Ndërlidhjet

Furnizimi i fronteve në lindje të Ukrainës

  • RFE /RL

Pikë kontrolli e separatistëve pro-rusë

Pikë kontrolli e separatistëve pro-rusë

Nga: Aleksandra Vagner, Andrei Korolyov and Claire Bigg

Derisa luftimet vdekjeprurëse po vazhdojnë në lindje të Ukrainës, aktivistët në të dyja anët e konfliktit po rrisin përpjekjet e tyre që të sigurojnë pajisje, nevojat bazike dhe madje edhe numrin e luftëtarëve në front.

Në Ukrainë, dhjetëra grupe janë organizuar për të përkrahur ushtrinë, e cila ka probleme me buxhetin, në përpjekjet e tyre për të larguar rebelët pro-rusë në pjesën lindore të territorit.

Aktivistët janë duke mbledhur para për ushtrinë dhe Gardën Kombëtare, një forcë kjo që është e formuar nga rezervistët dhe vullnetarët, ndërsa kanë dërguar furnizime për trupat, shpesh duke rrezikuar jetën e tyre përgjatë këtij procesi ndihmues.

Derisa rebelët duket se janë duke marrë teknologji të avancuar ushtarake, nevojat e ushtrisë së Ukrainës janë duke evoluar në mënyrë të shpejtë.

"Natyra e luftimeve ka ndryshuar. Në fillim ne kishim nevojë për furnizime bazike si për shembull jelekë anti-plumb, helmeta, apo ujë të pijshëm, por ne jemi duke i tejkaluar këto gjëra".

"Ajo që kemi nevojë tani janë pajisjet e teknologjisë së lartë: pajisje për të parë gjatë natës, aeroplanë pa ekuipazh, sisteme të sigurta të radiove, transmetues radiosh, makina për të gjitha terrenet dhe gjëra të tjera si këto”, thotë Yuri Kasyanov, konrdinator i grupit vullnetar, “Army SOS”.

Mirëpo, grupi që ndoshta është i më njohur i vullnetarëve në Ukrainë, është “Wings Phoenix”, që ka 35 mijë ndjekës në faqen e tij në Facebook dhe që pretendon se deri më tash ka mbledhur mbi 850 mijë dollarë për forcat e armatosura të vendit.

Ndërkohë, edhe Ministria e Mbrojtjes e ka fushatën e saj të mbledhjes së fondeve.

Katër muaj pas thirrjes për donacione, raportohet se janë mbledhur mbi 11 milionë dollarë.

Nga kjo shumë, tre milionë janë mbledhur përmes fushatës “565”, e emërtuar sipas numrit të telefonit mobil, ku njerëzit përmes thirrjeve, sigurojnë donacion prej 50 centësh.

Ndërsa, kur është fjala për separatistët pro-rusë, fondet, pajisjet dhe origjina e luftëtarëve të tyre është ende e errët.

Perëndimi e akuzon Rusinë se po ofron furnizime, armatim, tanke, raketa për ta në lindje të Ukrainës.

Perëndimi, gjithashtu, e ka akuzuar Moskën se ka trajnuar separatistët.

Krahas këtyre akuzave, Kievi e ka hedhur dyshimin se Moska iu ka dhënë separatistëve sistem raketor për rrëzimin e aeroplanëve BUK, i cili besohet se është shkaktari i rrëzimit të aeroplanit malajzian, më 17 korrik.

Kremlini i ka hedhur poshtë këto akuza.

Grupe të ndryshme në tërë Rusinë, aktualisht, janë duke mbledhur, siç thonë vetë, ndihma humanitare për banorët e zonave të konflikteve, si p.sh. furnizime mjekësore, ushqime dhe rroba.

Në muajin maj, Partia Liberal-Demokrate e Rusisë, e cila ka deputetë në Parlamentin rus, e ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me përfaqësuesit e të ashtuquajturës Republika Popullore të Donjeckut, e cila është krijuar nga separatistët, për të blerë dhe dërguar ndihma humanitare në lindje të Ukrainës.

Kjo parti, megjithatë, është ndihmuar edhe me gjëra të tjera, jo vetëm batanije dhe aspirina.

Partia e ka dhënë një nga zyrat e saj në Moskë në dispozicion të separatistëve, të cilët prej hapjes së zyrës, po e shfrytëzojnë atë si qendër rekrutimi në Moskë. Zyra është e dyta e tillë pas asaj që është hapur në lindje të Ukrainës, në Sllovjansk.

Stafi në këtë qendër rekrutimi nuk ka pranuar të japë intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Por, kur një reporter i Radios Evropa e Lirë është paraqitur si vullnetar, i cili ka dëshirë t’iu bashkohet rebelëve në lindje të Ukrainës, ai është vënë në kontakt me Mikhailin, një nga personat koordinues, që vetën e përshkruan si “pika transite” për rekrutët rusë.

Mikhail është nga Shakhty, një qytezë ruse, 70 kilometra larg kufirit me Ukrainën.

Ai thotë se janë tri qendra të rekrutimit të separatistëve në Rusë, një në Moskë, një në Voronezh dhe një në Brijansk.

Mikhail i ka thënë reporterit të Radios Evropa e Lirë, që të udhëtojë për në Shakhty, dhe ta thërrasë atë kur të arrijë në këtë qytezë.

Atje, ai do të merret për vlerësimet preliminare.

“Ata kontrollojnë për të gjitha detajet. Ata kryejnë teste dhe më pas vendosin se ku do të dërgohen rekrutët, varësisht nga përvoja, aftësitë dhe mjeshtëritë”, thotë rekrutuesi rus, Mikhael.

Ai thotë se rekrutët e rinj dërgohen në grupe në Ukrainë, përmes një pike kontrolli standarde apo përmes kalimit ilegal të kufirit.

“Ka kanale të ndryshme, zyrtare dhe jozyrtare”, thotë Mikhael.

Me të arritur në lindje të Ukrainës, Mikhael thotë se rekrutëve iu jepen armë, iu sigurohet akomodim dhe ushqim pa pagesë për gjithë kohën sa është në shërbim.

Sipas këtij personi, racionet e pakta të ushtrisë ukrainase janë të zbehta në krahasim me ushqimet që i kanë separatistët.

"Ne kemi gjithçka që kemi nevojë atje. Askush nuk është ankuar deri më tash, askush nuk ka mbetur i uritur. Së fundi isha atje edhe vetë. Asnjëherë nuk kam ngrënë aq mirë në Moskë”, tregon Mikhael.(a.haraçia)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG