Ndërlidhjet

Shkup: Kërkesat e protestuesve nuk arrijnë në Qeveri


Pamje nga protestat e sotme, 1 gusht 2013
Pamje nga protestat e sotme, 1 gusht 2013

Të premten në Shkup, sërish është protestuar kundër gjykimit për rastin “Monstra” dhe dënimit të 6 qytetarëve shqiptarë që ishin pjesëmarrës në protestat e muajit të kaluar kundër gjykimeve të këtij rasti.

Protestat nuk do të ndalen derisa të shpalosen dëshmi të qarta, në bazë të të cilave janë dënuar të akuzuarit për rastin "Monstra", ka deklaruar ish-deputeti Isni Shaqiri, para protestuesve.

Ai ka shtuar se rasti i gjykimit të gjashtë qytetarëve, që ishin të përfshirë në protestat e 4 korrikut, me nga tre vjet burgim, paraqet dëshmi se kjo qeveri dëshiron ta ngulfatë zërin e lirë të qytetarit - zë ky i garantuar me ligjet vendore dhe ndërkombëtare.

“Protestat nuk janë kundër asnjë populli, por janë kundër diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve nga pushteti aktual. Këto protesta besoj se do të fitojnë në masovitet dhe do të kontribuojnë për zbardhjen e këtij rasti".

"Duke e ditur se janë dënuar dhe gjashtë qytetarë të tjerë, të cilët ishin të përfshirë në protestat e 4 korrikut, me burg maksimal për këtë vepër, me nga tre vjet burgim - kjo nuk është e rastit, sepse në rastin ‘Mostra’ janë gjashtë të dënuar dhe tani sërish dënohen dhe gjashtë shqiptarë të tjerë. Me këtë, pushteti aktual e ruan këtë shifër duke na përçuar një porosi se çka synon kjo qeveri dhe kjo përbërje aktuale e pushtetit”, ka theksuar Shaqiri duke shtuar:

"Duhet që t’i shpalosin dëshmitë, mbi të cilat janë gjykuar të burgosurit dhe në bazë të këtyre dëshmive edhe ne do të pranojmë vendimin. Ne, me këto protesta, synojmë demokratizimin e këtij shteti, ku të gjithë qytetarët do të gëzojnë të drejta të barabarta".

Nga ana tjetër, Bedri Ajdari, drejtues i Këshilli organizativ të protestave kundër rastit ”Monstra”, ka thënë se protestës së 1 gushtit i janë shtuar kërkesa të reja, të cilat është dashur t'i shpalosin para Qeverisë.

Mirëpo, edhe pse kjo protestë është paraqitur me procedurë të rregullt në polici, Ajdari ka bërë të ditur se protestuesit janë ndaluar nga forcat e rendit para qendrës tregtare “Mavrovasja”.

“Gjykata është nën diktatin e Qeverisë dhe po nën atë diktat vepron. Vendimet e gjykatës janë të njëanshme, kështu që ne e kishim patjetër që protestat t`i vazhdojmë para Qeverisë”, ka deklaruar vëllai i njërit nga të akuzuarit, Bedri Ajdari, njëherësh drejtues i Këshilli organizativ të protestave kundër rastit ”Monstra”.

Ajdari ka bërë të ditur se në pamundësi që këto kërkesa t`i shtrojnë para Qeverisë, do t`i bëjnë të njohura në një konferencë për shtyp, meqë, sipas tij, komunikimi me autoritetet qeveritare vetëm përmes mediave dhe moslejimi për të protestuar para Qeverisë së Maqedonisë, paraqet edhe një dëshmi për nivelin e ulët të demokracisë.

Ndryshe, protestuesit që të premten e një gushtit ishin në numër më të vogël, vazhdimisht kanë brohoritur “Bashkohuni me ne, se sot më ndodh mua, kurse nesër ty”, “Shteti Monstër”, "Drejtësi për të gjithë", "Marshi i lirisë", "Nuk jemi terroristë", "Stop komplotit ndaj UÇK-së", etj janë shpërndarë qetë duke paralajmëruar se edhe gjatë javës së ardhshme do të vazhdojnë protestat.

XS
SM
MD
LG