Ndërlidhjet

Thaçi: Janë dhjetëra qytetarë të Kosovës që luftojnë në Irak e Siri


Kryeministri në largim i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se “ka autorizuar mbrëmë një operacion të zgjeruar për të lokalizuar dhe për të arrestuar pjesëtarët e dyshuar të grupeve që luftojnë në Siri dhe në Irak”.

Këtë deklaratë zoti Thaçi ia ka dhënë të përditshmes “Wall Street Journal”.

Duke folur për numrin e qytetarëve të Kosovës të përfshirë përkrah organizatave ndërkombëtarisht të shpallura si terroriste në Irak dhe Siri, gazeta citon zotin Thaçi të ketë shprehur besimin se “numri arrin në dhjetëra syresh, dhe jo në qindra”.

Sipas tij, shkruan WSJ, “një numër i vogël njerëzish është trimëruar përmes mediave sociale".

"Megjithatë, disa janë ndikuar edhe nga disa imamë, të cilët së fundmi janë kthyer nga Lindja e Mesme”, ka thënë kryeministri, duke shtuar se Kosova është duke bashkëpunuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe Turqinë, për të parandaluar qytetarët e Kosovës që të shkojnë në Irak dhe në Siri.

Ai është zotuar edhe një herë se "shteti do të përdorë gjithë forcën që ka për të parandaluar cilindo individ apo grup që vë në rrezik tolerancën ndër-fetare të vjetër me shekuj”.

XS
SM
MD
LG