Ndërlidhjet

Ngërçi politik, mesazh i keq për investitorët


Ilustrim
Ilustrim

Vonesat për formimin dhe funksionimin e institucioneve të reja të Kosovës, të dala nga zgjedhjet e përgjithshme të qershorit, reflektojnë në mënyrë negative edhe tek investitorët e huaj, thonë ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Sipas tyre, kjo ngecje dhe ngërç politik, në fund të vitit do të rezultojë me një vlerë më të ulët të investimeve të huaja direkte.

Ibrahim Rexhepi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Strategjike dhe Sociale “STRAS”, thotë se tashme është dëshmuar se moskonstituimi i institucioneve qendrore ka prolonguar disa projektet kapitale që kanë qenë në fazën e zhvillimit.

Fjala është për koncesionimin e qendrës turistike “ Brezovica”, shpalljen e kompanisë fituese për ndërtimin e Termocentrali “Kosova e Re”, si dhe me projektligjet që kanë qenë në procedura parlamentare dhe nuk dihet kur mund të përfundojnë, siç është Ligji për Ristrukturimin e Trepçës.

“Të gjitha këto bashkë tregojnë se nuk ka gatishmëri, nuk ka ambient që të ecet përpara me projekte dhe qarqe zhvillimore - çka do të thotë se në këtë rast edhe investitorët e huaj nuk kanë kujt t’i drejtohen apo edhe nuk kanë si t’i drejtohen qeverisë aktuale rreth mundësisë së investimeve të kapitalit të tyre në Kosovë”, thotë Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.

Edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit konsiderojnë se ngërçi politik në vend ka krijuar një paqartësi tek investitorët ndërkombëtar potencial.

Agim Shahini, udhëheqës në Aleancën Kosovare të Biznesit, madje thekson se kjo gjendje krijon imazhin e mungesës së sigurisë për investitorët potencial.

Në këtë situatë, sipas Shahinit, mungon edhe vizita e investitorëve të mundshëm në Kosovë.

Ai thotë se ka pasur disa propozime nga qeveria në largim për përmirësim të kushteve për investitorët e huaj.

“Ne, si Aleancë, këto propozime i kemi proklamuar tek investitorët e huaj. Dhe ata tashmë pyesin se çfarë po ndodh. E, ne duhet t’u themi që ende nuk ka institucione, të cilat mund t’i marrin dhe që kanë guxim t’i marrin këto vendime për reformat e politikave që rrisin investimet dhe interesin e tyre. Po e shihini se tashmë rrallë po vijnë investitorë për të vizituar Kosovën”, bën të ditur Shahini.

Mesazh tjetër në dëm të investitorëve, sipas Shahinit, janë edhe paralajmërimet e fundit të koalicionit - Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën - që të rishikohen të gjitha vendimet e marra nga qeveria në largim.

“Ka krijuar huti të madhe tek investitorët që në Kosovë nuk funksionojnë institucionet shtetërore deri në momentin kur bëhet pranim – dorëzimi i qeverive. Prandaj, mendoj se politikanët duhet të jenë shumë të kujdesshëm që mos të shprehen për inate apo çështje tjera, e të dërgojnë mesazhe tek investitorët e huaj se këtu mund të rishikohet i gjithë i gjithë procesi”, shprehet Shahini në prononcimin dhënë Radios Evropa e Lirë.

Ndryshe, viteve të fundit Kosova nuk qëndron mirë sa i përket investimeve të huaja direkte. Që nga viti 2008, këto investime kanë shënuar rënie të vazhdueshme.

Ndërkaq, vitin e kaluar, sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, investimet e huaja kanë qenë 258.9 milionë euro.

XS
SM
MD
LG