Ndërlidhjet

Maqedoni: Politika dhe raportet ndëretnike


Shkup

Shkup

Diskriminimi në baza etnike ka filluar të shënoj ulje periudhën e fundit në Maqedoni, edhe pse mbetet ende shumë për të punuar për arritjen e qëllimit kryesor, zhdukjen e kësaj dukurie të pranishme tani një kohë të gjatë në vend, e që në periudha të caktuara ka marrw edhe përmasa shqetësuese.

Kështu thuhet në një hulumtim të realizuar nga qendra maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar, e cila me aktivitetet e saj merret kryesisht me çështje të ndër-etnicitetit.

Drejtori ekzekutiv i qendrës, Aleksandar Krzhallovski, thotë se institucionet e sistemit duhet të punojnë në zgjidhjen e problemeve të bashkësive etnike, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të rritet besimi i qytetarëve ndaj shtetit.

“Mendoj se kjo është çështja kryesore, institucionet duhet të veprojnë në zgjidhjen e problemeve dhe me këtë të forcojnë besimin ndaj shtetit, pa marr parasysh se për cilin etnitet bëhet fjalë. Të gjitha rastet duhet të trajtohen në mënyrë të pavarur, pavarësisht nëse bëhet fjalë për procese gjyqësore, apo raste tjera, ku në pyetje janë bashkësi të ndryshme etnike“, thotë Krzhallovski.

Sipas hulumtimit të realizuar nga qendra që si drejton, diskriminimi politik në shtet është më u madh se diskriminimi në baza etnike.

Edhe pse kjo sipas tij është sinjal për rritjen e tolerancës ndëretnike, megjithatë incidentet vazhdojnë të jenë të pranishme. Andaj, sipas tij, me rëndësi të madhe është sjellja e partive politike, mesazhet që ato përçojnë në drejtim të uljes së tensioneve etnike.

“Incidente të tilla ka gjithmonë, por mendoj se ato janë më të rralla, kurse sa i përket partive, mendoj se ato i dënojnë aktet e tilla dhe duhet të vazhdojnë që edhe në të ardhmen të punojnë në parandalimin e incidenteve“, thotë Krzhallovski.

Por, ndryshe nga ai mendon Xhelal Neziri, komunikolog dhe njohës i zhvillimeve politike dhe të ndër-etnicitetit. Ai thotë se nuk qëndrojnë pohimet për uljen e diskriminimit etnik ndërsa përmend rastin e fundit “Monstra“, që sipas tij dëshmon se kjo dukuri jo që nuk është ulur, por përkundrazi po merr përmasa gjithnjë e më shqetësuese.

“Këto marrëdhënie kanë ardhur në pikën e vlimit sa që edhe një proces i gjyqësor, apo një vrasje aksidentale që mund të ndodhë kudo në botë, në Maqedoni po shndërrohet në pretekst për tensione ndëretnike“, thotë Neziri.

Ai vlerëson se partitë mund të ndikojnë në uljen e tensioneve, por ato nuk e bëjnë një gjë të tillë pasi pikësisht ngjarjet e këtilla në planin ndëretnik atyre u sjellin pikë politike.

“Çështjet ndëretnike në Maqedoni në vazhdimësi janë keqpërdorur nga ana e partive politike, të cilat duke i shfrytëzuar dhe duke i nxitur marrëdhëniet ndëretnike ato kanë arritur të mobilizojnë më shumë votues dhe të mënjanojnë nga tema e debatit, temat të cilat kanë të bëjnë me jetën e përditshme të qytetarit“, thotë Neziri.

Tensionet ndëretnike së fundi janë ngritur për rastin e gjykimit me burgim të përjetshëm të gjashtë shqiptarëve të shpallur fajtor për vrasjen e pesë të rinjve maqedonas dy vite më parë.

Por, gjykimi ndaj tyre është vlerësuar i montuar si nga pala mbrojtëse ashtu edhe nga faktor tjerë politik dhe të sektorit civil, të cilët vlerësojnë se vrasësit e vërtetë ndodhen në liri dhe se nuk janë të përkatësisë etnike shqiptare.

Gjykimi i tyre tani një kohë të gjatë ka nxitur protesta në Shkup dhe qytete tjera të banuara me shqiptar.

XS
SM
MD
LG