Ndërlidhjet

Përpjekjet integruese në veri të Mitrovicës


Veri...
Veri...

Zyra administrative e Qeverisë së Kosovës në veri të Mitrovicës do të përfshihet në kuadër të komunës së Mitrovicës Veriore, thonë zyrtarët në këtë pjesë të qytetit.

Qeveria e Kosovës në maj të vitit 2012 ka formuar zyrën administrative për të ofruar shërbime të caktuara për banorët e veriut dhe për t’ua mundësuar atyre qasjen në shërbimet komunale.

Shefja e Zyrës Administrative në veri, Adriana Hoxhiq, në një deklaratë dhënë për Radion Evropa e Lirë, thekson se kjo zyrë në fakt për synim ka pasur krijimin e kushteve për themelimin e komunës së re të Mitrovicës së Veriut.

Hoxhiq është e bindur se i gjithë personeli i kësaj zyre, 55 syresh, do të bartet tani në komunën e Mitrovicës Veriore.

"Që kryetari i komunës të jetë operativ, ai duhet të ketë një ekip të vetin. I vetmi personel me të cilin kryetari i ri i komunës mund të bashkëpunojë dhe mbi të cilin ka autoritet, është personeli i angazhuar në zyrën administrative për veriun e Mitrovicës. Zyra administrative dhe personeli që punon këtu tashmë edhe sillet si institucion komunal, i cili besoj se në të ardhmen, mbase në vitin 2015, atëherë kur edhe mund të llogarisim në një fond më të madh, do të mund të zgjerohet”, tha Hoxhiq.

"Në veri ende ekziston komuna serbe e cila funksionon. Me zgjedhjet vendore qytetarët janë pajtuar për integrimin e institucioneve në sistemin e Kosovës dhe unë pajtohem plotësisht me qasjen që ka kryetari Rakiq i komunës për Mitrovicën veriore, që me forca të përbashkëta të bëjmë përpjekje që me buxhetin e propozuar, të mos vijmë në një situatë që kushdo nga komuna të humbasë vendin e punës”, tha ajo.

Në këtë zyrë punojnë 30 serbë, 15 shqiptarë, 7 boshnjakë, 2 turq dhe 1 pjesëtar i komunitetit goran.

Njohës të zhvillimeve politike, theksojnë se eksiston një plan i tillë që zyra administrative e komunës veriore të bashkohet administrativisht me ndërtesën e komunës veriore paraqet një përpjekje për integrimin e veriut të Mitrovicës me pjesën tjetër të Kosovës.

Por sipas, Shpend Kursani njohës i zhvillimeve politike ky transferim duhet të shikohet se në bazë të cilave konditave do të bëhet.

“Pa marrë parasysh nëse zyrtarët qeveritarë e quajnë këtë si bashkim i dy ndërtesave administrative të ndara kjo më shumë është shpërbërje e zyrës administrative e cila në fakt ka qenë e përkohshme e cila ka punuar paralelisht me komunën paralele të Mitrovicës së veriut".

"Nëse kjo shpërbëhet në atë të veriut atëherë do të kemi një situatë tjetër ku komplet kompetencat e zyrës administrative që kanë qenë dirket nën kontroll të Qeverisë së Kosovës do të transferohen në komunën e veriut, e cila është më pak nën kontroll të Qeverisë së Kosovës”, thekson Kursani,

Sipas tij, në katër komunat veriore të Kosovës, Qeveria e Kosovës ka më pak kontroll dhe se këto katër komuna të banuara me shumicë serbe janë të lidhur me shumë me Serbinë sesa me Kosovën, edhe pse juridikisht e ato kanë pranuar të jenë nën administrimin e Kosovës.

Sidoqoftë, kryetari i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, ndonëse vlerëson se zyrën administrative e kanë formuar, siç thotë, “institucionet e përkohshme në Prishtinë”, thekson se kjo zyrë do të mbetet funksionale si zgjidhje kalimtare, deri në marrjen e plotë të përgjegjësive nga kryetari i ri i komunës.

“Bashkëpunimi ndërmjet zyrës administrative dhe kryetarit të Mitrovicës së Veriut, mund të them se është në nivel të lakmueshëm. Kjo zyrë edhe më tutje do të funksionojë si një periudhë kalimtare, derisa të mos krijohen kushtet për fillimin e punës së komunës së re të Mitrovicës së veriut”, thotë Rakiq për Radion Evropa e Lirë, duke rikujtuar se komuna ende nuk e ka as objektin e vet.

Njëkohësisht, thotë ai, do të bëhen përpjekje që asnjë punonjës të mos e humb vendin e punës.

Megjithëse formimi i kësaj zyreje qe pritur jo edhe aq mirë nga disa përfaqësues të komuniteti serb që jeton në veri të Kosovës, Hoxhiq thotë se kjo zyrë e Qeverisë së Kosovës nuk ka hasur në bojkotim nga ana e qytetarëve të zakonshëm.

“Shërbime, këshillime, ndihmë nuk kanë kërkuar vetëm qytetarët e Mitrovicës së veriut, por edhe të Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe ka njerëz që edhe sot e kësaj dite vijnë dhe kërkojnë ndonjë formë ndihme, këshillimesh ligjore nga ana e personelit që punon në këtë zyrë. Është e vërtetë se karshi zyrës administrative ka pasur një revoltë të grupacioneve të caktuara njerëzish, të cilët unë besoj se për qëllim kanë pasur të pengojnë punën e institucioneve të Kosovës ne veri. Por, këta janë ata njerëz që kanë dashur ta mbajnë status-quonë në terren”, thotë Hoxhiq.

Zgjedhjet vendore në Mitrovicën e Veriut janë mbajtur më 17 nëntor të vitit të kaluar, pasi që ato të parapara të mbahen më 3 nëntor ishin ndërprerë pas sulmit që persona të maskuar kishin bërë në disa qendra votimi duke thyer kutitë dhe duke dëmtuar materialin zgjedhor.

Mbajtja e këtyre zgjedhjeve edhe në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të vendit ishte vendim i marrë gjatë bisedimeve Prishtinë – Beograd, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

XS
SM
MD
LG