Ndërlidhjet

Çka thonë qytetarët për shtrenjtimin e rrymës?


Ilustrim (©Shutterstock)
Ilustrim (©Shutterstock)

Pas shtrenjtimit të energjisë elektrike në muajin korrik, ngritje të çmimit mund të ketë edhe muajt e ardhshëm, pasi një kërkesë të tillë operatorët energjetikë që veprojnë në Kosovë, tashmë e kanë dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë.

Por, përfaqësues të shoqërisë civile, të punëtorëve dhe qytetarët kërkojnë që autoritetet kompetente të mos e aprovojnë kërkesën, pasi ngritja e çmimit rëndon jetën e qytetarëve dhe bizneseve.

Sipas një rregulloreje të kësaj zyre, shkalla minimale e ngritjes së çmimit mund të arrijë deri në 5 për qind.

Për këtë çështje kemi anketuar qytetarë për Radion Evropa e Lirë, për të marrë mendimet e tyre rreth asaj se çka ata mendojnë për ngritjen e mëtutjeshme të çmimit të energjisë elektrike.

Naim Murati, taksist, flet për atë se sa do të mund ta përballojnë qytetarët shtrenjtimin e energjisë elektrike:

“Është dashur të lirohet se për t’u shtrenjtuar është shumë lehtë. E ky popull nuk e di deri kur do të mund të qëndrojë kështu. Pyeteni popullin a do të mund ta bëjë pagesën. Nuk është interesant çdo muaj t’i shkojë policia te shtëpia, dil se ta këputëm rrymën. Deri kur do të durojë ky popull unë nuk e di, se tepër është bërë. Unë nuk e di qysh ia kanë vënë rrethin me këto tarifa, nuk e di dimrit çka do të ndodhë”.

Fazli Puka, i papunë, ankohet për shtrenjtimin e rrymës, si dhe thotë se asnjëherë në Kodrën e Trimave ku ai jeton, nuk ka orar të reduktimeve të rrymës:

“Nuk është mirë ta bëjmë pagesën. Ne më shumë pa rrymë se me të. As nuk e dimë kur ndalet, as kur vjen. Shumë e shtrenjtë fatura. Po më duket që nuk do ta paguaj më fare. Çka të paguaj kur nuk kemi rrymë kurrë gati?!”.

Edhe Hysen Jahiri, ekonomist me profesion, jep mendimin e tij për shtrenjtimin e rrymës:

“E shtrenjtë ka qenë, s’e di qysh si e kanë menduar ta ngrenë çmimin prapë. Po e shihni varfërinë në vend, punësim jo. Ku t’i marrin të hollat për ta paguar rrymën? Edhe rryma kur shtrenjtohet, çka po mbetet tjetër. Gati 80 për qind pa punë janë. Me pensione me 140 euro, nuk iu dalin as për barna. Tash shtatori, fillon mësimi i fëmijëve. Duhen paguar çantat , fletoret, librat. Fukarallëk në gjitha anët. Shumë keq është , veç uroj të bëhet mirë”.

Ndryshe, në fund të qershorit, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji kishte aprovuar për rritje të tarifave me pakicë të energjisë elektrike prej 4.57 për qind, për konsumatorët e rregullt.

XS
SM
MD
LG