Ndërlidhjet

logo-print

Paratë e mërgimtarëve në konsum të përditshëm


Ilustrim

Ilustrim

Shumë emigrantë nga Kosova që jetojnë në vende të ndryshme të botës, tashmë kanë ardhur për pushime në Kosovë. Gjatë këtij sezoni edhe dyqanet, qoftë ato në sektorin e shërbimeve, por edhe dyqane të vogla dhe qendra tregtare, tashmë kanë zgjatur orarin e tyre të punës deri vonë pas mesnate.

Ndërkaq, nëpër rrugë shihen teksa qarkullojnë vetura me regjistrime nga shtete të ndryshme të botës.

Disa nga emigrantët thonë se nuk kursejnë shumë para gjatë kohës sa qëndrojnë për pushime në Kosovë, për shkak se, siç thonë ata, gjatë gjithë vitit kursejnë për këto ditë.

Njëra nga to është Blerta Ademi, nga Mitrovica, e cila qe 16 vjet jeton në Gjermani. Ajo thotë se shumën më të madhe të mjeteve e shpenzon nëpër lokale të ndryshme, që, sipas saj, janë shumë atraktive dhe të frekuentuara.

“Më se shumti shpenzoj nëpër lokale, dal të kënaqem, të takojmë familjarë, shokë, shoqe. Ne këto pushime i kemi gjatë gjithë vitit. Ushqimi më duket shumë shtrenjtë, për shkak se këtu janë rrogat e vogla, njerëzit janë të papunë. Për mua nuk është shtrenjtë, por për të tjerët mendoj se po”, thotë Blerta.

Lidhur me mënyrën e shpenzimeve të parave të kosovarëve që jetojnë në diasporë, njohës të kësaj fushe, theksojnë se ekziston një dallim në mes gjeneratave të reja dhe atyre të vjetra.

Naim Gashi, për Radion Evropa e Lirë, thotë se përderisa gjeneratat më të vjetra mundohen të investojnë në objekte banimi, të rinjtë paratë e tyre i shpenzojnë në gjëra luksoze.

“Kryesisht, ata që kanë migruar para dhe në fillim të viteve ‘90, ata janë të orientuar që kursimet e tyre t’i investojnë në përmirësimin e kualitetit të jetës së familjeve të tyre këtu (Kosovë) dhe jashtë vendit. Kurse, të rinjtë më tepër shpenzojnë në mjete luksi, investojnë shumë në dasma, ahengje të ndryshme familjare, por edhe në restorante dhe hotele të ndryshme”, thekson Gashi.

Me ardhjen e mërgimtarëve në Kosovë, vërehet një ringjallje financiare thotë edhe Elbasan Morina, udhëheqës i organizatës joqeveritare Instituti për Menaxhim dhe Zhvillim, organizatë kjo që ka përgatitur disa projekte për diasporën.

Por, edhe Morina thekson se shpenzimi i parave të diasporës është i fokusuar në konsum ditor dhe shërbime të përgjithshme.

“Vazhdon trendi i shpenzimit të parave të diasporës në konsum të përditshëm, sa kohë që ata qëndrojnë në Kosovë - kryesisht në hotelierit, turizëm ditor, shpenzime për renovim apo ndërtim të shtëpive dhe shërbime të tjera. Tashmë jemi dëshmitarë dhe shohim që ka një trend shumë të madh të lidhjeve, ahengjeve familjare dhe martesave të ndryshme”, thotë Morina për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, eksperti Naim Gashi thekson se një fenomen tashmë që po vërehet është zbehja e interesimit të gjeneratave të reja të emigrantëve që pushimet t’i kalojnë në Kosovë.

“Kjo për arsye se kostoja e tyre e qëndrimit në Kosovë gati është e barabartë me një kosto në një pushimore në Spanjë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose në veriun e Afrikës. Arsye më tepër që po largon diasporën tonë që të kthehet më tepër në pushime, janë edhe çmimet e shtrenjta të biletave të aeroplanëve, do të thotë transporti ka një kosto shumë të lartë. Mandej edhe problemet që ata i kanë nëpër pikat kufitare të Kosovës, që presin me orë të tëra”, vlerëson Gashi.

Përveç shpenzimeve që emigrantët bëjnë për pushime në Kosovë, numri më i madh i tyre, tërë vitin dërgojnë mjete për familjarët. Kosova konsiderohet si një ndër shtetet me më së shumti dërgesa të emigrantëve, por në të shumtën e rasteve edhe këto dërgesa shfrytëzohen për konsum familjar.

Sipas shifrave zyrtare, mbi gjysmë miliardi euro është shuma e dërgesave të emigrantëve që për çdo vit hyjnë në Kosovë. Ndërkaq, vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, dërgesat e emigrantëve kanë arritur në 130.8 milionë euro.

Prej tyre 20.9 milionë euro në Kosovë kanë ardhur përmes bankave komerciale që operojnë në vend; 54. 6 milionë euro nga agjencitë për transferim të mjeteve, kurse 46, 3 milionë euro nga kanalet tjera.

Shuma më e madhe e mjeteve financiare kanë ardhur nga shteti i Gjermanisë pasuar nga Zvicra, Italia dhe Austria.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG