Ndërlidhjet

logo-print

Të rinjtë në Maqedoni perspektivën e shohin në mërgim


Pamje nga Shkupi (Foto nga arkivi)

Pamje nga Shkupi (Foto nga arkivi)

Të rinjtë në Maqedoni kanë vetëm dy rrugë për të zgjedhur, njëra është të pajisen me librezë partiake, që nënkupton mundësinë e vetme për t`u punësuar në administratën shtetërore, ose të zgjedhin rrugën e mërgimit, vlerëson Marjan Zabërçanec, drejtor i Forumit për Arsimim të të Rinjve.

“Një numër i madh i hulumtimeve tregojnë se të rinjtë nuk e shohin perspektiven e tyre këtu në Maqedoni. Arsyeja kryesore që i çon ata kah ideja për të migruar ka të bëjë me cilësinë e jetës. Këtu kemi dhe faktin që mbi 60 për qind e të rinjve të ardhmen e tyre nuk e shohin në vend”.

“Nëse më parë kishim tendencën e migrimit të brendshëm nga qytetet më të vogla dhe rrethina, kah kryeqendra, tani edhe Shkupi, si kryeqytet nuk është atraktiv, nuk ofron shumë mundësi, andaj dhe rinjtë synojnë vendet evropiane apo Shtetet e Bashkuara”, vlerëson Zabërçanec.

Ai thekson faktin se nga të rinjtë, ngritja profesionale pa mbështetjen politike, shihet si mision i pamundur.

“Si fajtor kryesor për situatën e këtillë, do të fokusoja sistemin shtetëror, i cili qeveriset nga kjo garniturë politike. Por, edhe ata, që ishin më parë, të cilët në bazë të politikave qeveritare margjinalizuan interesat e të rinjve me qëllim që grupmoshat më të reja t`i vënë në funksion të interesave të tyre partiake dhe jo të rinjtë t`i trajtojnë si partnerë të zhvillimeve të ndryshme që ndodhin në shoqëri”, thekson Zabërçanec.

Edhe Valon Kurtishi, nga organizata joqeveritare “Yliricum” nga Tetova konsideron se politizimi i skajshëm i shoqërisë është ajo që ngulfat perspektivën e të rinjve në Maqedoni.

Si rrjedhojë e tensioneve ndëretnike, një pjesë e të rinjve, veçanërisht në zonat, thënë kushtimisht, ku etniteti të cilit i përkasin është pakicë, nuk shohin perspektivë aty dhe tentojnë të largohen. Pra, kombinimi i faktorëve politikë me ata politiko-etnik mendoj se është ajo që shkakton largimin e të rinjve nga vendi”, konsideron Kurtishi.

Ai shton se të rinjtë në Maqedoni kanë shumë potencial, si në aspektin e njohurive dhe ideve, ashtu dhe guximin për të kontribuar në shoqëri, po vetëm nëse atyre u lihet hapësirë, duke përjashtuar tërësisht presionin politik.

“Rinia e këtij vendi duke qenë një rini evropiane, por edhe e edukuar dhe e shkolluar deri diku kënaqshëm, është e pasur me ide, disponon ide të shumta për të dalë nga ky ngërç socio-politik që ka kapluar tërë shoqërinë tonë. Por, një shumësi e faktorëve që përmenda më lart, si ata ekonomik dhe politik,i pengojnë këto ide të implementohen në praktikë”, vlerëson Kurtishi.

Për dallim nga qëndrimet e sektorit civil që trajton të drejtat e të rinjve, autoritetet zyrtare të Maqedonisë theksojnë se masat e fundit të qeverisë për të liruar nga taksat ato kompani, të cilat punësojnë të rinj, ka rezultuar me sukses, me atë që, sipas tyre, pothuajse çdo ditë në vend punësohen nga 20 të rinj.

XS
SM
MD
LG