Ndërlidhjet

logo-print

Agjencia Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale ka shtuar në masë të madhe inspektimet në tërë territorin e Kosovës. Kjo, sipas zyrtarëve të këtij institucioni, është bërë me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, pasi që prej kohësh fenomeni i kontrabandës me barna ka qenë prezent.

Edhe vetë zyrtarë në Doganat e Kosovës kanë deklaruar se barnat si produkte, mund të kontrabandohen shumë lehtë, për shkak se sasia e tyre është shumë e vogël, derisa vlera e tyre është e madhe.

Pranvera Behrami, zëdhënëse në Agjencinë Kosovare për produkte Medicinale, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kohët e fundit janë shtuar inspektimet.

“Gjatë tri javëve të fundit, Inspektorati Farmaceutik i Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, ka intensifikuar aktivitetet duke kryer shumë inspektime në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.

Vetëm gjatë këtyre ditëve, janë bërë 42 inspektim- pranime në barnatore dhe depo farmaceutike, 11 inspektime ad- hoc, tri inspektime të GMP-së, janë shqiptuar 7 gjoba, në pika doganore për kontroll janë verifikuar 310 lëndë të importit, si dhe 11 herë janë inspektuar barnatoret në prani të Njësitit të Policisë të hetimeve dhe krimeve ekonomike”, ka thënë Behrami.

Kadri Bytyçi, farmacist, njëherësh ish-anëtar i Shoqatës së Farmacistëve të Kosovës, ka pohuar se AKPM-ja duhet të bëjë më shumë inspektime në më shumë fusha.

“Barnave në tregun Kosovës nuk ju mungon cilësia. Ato iu nënshtrohen rregullave, ligjeve dhe udhëzimeve administrative. Përgjithësisht bazohen në të dhënat që i deklarojnë prodhuesit, prej nga importohen këto barna në Kosovë. Mundësia dhe kapacitetet e AKPM-së për të bërë verifikimin e të dhënave, nuk është edhe aq e madhe”.

“AKPM-ja ka inspektime rutinë, por inspektimet duhet të fokusohen edhe në disa elemente. Duhet të interesohen për kushtet e ruajtjes, infrastrukturën, e të tjera që parashihen me ligj dhe udhëzim administrativ”, ka thënë Bytyçi, duke shtuar se edhe cilësia e barnave që prodhohen në Kosovë është e sigurt:

“Sa i përket barnave që prodhohen në Kosovë, mund të them se janë shumë të sigurta për përdorim, pasi që iu nënshtrohen shumë kontrolleve nga vetë AKPM-ja. Edhe ato të importuarat janë nga Bashkësia Evropiane, por ka edhe nga vende të tjera, që lë për të dëshiruar”.

Ndërkaq, Pranvera Behrami ka përmendur edhe inspektimet në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, e që, sipas saj, është bërë një punë e madhe në të mirë të cilësisë së barnave.

“Është bërë punë shumë e madhe nga inspektorati, pasi që janë kryer 563 inspektim -ranime, janë kryer 38 inspektime në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe njësinë e hetimeve dhe krimeve ekonomike”.

“Inspektime ad-hoc janë bërë 78 sosh. Në Komisionin për përshtatjen e kushteve janë kryer gjithsej 47 lëndë. Gjithashtu, ka pasur edhe vëzhgues të huaj gjatë aksioneve”, ka shpjeguar Behrami.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG