Ndërlidhjet

Gaza: Merr fund armëpushimi

  • RFE /RL

Ushtria e Izraelit thotë se është e “shqetësuar” se një pjesëtar i saj është zënë nga militantët palestinezë në Rripin e Gazës, dhe ka thënë se armëpushimi i arritur ka “përfunduar”.

Zyrtarët palestinezë thanë se së paku 35 palestinezë janë vrarë dhe 200 të tjerë janë plagosur nga predhat izraelite, me gjithë armëpushimin e arritur.

Izraeli dhe grupi militant Hamasi janë pajtuar për një armëpushim humanitar 72 orësh pa kushte në Rripin e Gazës.

Në një deklaratë të përbashkët të enjten vonë, sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, dhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, thanë se armëpushimi fillon në orën 7 në mëngjes më 1 gusht.

Në deklaratë theksohet se gjatë armëpushimit “forcat në terren do të mbeten në vendet e veta” dhe se është kritike që civilëve tu jepet “ndihma e nevojshme humanitare urgjente”, pastaj për t’i varrosur të vrarët, për tu kujdesur për të plagosurit dhe për furnizime me ushqime.

Zyrtarë të Izraelit dhe Hamasit kanë konfirmuar se të dy palët janë pajtuar për armëpushim.

Armëpushimet e mëparshme humanitare, që janë shpallur prej se Izraeli e ka filluar ofensivën në Gaza, më 8 korrik, janë ndërprerë nga luftimet e ripërtria.

Duke folur para gazetarëve lidhur me këtë armëpushim, të premten në Nju Delhi të Indisë, sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, theksoi:

“Kjo është një periudhë e mundësisë, një moment për të dy palët dhe për fraksione të ndryshme, që të jenë në gjendje që së bashku me shtetin e Izraelit, në përpjekje për t’i shqyrtuar mënyrat për gjetjen e armëpushimit të qëndrueshëm e pastaj, qartas dhe përfundimisht, gjatë një periudhe më të gjatë të kohës, t’i shqyrtojnë çështjet e theksuara”.

Zoti Kerry tha se Izraelit ende do t’i lejohet të ndërmarrë operacione “mbrojtëse” lidhur me atë që e sheh si linjë të tij për t’i shkatërruar tunelet në Rripin e Gazës.

Izraeli është shprehur i përkushtuar për t’i eliminuar tunelet nëpër të cilat militantët palestinezë depërtojnë në Izrael për sulme.

Zyrtarët e Rripit të Gazës thonë se më se 1,450 palestinezë, shumica prej tyre civilë, janë vrarë gjatë kësaj ofensive ushtarake izraelite 24 ditëshe.

Janë vrarë, po ashtu, edhe 61 ushtarë dhe tre civilë izraelitë.

Kombet e Bashkuara thonë se një e katërta e popullatës së Gazës është zhvendosur për shkak të luftimeve.

Izraeli thotë se ofensiva ka për synim mbrojtjen e popullatës së vet nga sulmet e militantëve palestinezë.

Shtetet e Bashkuara të enjten vonë e kanë përshkruar një sulm me predha të ushtrisë së Izraelit kundër një kampi të refugjatëve të Kombeve të Bashkuara, në një shkollë në Rripin e Gazës, si “totalisht të papranueshëm dhe totalisht të paarsyeshëm”.

Nga ky sulm në Xhabalia të Rripit të Gazës, para dy ditësh, u vranë së paku 16 palestinezë.

Nga ana tjetër, Komisionarja e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Navi Pillay, e ka kritikuar “mospërfilljen e qëllimshme” të Izraelit ndaj së drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit në Rripin e Gazës.

Në komentet e saj të enjten në mbrëmje në Gjenevë, ajo i ka përmendur sulmet në shkolla, shtëpi, spitale dhe kapacitete të OKB-së, në të cilat strehohen 250 mijë civilë në Rripin e Gazës.

Izraeli e akuzon Hamasin se i përdorë kapacitetet e Kombeve të Bashkuara dhe lokacionet e tjera, për depozitimin e armatimit dhe për lansimin e sulmeve me raketa.

Stephane Dujarric, zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, duke e lexuar deklaratën e përbashkët nga zoti Ban dhe sekretari Kerry, në selinë e OKB-së në Nju Jork, tha se delegacionet palestineze dhe izraelite në Kajro do të zhvillojnë bisedime me qeverinë e Egjiptit.

“Delegacionet izraelite dhe palestineze menjëherë do të shkojnë në Kajro për negociata me qeverinë e Egjiptit, me ftesë të Egjiptit, që synojnë arritjen e armëpushimit të qëndrueshëm”, tha Stephane Dujarric. (f. bujupi)

XS
SM
MD
LG