

Gaza, vatër krizash


Pas Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustit, në të cilin u vranë 6 milionë hebrenj, u krijua shteti i Izraelit, i cili në vitin 1949 edhe u bë vend anëtar i Kombeve të Bashkuara.

Përcaktimi i kufijve të këtij shteti në Lindjen e Mesme dhe në territorin palestinez, nxiti pakënaqësi në vendet fqinje të banuara me popullatë arabe, disa nga të cilat e konsideronin si të padrejtë krijimin e shtetit të ri.

Pjesa më e kontestuar mbetet ajo që sot njihet si Rripi i Gazës, i cili është i banuar me palestinez, i rrethuar kryesisht me Izraelin.

Historia e konfliktit të Gazës

Në vitin 1948, izraelitët dhe palestinezët hyjnë në luftë. Kur mori fund, Gaza kontrollohej nga Egjipti, dhe një pjesë tjetër, Bregu Perëndimor, nga Jordania. Ky territor përbëhej nga mijëra palestinezë të cilët ishin larguar nga ajo që quhej shtëpia e re hebrenje, Izraeli.

Por pastaj, në vitin 1967, pas një lufte tjetër, Izraeli zuri këto pjesë të territorit palestinez dhe trupat izraelite qëndruan aty për disa vite. Në vitin 2005 Izraeli u largua nga ky territor, por shumë shpejtë, një grup i quajtur Hamas fitoi zgjedhjet dhe e mori kontrollin e Gazës.

Një pjesë e madhe e botës e quan Hamasin organizatë terroriste. Ky grup refuzon ta njoh Izraelin si shtet dhe kërkon që palestinezët të kthehen në atë që e quan, shtëpinë e tyre legjitime - dhe shumë shpesh Gaza shndërrohet në vatër këmbimesh të raketave ndërmjet dy palëve.

Nga ajo kohë Izraeli mbajti Gazën nën një bllokadë, duke kontrolluar kufijtë e saj.

Jeta në Gazë

Jeta e rreth 1 milion palestinezëve që jetojnë në Rripin e Gazës, është e vështirë. Për shkak se qasja është shumë e kufizuar, jo shumë mallra të hyjnë ose dalin jashtë Gazës.

Një numër i madh i njerëzve janë të papunë për shkak se shumë pak biznese mund të eksportojnë jashtë Gazës, dhe pak kanë para për të blerë gjëra.

Refugjatët palestinezë

Gjatë luftërave të viteve 1948 dhe 1967, qindra mijëra palestinezë lëshuan shtëpitë e tyre dhe u strehuan në shtetet fqinje.

Më shumë se 4.6 milionë palestinezë janë refugjatë, nëpër shtetet fqinje dhe marrin ndihma nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Dhuna në Gazë

Në vitin 2008, Izraeli dërgoi ushtarë në Gazë. Rreth 1 mijë e 300 njerëz, shumica prej të cilëve ishin civilë u vranë, prej të cilëve 13 ishin ushtarë izraelitë.

Më 2012 të paktën 167 palestinezë dhe 6 izraelitë u vranë gjatë një ndërhyrjeje me armë. Pas 8 ditëve luftime, armëpushimi i ndaloi luftimet.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës prijnë në rrafshin diplomatik, për të ndërhyrë në arritjen e armëpushimeve dhe marrëveshjeve paqësore ndërmjet të dyja palëve.

Korriku i 2014-s

Më se 1,300 palestinezë janë vrarë prej 8 korrikut, kur Izraeli e filloi ofensivën ushtarake në Rripin e Gazës, me qëllim që t’i ndalë hedhjet e raketave nga militantët palestinezë brenda në territorin izraelit.

Izraeli tha se militantët e Hamasit kanë shtënë me raketa dhe forcat e Izraelit i janë përgjigjur me zjarr.

Zyrtarët izraelitë thanë se janë duke u fokusuar në shkatërrimin e tuneleve të militantëve palestinezë "që janë përdorur për sulme në Izrael”.

Izraeli ka humbur 56 ushtarë në përleshje dhe tre civilë nga raketat palestineze që kur kanë nisur luftimet.

Përgatiti: Gresa Kraja
XS
SM
MD
LG