Ndërlidhjet

Shah: Betejë e ashpër e Rusisë kundër Kasparovit


 Garry Kasparov
Garry Kasparov

Legjenda e shahut dhe ish-kampioni botëror, Garry Kasparov, njëherësh kritik i ashpër i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, është zënë në një betejë të ashpër për postin e kryetarit të Federatës Ndërkombëtare të Shahut (FIDE), pasi qeveria e Rusisë me diplomatët e vet në gjithë botën, është duke zhvilluar një fushatë kundër zgjedhjes së tij në këtë post.

Për afro një dekadë, legjenda e shahut, Garry Kasparov, është përpjekur për ta mobilizuar opozitën vendëse dhe globale kundër presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Tash, kur ai si ish-kampion botëror, synon të zgjedhet në postin e shefit të FIDE-s, Kremlini e ka gjetur momentin për ta sulmuar.

Qeveria e Rusisë i ka shfrytëzuar muskujt diplomatikë të saj për të lobuar kundër Kasparovit, për zgjedhjet që mbahen më 11 gusht në Tromso të Norvegjisë.

Ambasadat ruse në gjithë botën i kanë kontaktuar federatat kombëtare të shahut për të kërkuar që të mos e mbështesin Kasparovin, por rivalin e tij, Kirsan Ilumzhinov, ish-shef rajonal në Rusi, i cili është president i FIDE-s tash e19 vite.

Pete Morriss është kryetar i Federatës së Shahut të Irlandës. Ai e shpjegon një thirrje telefonike të papritur:

“Kur u përgjigja në telefon mendova se ishte shaka, ide e ndokujt për tallje, pasi normalisht unë nuk marrë thirrje telefonike nga Ambasada e Rusisë. Por, doli se ishte reale”, thotë Morriss.

Ai shpjegoi se nga Ambasada e Rusisë u tha se do të preferohej nëse zoti Ilumzhinov do të zgjidhej për president të FIDE-s.

Morris është shef i njërës prej federatave të shumta perëndimore të shahut që e mbështet Kasparovin, 52 vjeçar, në një fushatë të ashër, në të cilën të dy palët e kanë akuzuar njëra-tjetrën për keqpërdorim, korrupsion dhe mashtrime të pista.

Por, njohësit e shahut thonë se do të jetë vështirë t’i shkaktohet disfatë presidentit aktual të FIDE-s, 52 vjeçarit Kirsan Ilumzhinov, për shkak se atë e mbështet presidenca ruse për afro dy dekada, me ç’rast ka krijuar mbështetje në mesin e 181 vendeve anëtare të Federatës Ndërkombëtare të Shahut.

Nigel Short, është kryemjeshtër anglez i shahut dhe delegat në FIDE.

Ai është shprehur fuqishëm në mbështetje për Kasparovin.

“Atë që e kamë parë unë në disa vende ku ishte Kasaprovi, ai ka krijuar entuziazëm dhe publicitet të jashtëzakonshëm dhe është treguar atraktiv për sponzorët”, i tha Nigel Short, Radios Evropa e Lirë.

Por, duket se nuk është befasi që qeveria e Rusisë përpiqet ta shfrytëzojë ndikimin e saj për ta penguar Kasparovin në synimin e tij për tu bërë president i FIDE-s.

Ish-kampioni botëror, Garry Kasparov, para se gjithash, ishte ndër kritikët më të zëshëm dhe të pamëshirshëm të Putinit, prej se u tërhoq nga shahu aktiv në vitin 2005, dhe e filloj aktivitetin e tij në politikën ruse për ta shkarkuar Putinin, por pa sukses.

Pos kësaj, Rusia mbetet superfuqi e shahut ndërsa zyrtarët e lartë qeveritarë e kanë mbikëqyrë Federatën Kombëtare të Shahut në Rusi gjatë një dekade të kaluar.

Në muajin qershor vetë presidenti Putin u paraqit në opinion me Ilumzhinovin dhe më vonë kanë mbajtur takim me dyer të mbyllura, sipas raporteve në mediat ruse.

Por, ambasadat ruse nëpër botë nuk e kanë thirrur vetëm Federatën e Irlandës, por edhe atë çeke dhe norvegjeze, kanë thënë shefat e këtyre organizatave.

Federata Norvegjeze ka thënë se do ta mbështesë zotin Kasparov.

Por, në qershor Buzzfeed ka raportuar se ambasadat ruse, që kanë lobuar për Ilumzhinovin, kanë marrë mbështetje nga federatat në Kenia, Mijanmar, Xhamajkë dhe Singapor.

Garry Kasaprov, një “enfant terrible” i shahut të dikurshëm sovjetik, që në vitin 1985, kur ishte 22 vjeeçar, e rrëzoi nga froni i kampionit botëror lojtarin tjetër rus, Anatoly Karpov, që mbështetej fuqishëm nga Kremlini, e ka shfrytëzuar çdo mundësi për ta diskredituar rivalin e tij Ilumzhinov për shkak të mbështetjes nga qeveria ruse.

“Ata kanë mbështetje të plotë nga regjimi i Putinit. Secila ambasadë ruse në botë ishte moblizuar për ta mbështetur zotin Ilumzhinov, në mënyrë që ai të mbetet në zyrë. Dhe ne kuptojmë se kjo nuk është për shkak të shahut. Kjo është ludftë e pastër politike. Nuk ësshtë vetëm kundër Garry Kasparovit, i cili ishte kundërshtar i zëshëm i regjimit të Poutinit, por, poasgtu, për ta mbajtur kontrollin ndaj Federatës Ndërkombëtare me 181 vende nën një ombrellë”, tha Garry Kasparov.

Nga ana tjetër, gjatë fushatës së tij, zoti Ilumzhinov e ka akuzuar, po ashtu, Kasparovin se është përpjekur t’i blejë votat duke e nënshkruar një kontratë me personin Ingnatius Leong, zyrtar i FIDES, me seli në Singapor, duke premtuar 500 mijë dollarë për një akademi të shahut për fëmijë, që do të ishte pronën e zotit Leong, nëse zyrtari i siguron disa vota nga rajoni i tij.

Pasi një propozim tekst i kontratës kishte rrjedhur në të përditshmen New York Times, në muajin janar, Kasparovi e kishte publikuar kopjen e dokumentit, duke cituar “parime të transparencës” të cilat ai i ka vënë në qendër të fushatës së tij për president të FIDE-s. Sipas kontratës, të gjitha paratë do të shfrytëzoheshin për zhvillimin e shahut në pjesën lindore të Azisë. (f. bujupi)

XS
SM
MD
LG