Ndërlidhjet

AI: S’ka drejtësi për civilët afganë të vrarë nga SHBA-ja dhe NATO


Kabul...
Kabul...

Raporti i titulluar, “Të lënë në errësirë”, i bën thirrje qeverisë afgane që të sigurohet që përgjegjësia për vrasjet e paligjshme të civilëve të garantohet në çfarëdo marrëveshje të ardhshme që do të nënshkruhet me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

David Grifiths, zëvendësdrejtor i "Amnesty International" për rajonin e Azisë dhe Paqësorit, ka thënë se raporti përmban tri konkludime kyçe.

"E para është që civilët afganë, që kanë qenë viktima të sulmeve ajrore, apo bastisjeve të kryera nga forcat ndërkombëtare dhe ku janë vrarë civilë, nuk kanë ku të kërkojnë drejtësi. E dyta është se sistemi i drejtësisë së ushtrisë së SHBA-së nuk siguron kërkimin e përgjegjësisë për raste të tilla. Dhe, së treti, dështimi për t’i adresuar ankesat e civilëve afganë krijon një trashëgimi të rrezikshme të pakënaqësisë së afganëve derisa po afrohet fundi i mandatit të forcave ndërkombëtare, që saktësisht skadon në fund të këtij viti", thotë Grifith.

AI ka intervistuar 125 civilë afganë, të cilët kanë dhënë informacione të sulmeve ajrore dhe bastisjeve që kanë marrë jetën apo kanë plagosur civilët në periudhën 2009 – 2013.

Organizata që merret me të drejtat e njeriut, “Amnesty International” ka thënë se ka dokumentuar sulme që kanë marrë jetën e shumë civilëve afganë, përfshirë edhe të grave shtatzëna dhe fëmijëve.

AI, ka thënë gjithashtu se disa nga këto sulme mund të kualifikohen si krime lufte.

"Në tërësi, ne kemi intervistuar 125 afganë që kanë dhënë informacione për rreth 16 sulme që ne i kemi identifikuar si raste që kanë rezultuar me viktima civile. Ne, gjithashtu, e kemi hartuar një bazë të të dhënave prej 97 incidenteve të raportuara nga viti 2007 deri në vitin 2013. Ndërsa tash ne kemi shikuar për rastet që kanë ndodhur në periudhën nga viti 2009 deri më 2014 sepse ne nuk donim që të shikonim vetëm rastet e fundit, por edhe ato më të vjetra për të parë se çfarë progresi është arritur në hetimin e atyre rasteve”, ka thënë më tej Grifiths.

Organizata, megjithatë, nënvizon se forcat e huaja kanë bërë përmirësime në dallimin në mes të luftëtarëve dhe civilëve gjatë viteve të fundit dhe thotë se tani talibanët janë kryesisht përgjegjës për vrasjen e civilëve afganë.

“Mijëra civilë janë vrarë apo plagosur prej vitit 2001, “por ata nuk kanë qasje në sistemin e drejtësisë së shteteve dhe ne po flasim në mënyrë specifike për SHBA-në në raportin tonë, pra kështu ata nuk kanë se ku të drejtohen. Nga nëntë prej 10 rasteve që 'Amnesty International' ka hetuar…(familjet e viktimave) kanë thënë se ata nuk janë intervistuar nga hetuesit ushtarak asnjëherë”, ka theksuar Grifiths.

Marrëveshjet e nënshkruara në mes të qeverisë afgane dhe qeverive të huaja, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara, nuk lejojnë që ushtarët e huaja të paraqiten para gjykatave afgane.

AI tregon se në fillim zyrtarët e huaj, ushtarak apo civil, e kanë mohuar se është bërë ndonjë gabim.

Të afërmit i kanë treguar "Amnesty International" se ata nuk kanë pasur probleme vetëm në ndëshkimin e palëve fajtore, por në disa raste edhe dërgimin e trupave të pajetë të të afërmve të tyre në zyrat e zyrtarëve vendorë para se forcat ndërkombëtare të pranonin se janë kryer vrasje të gabuara.

"Ka pasur një rast pikëllues në shtator të vitit 2012”, është shprehur Grifiths.

Një grup i madh i grave kanë qenë duke mbledhur dru për ngrohje në Luginën Noorlam në krahinën Laghman kur janë goditur nga një sulm ajror. Shtatë gra janë vrarë dhe shtatë të tjera janë plagosur rëndë… Menjëherë pas sulmit, nuk ka pasur asnjë pranim se janë vrarë civilë dhe për këtë arsye fshatarët është dashur që të dërgojnë trupat e pajetë të grave në zyrën e guvernatorit të krahinës që t’i tregojnë atij, t’i ofrojnë dëshmi për atë që ka ndodhur”, ka sqaruar më tej Grifith, duke shtuar se:

“Derisa SHBA-ja dhe forcat e NATO-s e kanë hetuar rastin dhe kanë kërkuar falje, nuk ka pasur një hetim të thellë të ngjarjes. Ata nuk kanë bërë përpjekje që të takohen me viktimat dhe familjet e tyre”.
Grupi që monitoron shkeljet e të drejtave të njeriut ka zbuluar edhe faktin se zyrtarët dhe policia vendore shpesh nuk janë informuar për sulmet dhe bastisjet dhe për këtë arsye nuk ka mundur të japë ndihmë në kohë të duhur për personat e afektuar nga sulmet e gabueshme.

"Me tërheqjen e forcave ndërkombëtare në fund të këtiji viti, ne e ndjejmë se është shumë e rëndësishme që të ngremë këto çështje dhe të nënvizojmë mungesën e përgjegjësisë për viktimat civile që SHBA-të dhe forcat e tjera ndërkombëtare nuk e lënë pas këtë trashëgimi të mosndëshkueshmërisë dhe ankesave”, ka vlerësuar David Grifiths, zëvendësdrejtori i "Amnesty International" për rajonin e Azisë dhe Paqësorit.(a.haraçia)

XS
SM
MD
LG