Ndërlidhjet

logo-print

Economist: Imigrimi ilegal – rrezik për Schengenin

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Në fillim të artikullit, e përjavshmja londineze, "The Economist", shkruan për një projekt të madh evropian, të lindur nga idealet e integruesve, që ishte shkaktërruar nga mosgatishmëria e pjesëmarrësve për t’i ndarë çmimet dhe përfitimet, po ashtu.

Jo, nuk kemi të bëjmë me eurozonën, por me marrëveshjen Schengen, ndërmjet 26 vendeve evropiane, për ta eliminuar kontrollin në kufijtë e tyre të përbashkët.

Evropianët përfitojnë jashtëzakonisht shumë nga mundësia e tyre që të lëvizin lirisht ndërmjet vendeve. Por, vala e imigrantëve, që synon të depërtojë në kontinent, paraqet ngarkesë kryesisht në vendet jugore, që duhet të shpërndahet në mënyrë më tepër të barabartë.

Nëse kjo nuk ndodhë, atëherë vetë Schengeni mund të shthurret, shkruan Economist.

Pavarësisht se a kërkojnë strehim nga perskutimi ose mundësi ekonomike, imigrantët ilegalë janë të etur për të hyrë në vendet më të pasura evropiane, ato veriore. Shumë imigrantë nisen direkt në këto vende, shpeshherë me aeroplanë, duke arritur me viza të rregullta, por qëndrojnë edhe atëherë kur viza u skadon.

Por, gjeografia ekonomike e imigrimit thotë se më së shumti udhëtime të të dëshpëruarve, që udhëtojnë nga uji dhe toka, janë nga Afrika dhe Lindja e Mesme. Takimi i parë i anijeve të tyre të mbingarkuara në mënyrë tejet të rrezikshme me Evropën perëndimore, është në periferi të kontinentit, me ishujt e Mesdheut, siç janë Lampedusa dhe Malta, për ata që lundrojnë nga Afrika.

Për ata që lundrojnë nga Siria dhe më gjërë, takimi i parë është në kufirin lindor të Greqisë me Turqinë.

Rreziku që e marrin këta udhëtarë është tejet i madh. Sipas raportit aktual të organizatës Amnesty International, grup me ndikim, së paku 23 mijë imigrantë e kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të arritur në Evropë, prej vitit 2000.

Këto numra po rriten me shpejtësi, në sajë të konflikteve në Siri, Irak, Libi dhe çdokund tjetër.

Ky vit duket se është më i keqi në dekada për numrin e arritjeve ilegale në Evropë.

Nga janari e deri në korrik, afro 100 mijë imigrantë pa dokumente e kanë kaluar Mesdheun dhe kanë arritur në Itali. Ky numër tashmë është shumë më i madh se ai i regjistruar në vitin 2011.

Në periudhën e njejtë, numri i imigrantëve ilegalë, të arrestuar nga autoritetet greke, në kufi me Turqinë, është rritur për143%.

Kjo paraqet barrë të madhe në shtetet që gjeografikisht janë në linjën e parë.

Italia i shpenzon 9 milionë euro në muaj për operacionin, Mare Nostrum, mision i kërkim-shpëtimit në Mesdhe, që është lansuar në tetor të vitit 2013, në përgjigje të fundosjes së 360 imigrantëve në Lampedusa.

Anijet patrolluese italiane i kanë mbledhur afro 5 mijë njerëz vetëm gjatë një fundjave në muajin qershor. Në Spanjë janë mbledhur më se 1200 vetë për dy ditë, në fillim të kësaj jave. Malta ka më shumë azilkërkues për kokë banori se çdo vend tjetër i pasur në botë, shkruan javorja londineze, Economist.

Përgjigja e evropianëve veriorë është ajo e ngritjes së supeve. Kërkesa e Italisë për ndihmë për operacionin Mare Nostrum, nuk ka arritur askund. Greqia i ka shpenzuar 63 milionë euro në vitin 2013, për t’i parandaluar imigrantët ilegalë, ndërsa vetëm 3 milionë euro kanë ardhur nga agjencitë kufitare evropiane.

Marrëveshja Schengen e thekson përgjegjësinë e shteteve bregdetare. Rregullorja e Dublinit, themel i Schengenit, thotë se vendet e para të BE-së, ku arrin imigranti, që i ka dhënë gjurmët e gishtërinjve ose e ka bërë një kërkesë për azil, janë përgjegjëse për kërkesën për azil.

Nëse imigranti së pari ka hyrë në Greqi, atëherë ai është problem i Greqisë, shkruan Economist.

Kjo është jokorrekte dhe shkurtpamëse.

Jokorrekte, sepse vetë imigrantët e shohin vendin si Greqia si stacion, e jo si destinacion përfundimtar. Joshja e imigrantëve ilegalë me Evropën është në radhë të parë me vendet e pasura; barra për kapjen e tyre dhe marrjen me ta, nuk duhet të mbetet në vendet individuale, thjesht meqë ato ndodhë që të jenë gjatë rrugës.

Është shkurtpamëse sepse krijon stimulim të çoroditur për vendet që t’i zbusin kontrollet e tyre kufitare: më mirë të mos hapet dosja dhe të lejohen të vazhdojnë në vende më të pasura, se sa tu merren gjurmët e gishtërinjve.

Në vitin 2013, për shembull, zyrtarë gjermanë i akuzuan italianët se i kishin lejuar refugjatët të udhëtojnë në Gjermani, pa kontrolle rigoroze.

Episode të tilla e shtojnë dyshimin dhe paraqesin kërcënim për shkatërrimin e sistemit të bazuar në besim ndërmjet vendeve anëtare, shkruan Economist.

Përgjigja është që të kërkohet që shtetet evropiane ta bartin në mënyrë sa më të barabrrtë barrën e imigrimit ilegal.

Cecilia Malmstrom, politikane suedeze, që është komisionare e brendshme e Bashkimit Evropian, e ka shtruar problemin e “çelsit të shpërdarjes” në mënyrë që vendet që kanë pak azilkërkuees, si Polonia për shembull, të marrin më shumë persona të tillë.

Një tjetër opsion do të ishte shpërndarja e imigrantëve në mesin e shteteve proporcionalisht me popullatën e tyre. Kjo nuk do të ishte gjë e mirë për shumë vende të Schengenit. Por, logjika e lëvizjes së lirë të njerëzve është e tillë që sa më të hapur të jenë kufijtë e brendshëm, aq më ashpër duhet të menaxhohen kufijtë e jashtëm.

Kjo barrë duhet të jetë e përbashkët, e jo të evitohet, shkruan në fund të editorialit të vet, Economist.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG