Ndërlidhjet

Instituti Onkologjik rrezikon licencën


Për ta licencuar Institutin Onkologjik, i cili funksionon në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, janë kërkuar dokumentacione voluminoze nga Agjencia e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së kryeministrit, në mënyrë që të licencohet.

Këtij instituti, edhe pse i janë bërë të gjitha analizat nga Agjensioni Evropian për Energji Bërthamore, dhe i është lejuar puna qysh para dy vjetësh, kjo e fundit po kërkon dokumentacion shtesë.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë për Rrezatim, Ferki Fejza, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se për licencimin e këtij instituti u janë kërkuar dokumentacione të shumta, gjë që deri më tash ky institut nuk i ka kompletuar.

"Ne jemi në proces të procedurave për licencim, për dy operatorë të radioterapisë, ku është edhe Instituti Onkologjik. Ky institut ka aplikuar për licencim por nuk i kanë sjellë të gjitha dokumentet që i janë kërkuar. Unë nuk besoj që nuk do t'i plotësojnë kriteret".

"Ne jemi të vetëdijshëm që ky institut, në bazë të informatave që i kemi, i plotëson kriteret, por që ne nuk mund të prejudikojmë pa i pasur dokumentet zyrtare. Por kur bëhet fjalë për Institutin Onkologjik si institucion më i ndjeshëm, duhet një dokumentacion më voluminoz dhe një angazhim i dyanshëm", shprehet Fejza.

Ndryshe, në Institutin Onkologjik, prej kur ka filluar të aplikohet radioterapia, trajtim mjekësor aty kanë marrë rreth 8 mijë pacientë.

Behxhet Osmani, ushtrues detyre i drejtorit në Institutin Onkologjik, ka bërë të ditur se janë në përfundim të kompletimit të dokumenteve të kërkuara nga Agjencia për rrezatim, por që sipas zotit Osmani, puna aty nuk duhet ndalet, për shkak të nevojës së madhe të pacientëve.

"Ne kemi bërë kërkesën përmes Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë, të na japin lejen që të punojmë. Është viti i dytë që punojmë pa ndërprerë. Ne me miliona euro kemi ruajtur buxhetin e Kosovës që të mos trajtohen pacientët jashtë vendit".

"Agjencia tek para një kohe të shkurtë, dy javë ndoshta, na e ka kthyer përgjigjen se ende kërkojnë dokumentacion shtesë në mënyrë që të na licencojnë. Ne jemi duke i kompletuar dhe do t'i dërgojmë. Analizat dhe matjen për arsyeshmërinë e punës në radioterapi, i ka bërë edhe Agjensioni Evropian për Energji Bërthamore, dhe kanë thënë që gjithçka është në rregull", bën të ditur Osmani.

Në anën tjetër, zoti Fejza shton se arsyeja e kërkimit të dokumenteve shtesë është bërë për qëllim të mbrojtjes së shëndetit, sidomos të stafit shëndetësor që punon aty.

"Për qytetarë nuk ka rrezik rrezatimi, por qëllimi është të mbrohet stafi shëndetësor dhe e dyta, në bazë të protokolleve dhe direktivave evropiane që rregullojnë këtë fushë, duhet të ketë edhe kualifikim të stafit, të jenë në nivelin e kërkuar në mënyrë që rrezatimi të bëhet drejt ashtu siç duhet", shprehet Fejza.

Por, Behxhet Ormani thotë se problemi qëndron edhe te stafi jo i kompletuar, gjë e cila është kërkesë që të licencohet Instituti Onkologjik.

"Ne jemi në përfundim të kompletimit. Kemi mbet me fizikantë dhe onkologë të shohim se çka do të mund të bëjmë, pasi që një ekspert të fizikës mjekësore që po e kërkojnë ata, ne nuk kemi të specializuar një të tillë", thotë ai.

Institutin Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, gjatë ditës ndihmë mjekësore kërkojnë rreth 180 pacientë. Gjatë vitit 2013 kanë qenë rreth 750 raste të reja me sëmundjen e kancerit.

Sidoqoftë, një shumë prej më tepër se 5 milionë eurosh në vit, ndahen nga Ministria e Shëndetësisë për citostatikë, barna këto që shërbejnë për trajtimi ne të prekurve me kancer.

XS
SM
MD
LG