Ndërlidhjet

Obama autorizon sulme ajrore në Irak

  • RFE /RL

Presidenti amerikan, Barack Obama ka thënë se ai ka autorizuar ushtrinë që të kryej sulme ajrore në Irak kundër militantëve islamik, nëse është e nevojshme që të mbrohet personeli diplomatik dhe ushtarak në qytetin verior të Irbilit.

Obama ka shtuar se SHBA-të do të mund të “veprojnë me kujdes dhe me përgjegjësi që të evitojmë një gjenocid potencial”, në referencë të mijëra Jezidive të ngujuar nga militantët e Shtetit Islamik.

"Kam autorizuar dy operacione në Irak, sulme ajrore për të mbrojtur personelin amerikan dhe një përpjekje humanitare për të ndihmuar në shpëtimin e mijëra jetërave irakiane që janë bllokuar në mal pa ushqime dhe ujë, dhe duke u përballur pothuajse me vdekje të sigurtë”, ka thënë presidenti amerikan

"Për të ndaluar avancimin drejt Irbilit, kryeqytetit kurd, e kam udhëzuar ushtrinë tonë që të ndërmerr sulme kundër konvojeve të terroristëve të ISIL-it, nëse ata lëvizin drejt qytetit”, ka sqaruar më tej vendimin e tij, presidenti Obama.

Obama megjithatë ka thënë se ai nuk do të lejojë që SHBA-të të përfshihen në luftime në një konflikt tjetër në Irak.

“E di që shumë nga ju jeni të shqetësuar nga çfarëdo përfshirje ushtarake amerikane në Irak, edhe nëse është fjala për sulme të kufizuara si këto që kam autorizuar. E kuptoj këtë. Unë nga kjo zyrë i kam dhënë fund misionit tonë ushtarak atje dhe i kam mirëpritur trupat tanë kur janë kthyer nga atje".

"Si komandant suprem, unë nuk do të lejoj që SHBA-të të tërhiqet për tu bërë pjesë e një lufte tjetër në Irak. Pra, derisa ne përkrahim irakianët në përballje me këta terroristëm, trupat luftarake amerikane nuk do të kthehen në Irak për të luftuar”, ka thënë Presidenti Obama.

Ndërkohë aeroplanët amerikanë tashmë kanë filluar të dërgojnë ndihma humanitare përmes ajrit për pjesëtarët e komunitetit Jezidi në malin Sinjar, i cili është i rrethuar nga luftëtarët e Shtetit islamik.

Mijëra pjesëtarë të këtij komuniteti dhe pjesëtarë të komunitetit të krishterë, janë larguar nga shtëpitë e tyre derisa forcat e Shtetit Islamik kanë avancuar duke marrë territore të reja nën kontroll.

Pjesëtarët e minoriteteve fetare janë përballur me ultimatumin e Shtetit Islamik që do të vriten nëse nuk pranojnë të konvertohen në myslimanë.

Gratë e krishtera kanë deklaruar se sulmet me raketa të militantëve kanë vrarë fëmijë, ndërsa situata është shumë e rëndë.

"Një raketë ra dhe vrau disa njerëz. Sulmi vrau katër apo pesë fëmijë dhe një vajzë të re në Qaraqosh. Për këtë arsye ne u larguam nga aty. Situata nuk është e mirë”, thotë Shaba e cila thotë se është irakiane e krishterë.

"Rajoni më i sigurt për ne është Kurdistani. Por, tani, të gjithë pjesëtarët e komunitetit tonë duan një zgjidhje kolektive. Ata duhet të gjejnë një zgjidhje për ne. Edhe nëse ata (militantët) largohen nga rajoni i jonë dhe më pas tërhiqen edhe forcat e armatosura, në nuk mund të shkojmë atje sepse frika ka kapluar zemrat tona. Për këtë arsye, ata duhet të gjejnë një zgjidhje kolektive, diçka si emigrim kolektiv apo ndonjë zgjidhje tjetër”, ka thënë gruaja tjetër e krishterë, Jorjina.

Tre aeroplanë amerikanë, të shoqëruar nga aeroplanë luftarak, kanë lëshuar 72 pako me ndihma për Jeziditë mëngjesin e sotëm, përfshirë edhe mijëra litra ujë dhe ushqime të gatshme.

Vlerësohet se në kryeqytetin e rajonit kurd të Irakut, Irbil, gjenden dhjetëra këshilltarë ushtarak amerikan.

Rajoni kurd në Irak ka 1.5 milionë banorë.

SHBA e kanë të hapur një konsullatë në Irbil dhe një qendër të operacioneve ushtarake që ishte krijuar gjatë këtij viti për të ndihmuar ushtrinë irakiane.

Obama ka mbajtur takime të gjata me ekipin e tij të sigurisë më 7 gusht, për të diskutuar situatën në Irak.

Në Nju Jork, Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka lëshuar një deklaratë ku dënon sulmet e militantëve të Shtetit Islamik dhe i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndihmojë popullin dhe qeverinë e Irakut.

Këshilli është takuar për një seancë të jashtëzakonshme, i mbajtur me dyer të mbyllura, për të adresuar situatën e rëndë humanitare në veri të Irakut i shkaktuar pas avancimit të Shtetit Islamik, që përfshinë edhe okupimin e qytetit të madh të krishterë, Qaraqosh.

Shteti Islamik ka thënë se ka arritur të marrë edhe pendën më të madhe të Irakut, atë në Mosul, por zyrtarët kurdë kanë thënë se penda është ende nën kontrollin e tyre.

Ushtria amerikane është tërhequr nga Iraku në vitin 2011, pas një pranie gati 10 vjeçare.

Washingtoni kishte ofruar mundësinë për të mbajtur një prani ushtarake në Irak, por zyrtarët e këtij shteti nuk e kanë pranuar kushtin amerikan që pjesëtarë e ushtrisë amerikane të kenë imunitet.(a.haraqija)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG