Ndërlidhjet

Gaza: Armëpushimi po respektohet, kërkohet qetësim i situatës


Armëpushimi ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës, që ka hyrë në fuqi sot në orën 8 të mëngjesit sipas kohës lokale, e që pritet të zgjasë 72 orë, është një përpjekje për arritjen e marrëveshjes më të gjerë për armëpushim të qëndrueshëm dhe për rindërtim të territorit të shkatërruar bregdetar.

Për këtë armëpushim, që është ndërmjetësuar nga Egjipti, janë pajtuar të dy palët dhe ai i ka ndalur luftimet, që zgjatën pothuajse një muaj.

Sami Abu Zuhri, zëdhënësi i lëvizjes Hamas, që e qeverisë Rripin e Gazës, tha se ky armëpushim pranohet dhe se në Egjipt do të ketë bisedime indirekte.

“Hamasi i ka informuar egjiptianët se pajtohet për armëpushimin 72 orësh. Forcat okupuese izraelite duhet të tërhiqen jashtë kufijve të Gazës. Sipas marrëveshjes, pjesëtarët e delegacionit palestinez do të udhëtojnë për në Kajro. Atje do të ketë negociata indirekte, me ndërmjetësimin egjiptian. Këto negociata do të mbështeten në kushtet palestineze, që i janë paraqitur ministrit të inteligjencës së Egjiptit”, tha Sami Abu Zuhri.

Izraeli i ka tërhequr forcat e veta tokësore jashtë Rripit të Gazës, para se armëpushimi të hynte në fuqi, ndërsa një zëdhënës ushtarak izraelit tha se qëllimi kryesor për shkatërrimin e tuneleve për depërtim nga Rripi i Gazës në territorin e Izraelit, është arritur. Janë shkatërruar 32 tunele të këtilla.

Qeveria e Izraelit, po ashtu, e ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes për armëpushim.

Mark Regev, zëdhënës i kryeministrit Benjamin Netanyahu, megjithatë theksoi se nëse Hamasi e shkel armëpushimin, atëherë Izraeli do të përgjigjet.

“Izraeli do ta respektoj armëpushimin ashtu siç është arritur pajtueshmëria, e ndërmjetësuar nga egjiptianët. Ne do ta shikojmë Hamasin për së afërti. Hamasi, gjatë tri javëve të kaluara, e ka sistemin e shkeljes së qëllimshme të armëpushimit. Nëse Hamasi e shkel armëpushimin, Izraeli është i gatshëm të përgjigjet”, i tha Mark Regev agjencisë Reuters.

Armëpushimi është mbështetur nga Departamenti amerikan i shtetit, që ka kërkuar nga të gjitha palët “ta respektojnë atë në mënyrë komplete”.

Zëdhënësja Jen Psaki, ka theksuar se Uashingtoni do t’i vazhdojë përpjekjet e veta për t’i ndihmuar palët për arritjen e “zgjidhjes së qëndrueshme për një periudhë afatgjatë”.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, poashtu, e ka mirëpritur armëpushimin 72 orësh dhe ka kërkuar “përfundim të menjëhershëm të humbjes së jetëve të njerëzve”.

Në një kumtesë të zyrës së saj thuhet se “ne i lavdërojmë të gjitha përpjekjet, e veçanërisht ato të Egjiptit, për ndërmjetësim të kësaj marrëveshjeje dhe shpresojmë se kjo do të zgjerohet në një armëpushim më të gjatë”.

Gjatë këtij konflikti janë vrarë 1,834 palestinezë, shumica prej tyre civilë, thonë zyrtarët në Gazë.

Izraeli thotë se 64 ushtarë të tij dhe tre civilë janë vrarë, prej 8 korrikut, kur ka filluar konflikti.

Në Rripin e Gazës, ku afro 500 mijë njerëz ishin zhvendosur për shkak të luftimeve të ashpra, disa banorë, me dyshekë dhe me fëmijë në rimokrio, janë larguar nga strehimorja e Kombeve të Bashkuara për tu kthyer në lagjet ku kanë banuar. Ka raporte se blloqe të tëra të banesave janë shkatërruar.

Banori i vendbanimit Beit Lahiya, Zuhar Hjaila, 33 vjeçar, i ulur në gërmadha tha se e ka humbur shtëpinë dhe vetëshërbimin e tij.

“Ky është shkatërrim komplet”, tha ky person, baba i katër fëmijëve, dhe shtoi se “kurrë nuk kam menduar se do të kthehem prapa për ta gjetur një zonë të tërmetit”, raporton agjencia Reuters.

Bisedimet në Kajro gjatë ditëve të ardhshme kanë rëndësi madhore.

Para se të hynte në fuqi armëpushimi, kishte shenja se tensionet e krijuara nga luftimet në Gazë kishin reflektim në Jerusalem dhe Bregun Perëndimor, me dy sulme atje. Policia tha se këto sulme ishin kryer nga militantët palestinezë.

Megjithatë, edhe më parë ka pasur shpallje të disa armëpushimeve, por ato nuk kishin zgjatur aq sa parashikohej, për shkak se të dy palët e refuzojnë legjitimitetin e njëra-tjetrës.

Hamasi nuk e pranon ekzistimin e Izraelit dhe synon shkatërrimin e tij, ndërsa Izraeli e denoncon Hamasin si grup terrorist dhe qëllimshëm i shmanget çfarëdo kontakti.(f.bujupi)

XS
SM
MD
LG