Ndërlidhjet

“Obama Bazaar”, tregu i boshatisur në Kabul


Kabul

Kabul

Në Kabul, një treg që më parë lulëzonte me veshje ushtarake amerikane dhe ushqime të ndryshme të kontrabanduara, tash po përballet me kohë të vështira.

Në kulmin e shitjeve të tij, "Obama Bazaar", i emëruar jozyrtarisht sipas presidentit amerikan, ishte vendi ku mund të gjendej gjithçka, duke filluar nga pajisje elektronike të përdorura, uniforma, çizme luftarake, deri te gjërat ushqimore amerikane.

Tash, pazari ka mbetur një rrugicë e pluhurosur - me dyqane të vogla - dhe e boshatisur. Blerësit ende mund të gjejnë aty produkte amerikane, por furnizimi dhe myshterinjtë kanë rënë.

Puna në tregun, që është i vendosur në qendër të Kabulit, ka rënë në masë të madhe gjatë vitit të fundit, derisa shumë baza ushtarake - burimi i shumicës së produkteve në pazar - janë mbyllur, për shkak të tërheqjes së trupave ushtarake nga vendi.

"Jemi duke shitur vetëm 10 për qind të asaj që e kemi shitur më parë. Shumicën e ditëve nuk mund të fitojmë as për të paguar qiranë", thotë Shuaib, një tregtar i ri që ka punuar në pazar për afërsisht tre vjet.

"Puna ka rënë për shkak të tërheqjes sivjet. Ne punojmë nga mëngjesi deri në mbrëmje, por shumica e ditës na shkon duke bërë muhabet, sepse nuk ka punë", thotë ai.
Shuaib fitonte deri në 2 mijë afghanis (35 dollarë) në ditë vitin e kaluar. Tani ai i bën vetëm disa qindra afghanis. Ai thotë se do t’i duhet ta mbyllë dyqanin pas disa muajve, nëse nuk puna nuk ngrihet.

Tregtarët thonë se me pak produkte amerikane sa kanë mbetur, shumica e rafteve të tyre janë me gjëra të lira, nga shtetet fqinje Kina, Irani dhe Pakistani.

Në kulmin e prezencës ndërkombëtare në vitin 2011, NATO ka pasur 130,000 ushtarë dhe rreth 800 baza ushtarake në Afganistan. Deri në fund të vitit të kaluar, numri i bazave kishte rënë në 80, dhe tani pothuajse të gjitha nga to janë mbyllur.

Mbyllja e bazave ka pasur një efekt tepër të madh në ekonominë e shtetit. Papunësia po shtohet dhe biznesmenët po largohen.

Shahghasi, një burrë i vjetër, ka punuar në pazar për 6 vjet. Ai thotë se pasiguria e krijuar nga tërheqja e trupave ndërkombëtare dhe zgjedhjet e kontestuara në vend, kanë ngjallur frikë te njerëzit. Në vend që të shpenzojnë, ata po kursejnë për "ditë me shi".
"Kur siguria dhe situata ekonomike ka qenë më mirë, kishte investime dhe shpenzime", thotë Shahghasi, duke shtuar se: "Nëse ka shpenzime, atëherë ka punë".
"Obama Bazaar", ka ndërruar emrin përgjatë tri dekadave të luftës në Afganistan. Fillimisht ishte quajtur "Brezhnev Bazaar”, sipas ish-kryeministrit sovjetik Leonid Brezhnev, i cili e pushtoi Afganistanin në vitin 1979.

Më pas ishte quajtur "Bush Bazaar”, sipas ish-presidentit amerikan George W. Bush, i cili i dërgoi trupat amerikane në Afganistan në vitin 2001.
Tregtarët bëjnë shaka, duke u hamendur se si duhet ta quajnë pazarin në të ardhmen. Njëri sugjeron "Abdullah Abdullah", sipas atij që mund të bëhet president i Afganistanit.

Një tjetër bërtet "Ashraf Ghani", që është rivali i të parit dhe që shumë e shohin si lider të vendit.

Një nga tregtarët tjerë propozon edhe dikë jo shumë të dashur në vend, "Hamid Karzai", presidentin në largim.

Jamal Khan, një tjetër tregtar, thekson se pazari duhet ta mbajë emrin që e ka.

Ndërsa, Ahmad thotë diçka tjetër:

"Amerikanët pushtuan këtë shtet, por ata edhe sollën zhvillim ekonomik", thotë ai. "Nuk duhet ta harrojmë këtë".(g.kraja)

XS
SM
MD
LG