Ndërlidhjet

Maqedoni: Më shumë turistë të huaj sesa vendorë


Liqeni Ohrit

Liqeni Ohrit

Maqedonia është e pasur me shumë destinacione turistike. Por, më shumë se gjysma e kapaciteteve hoteliere, mbeten të pashfrytëzuara edhe në pikun e sezonit turistik, thekson kryetarja Odës Turistike të Maqedonisë, Lella Kërstevska, duke fokusuar çështjen e sigurisë si një nga problemet kryesore që dëbon turistët nga pikat turistike të vendit.

“Në çmime në një mënyrë mund të intervenohet, meqë vlerësoj se në Maqedoni ka pika turistike si për turizmin malor apo atë liqe për çdo xhep. Por, ajo që mbetet shqetësuese është çështja e sigurisë, që paraqet një parametër shumë të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit”, thotë Kërstevska, duke kujtuar incidentet e të rinjve nga Serbia në Ohër.

Kërstevska konsideron se numri i pamjaftueshëm numri i turistëve nuk lejon elasticitet të çmimeve jashtë sezonit turistik, ngase likuiditeti i hoteleve mundësohet nga dy muaj aq sa zgjat sezoni turistik në brigjet e Liqenit të Ohrit.

Ndërkaq, Tefta Rogozhina, e cila dhjetë vitet e fundit pushimet i bën në Maqedoni, thotë se është klima ajo që e ndjell për të pushuar.

Po këtu në Strugë më pëlqen fresku që mban gjatë tërë ditës, pavarësisht temperaturave të larta, natyra e kombinuar mal, me pisha të shumta dhe liqe të ofron disa ditë pushim në qetësi, gjithsesi më pëlqen edhe mikpritja”, shprehet ajo.

Nga ana tjetër, për Naum Martinovskin, punonjës turistik, shqetësues është fakti se pavarësisht asaj se është në rritje numri i turistëve të huaj, ka rënie të theksuar të turistëve të brendshëm, meqë, siç nënvizon ai, janë turistët vendorë ata të cilët e mbajnë gjallë turizmin në Maqedoni, gjatë tërë vitit - qoftë edhe duke rezervuar vetëm gjatë fundjavave.

“Ulja e numrit të turistëve nga Maqedonia ka të bëjë me uljen e standardit jetësor. Numri i vogël i turistëve nga vendi gjithsesi ka të bëjë dhe me rritjen e konkurrencës sa u përket pikave turistike në Ballkan. Viteve të fundit bregdeti shqiptar është më atraktiv, si me çmimet me natyrën që ofron, dhe përderisa më parë ishte tabu shkuarja e maqedonasve atje, tani gjithnjë e më shumë qytetarët përcaktohen për një fundjavë në det sesa në brigjet e Liqenit të Ohrit apo atij të Perespës”, shpjegon Martinovski.

Ndërkaq, turistët thonë se me gjithë investimet në infrastrukturë, problem paraqet dhe mungesa e sinjalizimit rrugorë si dhe guidave të ndryshme, të cilat do të krijonin një pasqyrë më lehtë të kapshme për të gjitha mundësitë që ofron Maqedonia si destinacion turistik.

Po gjatë këtyre dhjetë viteve të fundit shoh ndryshime, veçanërisht në infrastrukturën rrugore, por ne vendosëm për të vajtur nga Struga në Shën Naum dhe rrugës s’kishte sinjalizim, meqë s’e njoh gjuhën maqedonase, mu desh të kuptohem me gjeste, por mirë u kuptuam”, tregon përvojën e saj Tefta Rogozhina nga Tirana, e cila po bën pushimet në plazhin e Liqenit të Ohrit.

Qeveria e Maqedonisë ka ndërmarrë një varg masash për të stimuluar zhvillimin e turizmit, duke filluar nga reklamimi i pikave turistike të vendit në mediat më prestigjioze botërore, e deri te ndarja e subvencioneve për çdo krevat të rezervuar në bujtina, si dhe subvencione për agjencitë turistike për çdo turist të sjellë në Maqedoni.

XS
SM
MD
LG