Ndërlidhjet

Maqedoni: Administrata më joshëse, pavarësisht pagës


Të rinjtë në Maqedoni më shumë preferojnë të gjejnë një punë në institucionet shtetërore edhe kundrejt asaj se rroga në administratë mund të jetë shumë më e vogël krahasuar me sektorin privat.

Zoran Ilievski, nga Koalicioni i të rinjve SEGA, thotë se gjeneratat më të reja pasi kryejnë studimet nuk janë të përgatitur për rregullat e reja që imponon tregu i punës, e para atyre u mungojnë njohuritë si dhe aftësitë e nevojshme, dhe e dyta, u mungon dhe vullneti për të mësuar gjatë punës.

“Të rinjtë në Maqedoni kur përcaktohen për një vend pune në institucionet shtetërore, fillimisht nisen nga ideja për të siguruar një pagë të sigurt, e cila do të zgjidh çështjen e ekzistencës deri në fund të jetës, dhe e dyta është fakti se në administratë përgjegjësia e cila kërkohet nga të punësuarit është shumë më e vogël krahasuar me sektorin privat”, nënvizon Ilievski.

Nga ana tjetër, Hasan Jashari, sociolog, vlerëson se më problematike është logjika e imponuar kohën e fundit me atë që të punësuarit në administratë nënkuptohet, si rrogë e sigurt që duhet ta marrin të rinjtë e punësuar nga shteti, si shpërblim për militantizmin partiak.

“Po shteti çdo herë ka qenë një pagues i mirë dhe shtetit në momentin që i duhen mjete, mbledh nga popullata, mbledh nga tatimet, mbledh nga politika e ndryshme fiskale. Njëkohësisht, puna e shtetit shihet si punë që në njëfarë forme është e garantuar për tërë jetën".

"Ajo që ishte në socializëm, sigurimi i një vendi të punës do të thoshte siguri tani e njëjta gjë pothuajse vlen edhe për administratën publike. Gjersa, në sektorin privat kërkohet më shumë kontroll, përgjegjësi dhe kualitet dhe për punëdhënësi të mban në punë për aq kohë sa je i dobishëm, rregulla këto që ende nuk vlejnë në sektorin shtetëror”, nënvizon Jashari.

Nga ana tjetër, Zoran Ilievski thekson se grupmoshat më të reja shumë pak mendojnë për ngritjen e tyre profesionale gjatë procesit të punës, ambiciet e tyre shuhen si pasojë e mungesës së funksionimit të mirëfilltë të sistemit meritor.

Sipas tij, e ashtu quajtura “përkëdhelje” politike shihet si garanci më e sigurt për t'u dëshmuar si i suksesshëm në një profesion të caktuar.

“Për fat të keq nga hulumtimi ynë që kemi realizuar del në pah se energjia të cilën e posedojnë grupmoshat më të reja, mendoj potenciali dhe idetë në vend se të marrin hov, ata ngrijnë duke u përcaktuar për punë në sektorin shtetëror, meqë aty fjalën e fundit e ka politika dhe jo meritat”, nënvizon Ilievski.

Ndëkohë, që disa vite me radhë në raportin e progresit të Komisionit Evropian, Maqedonia kritikohet për numrin e madh të të punësuarve në administratën shtetërore, e cila është cilësuar si joprofesionale dhe me efikasitet të dobët, kur bëhet fjalë për shërbimin e qytetarëve.

XS
SM
MD
LG