Ndërlidhjet

Pritet funksionalizimi i Fondit Garantues për Kredi


Ilustrim

Ilustrim

Shumë shpejt pritet funksionalizimi Fondit Garantues për Kredi, fond ky i financuar nga Qeveria e Kosovës dhe donatorë ndërkombëtarë, bëjnë të ditur zyrtarë qeveritarë.

Ky fond ka për qëllim lehtësimin e qasjes në kredi për bizneset që nuk kanë kolateral të mjaftueshëm për kredimarrje.

Valdrin Lluka, drejtor i përgjithshëm në Agjencinë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë( KIESA), që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se një ndër sfidat kryesore të bizneseve në Kosovë mbetet qasja në financa dhe ky fond do ta lehtësojë barrën e tyre.

“Ky fond parasheh që t’i ndihmojë bizneset e vogla dhe të mesme në kredi deri në 250 mijë euro. Si funksionon Fondi? Bankat e kanë prapë në pronësi procesin e selektimit të kredi-marrësve. Por, në shumicën e rasteve, bizneset e vogla dhe të mesme nuk po kanë peng të mjaftueshëm që t’i japin bankës, për ta marrë një kredi të asaj shume. Dhe, si rezultat, ne hyjmë për t’i ndihmuar ato kompani që nuk kanë peng të mjaftueshëm. Fondi do të mbulojë nga 50 deri në 75 për qind të pengut”, shpjegon Lluka.

Ndryshe, normat e larta të interesit për kredi, të aplikuara nga bankat komerciale në Kosovë, vazhdimisht janë vlerësuar pengesë për zhvillimin e veprimtarive të bizneseve në vend, madje edhe po detyrojnë falimentimin e disa prej tyre.

Përveç kamatave të larta, edhe kriteret për marrjen e kredive janë të vështira, pasi banka nga kredimarrësi potencial kërkon vlerë të madhe të hipotekave.

Ky problem më së tepërmi paraqitet te bizneset e reja, që fillimin e punës, në mungesë të mjeteve materiale, synojnë ta nisin me kredi.

Por, cilat biznese do të përkrahen nga ky fond?

Lluka thotë se do të mundohen ta mbulojnë çdo sektor dhe mos të ketë ndonjë diskriminim për sektorë të caktuar.

“Kjo parasheh çdo biznes, normalisht që për ne preferencë do të ishte prodhimtaria, por çdo biznes që ka vështirësi në qasjen në financa, do të thotë se mund të jetë edhe kompani shërbyese . Sidomos kompanitë shërbyese kanë probleme me pengun, për shkak se nuk kanë asete të mjaftueshme për të lënë si garancinë në bankë. Do të favorizojmë bizneset që kanë të punësuar një numër më të madh të gjinisë femërore apo ato që kanë të punësuar nga minoritete të ndryshme, në mënyrë që ata të jenë të barabartë në treg”, thotë Lluka.

Por, për të gjitha këto, klienti nuk do të dijë se i përkrahet kredia, për shkak të rrezikut, se kur kredia është e garantuar, kredimarrësi mund të mos paguajë këstet e kredisë, sqaron Lluka.

Ai tregon se bankat komerciale do të kërkojnë nga fondi garantimin e kredive për bizneset që ata i konsiderojnë se kanë biznes të qëndrueshëm, por që mund të hasin në ndonjë problem financiar.

Sidoqoftë, përfaqësues të komunitetit të biznesit e mirëpresin funksionalizimin e këtij Fondi.

Agim Shahini, udhëheqës në Aleancën Kosovare të Biznesit, e konsideron lajm të mirë. Por, megjithatë ai thotë se kjo varet nga funksionalizimi i institucioneve të reja dhe prioritetet që do të kenë në agjendën e tyre.

“Nëse kjo ndodh, është një lajm i mirë, pasi është një ndihmë dhe mbështetje e madhe. Por, nëse nuk ndodh, është një mashtrim për qytetarët, pasi nga kjo kanë pritur shumë përfitime qytetarët. Pra, do të duhej që qeveria e ardhshme, vërtet si ide ta përpunojë edhe një herë, sepse kjo ofron mundësi të reja, të cilat qytetarët e Kosovës dhe bizneset ende nuk i kanë pasur”, vlerëson Shahini për Radion Evropa e Lirë.

Qeveria e Kosovës në këtë fond ka kontribuar me 3 milionë euro, Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar(USAID) ka ndarë rreth 5 milionë euro, kurse me shuma më të vogla kanë kontribuar edhe agjenci tjera ndërkombëtare.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG