Ndërlidhjet

logo-print

Arrestime të reja për nxitje të terrorizmit


Forcat e rendit shoqërojnë njërin nga 40 të arrestuarit e 11 gushtit

Forcat e rendit shoqërojnë njërin nga 40 të arrestuarit e 11 gushtit

Autoritetet e rendit në Kosovë kanë njoftuar se gjatë një operacioni të sotëm në Gjilan dhe Skënderaj, kanë arrestuar dy persona, nën dyshimet për rekrutim për terrorizëm, organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist dhe nxitje të urrejtjes kombëtare, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Gjatë arrestimit thuhet të jenë sekuestruar dëshmi materiale që ndërlidhen me akuzat e përmendura.

Në një njoftim të Policisë së Kosovës, thuhet se njëri nga të arrestuarit është imam në xhaminë El-Kuddus në Gjilan dhe “dyshohet të jetë një ndër frymëzuesit kryesorë të xhihadit”.

Ai është gjetur i fshehur në veturën e tij në një terren malor në afërsi të shtëpisë së tij.

I dyshuari i dytë, nga fshati Polac i Skënderajt, thuhet të jetë gjetur në vendbanimin e tij. Të dyve u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Që të dy janë arrestuar në ndërlidhje me një hetim paraprak, që çoi në arrestimin e 4 personave në muajin qershor në Kaçanik, nën dyshimet e për vepra të ngjashme penale.

Po sot, Gjykat Themelore në Prishtinë, ka vendosur masën e paraburgimit prej 30 ditësh, për 40 personat e arrestuar më 11 gusht, nën dyshimet se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak përkrah organizatave të shpallura terroriste, ISIS dhe Al-Nusra.

Baki Kelani nga Policia e Kosovës, gjatë një takimi me gazetarët, tha se deri më tash janë zhvilluar tri operacione në ndërlidhje me akuza të ngjashme.

“Në qershor janë arrestuar katër persona, pastaj ka vazhduar operacioni me dyzet të arrestuar të tjerë dhe operacioni i sotëm që rezultoi me arrestimin e dy personave të tjerë”, ka thënë Kelani, duke njoftuar se hetimet do të vazhdojnë.

Policinë e Kosovës e ka vizituar sot presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ka vlerësuar lartë operacionin e fundit të forcave të rendit, duke thënë se është dëshmuar “përkushtimi i palëkundur i policisë për të ofruar mbrojtje dhe siguri kombëtare për shtetin”.

“Ne jemi të përkushtuar të sigurojmë lirinë e gjithësecilit qytetar të shtetit tonë dhe drejtësia funksionon për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Kushdo që nuk është në këtë anë, gjithsesi se do të ballafaqohet me dorën e rendit dhe të ligjit”.

Udhëheqësit e institucioneve qendrore në Prishtinë kanë tërhequr vërejtjen se nuk do të lejojnë që Kosova të shndërrohet në strehë grupesh radikale. Zonja Jahjaga madje këto ditë ka nënvizuar se radikalizmi islamik është një nga shqetësimet më të mëdha të Kosovës.

raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për liritë fetare në botë gjatë vitit 2013, për Kosovën thuhet se ka pasur raporte për abuzim dhe diskriminim bazuar në besimin fetar.

“Vëzhguesit kanë vërejtur një rritje të retorikës së hapur anti-semitike dhe një vëmendje më të madhe të opinionit për fraksionet brenda komunitetit islam, të cilët promovojnë pikëpamje më pak tolerante, e të cilat nuk janë në përputhje me të kaluarën historikisht të moderuar dhe tolerante të shtetit”, thuhet në raport.

Numri i saktë i shqiptarëve të Kosovës të përfshirë në luftimet në Irak dhe në Siri nuk dihet, ndonëse autoritetet thonë se kanë informacione për dhjetëra syresh. Deri më tash besohet se 16 prej tyre kanë humbur jetën.

  • 16x9 Image

    Arbana Vidishiqi

    Arbana Vidishiqi është Drejtore e Shërbimit për Ballkanin në Radion Evropa e Lirë. Me gazetari merret që prej vitit 1997, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 1999. Është e martuar dhe ka një fëmijë.

XS
SM
MD
LG