Ndërlidhjet

Rasmussen: NATO-ja na duhet më tepër se kurrë


Anders Fogh Rasmussen
Anders Fogh Rasmussen

Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ka ndikuar në disa që t’i bëjnë thirrje NATO-s për të qenë më mirë e përgatitur për t’i kundërshtuar sulmet e tilla të befasishme, shkruan sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, në fillim të artikullit të tij në të përditshmen londineze, Financial Times.

Ai thekson se plotësisht pajtohet me këtë thirrje dhe se nga fillimi këtë krizë e ka përshkruar si ftesë për zgjim për aleancën dhe për të gjithë ata që janë të përkushtuar për Evropën, e cila është e pandarë, e lirë dhe në paqe.

Derisa kriza vazhdon të zhvillohet, disa e kanë akuzuar NATO-n se është shumë e vetëkënaqur, ose shumë luftëdashëse. Asnjëra prej këtyre dy përshkrimeve nuk është e vërtetë, shkruan Rasmussen dhe shpjegon se NATO-ja vazhdon ta bëjë punën e vet për t’i mbajtur aleatët e sigurt. Por, është e qartë se mund të bëhet shunë më tepër dhe kjo duhet të bëhet.

Tash, kur ne ballafaqohemi me sfidën më të madhe prej përfundimit të Luftës së Ftoftë, pres që të gjithë aleatët të bëjnë më tepër për sigurinë tonë të përbashkët, shkruan Rasmussen në Financial Times.

Çdoherë, prej shkatërrimit të komunizmit, NATO-ja ka bërë përpjekje për angazhim me Moskën, duke ofruar më shumë bashkëpunim në më tepër çështje se sa me çdo vend tjetër, që nuk është anëtar i NATO-s, dhe ka ecur kah një partneritet strategjik.

Por, përgjigja e Rusisë ishte thyerja e rregullave, me nxitjen e konfliktit në Moldavi, Gjeorgji dhe Ukrainë, dhe duke bërë sfida ndaj rregullit ndërkombëtar që bazohet në parime.

Separatistët e mbështetur nga Rusia ishin të ndërlidhur me humbjen tragjike të Aeroplanit të Malajzisë, MH17.

Ky model i sjelljes e ka bërë botën tonë më të rrezikshme dhe vend më të paparashikueshëm.

NATO-ja me shpejtësi ka reaguar ndaj përpjekjes ilegale dhe të paligjshme për aneksimin e Krimesë, duke e pezulluar gjithë bashkëpunimin praktik me Rusinë, por duke i mbajtur të hapura kanalet diplomatike të dialogut.

Ne e kemi rritur bashkëpunimin tonë me Ukrainën, shkruan Rasmussen në Financial Times, dhe i përshkruan masat e menjëhershme për forcimin e gatishmërisë së aleancës me më tepër anije në det, më tepër aeroplanë në ajër dhe me më tepër ushtrime në tokë.

Larg nga ajo që të qëndrojnë pasivë, aleatët e NATO-s kanë më tepër se prani të dyfishtë të aeroplanëve luftarakë mbi shtetet baltike dhe fluturime vëzhguese mbi Poloni dhe Rumani.

Aleanca, ka vendosur më tepër anije në Detin e Zi dhe në Detin Baltik dhe e mbanë një varg ushtrimesh në rajon.

Të 28 aleatët po kontribuojnë për riforcimin e mbrojtjes kolektive, duke sinjalizuar përkushtimin dhe unitetin e NATO-s.

Por, riparaqitja e Rusisë nuk është sfida e vetme e NATO-s, shkruan Rasmussen në Financial Times, duke shpjeguar se aktualisht aleanca ballafaqohet me krizat prej Afrikës Veriore e deri në Lindjen e Mesme dhe Kaukaz.

Pra, prej mbrojtjes raketore, te kapacitetet vëzhguese e deri te stërvitjet e përbashkëta, aleatët e NATO-s po punojnë shumë për të siguruar atë që na duhet ndaj sfidave të shekullit të 21 dhe për ta mbajtur aleancën ushtarake më të fuqishme, që bota ndonjëherë e ka njohur.

Kur ne themi mbrojtja e NATO-s është “një për të gjithë, të gjithë për një”, ne e respektojmë këtë.

Ne dëshirojmë që ta fuqizojmë forcën tonë shumëkombëshe, që është e paraparë për përgjigje të shpejtë ndaj çdo krize, kudo që ndodhë.

Por, për të qenë të gatshëm për këtë, kërkohen burime dhe vullnet i fortë politik. Gjatë pesë viteve të kaluara, aleatët e NATO-s i kanë shkurtuar buxhetet e tyre për mbrojtje mesatarisht për 20%.

Rusia e ka rritur buxhetin e saj të mbrojtjes për 50%.

Derisa Shtetet e Bashkuara dhe disa aleatë evropianë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, kanë investuar në mënyrë domethënëse në modernizimin e forcave të tyre, të tjerët duhet të bëjnë më tepër, shkruan Anders Fogh Rasmussen në të përditshmen Financial Times, duke e shfaqur shpresën se samiti i ardhshëm i NATO-s në Uels, pas një muaji, do të tregoj se aleanca është e përgatitur për të investuar më tepër për ta mbajtur mbrojtjen e vet të fuqishme.

Aksionet e Rusisë nuk mund të injorohen. Rendi botëror pas Luftës së Ftohtë është në rrezik. Prandaj, NATO-ja na duhet më tepër se kurrë, shkruan në fund të artikullit të tij të gjatë, Anders Fogh Rasmussen në Financial Times.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG