Ndërlidhjet

logo-print

Beteja kushtetuese për kryetarin e Kuvendit


Pamje nga seanca e 17 korrikut

Pamje nga seanca e 17 korrikut

Partia Demokratike e Kosovës dhe blloku i partive Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma pritet t'i ballafaqojnë argumentet dhe kundër-argumentet e tyre në Gjykatën Kushtetuese më 21 gusht.

Seanca dëgjimore është thirrur duke u bazuar në kërkesën e PDK-së në lidhje me kushtetutshmërinë e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit në seancën e parë konstituive më 17 korrik.

Në bazë të kësaj kërkese, Kushtetuesja më pas kishte pezulluar postin e kryetarit të Kuvendit, që mbante lideri i LDK-së, Isa Mustafa, deri në marrjen e vendimit përfundimtar.

Profesori Riza Smaka, ekspert i çështjeve kushtetuese - juridike thotë se në seancën e 21 gushtit palët do t'i prezantojnë argumentet e tyre, kurse më pas, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese do të shqyrtojnë lëndën dhe me vota të fshehta do të marrin vendimin.

Sipas pozicioneve të njohura tashmë, PDK-ja pritet ta konsiderojë jokushtetuese zgjedhjen e Isa Mustafës në seancën e 17 korrikut, duke pretenduar se vetëm kjo parti politike mund të ketë kryetarin e Kuvendit.

Kurse, blloku LDK, AAK dhe Nisma do të mbrojë votimin për Mustafën në seancën e 17 korrikut dhe do të kërkojë që të vazhdojë puna e nisur e Kuvendit dhe zgjedhja e të gjitha organeve të reja.

"Kjo seancë e ka karakterin dëgjimor -, seancë publike në të cilën do të dëgjohen thëniet dhe kundërthëniet e palëve në, ta quajmë këtë kontest. Kur paneli të konsideron se çështja është trajtuar mjaftueshëm e mbyll seancën publike dhe tërhiqet në gjykim. Në gjykim edhe aty diskutohet, votohet me vota të fshehta, numërohen votat dhe shpallet vendimi me shumicë të votave të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese", sqaron Smaka.

Sipas profesorit Riza Smaka, çështja e zgjedhjes së kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit ka mundur të zgjidhet shumë shpejt, ngase konsideron se nuk është aq e ndërlikuar sa po prezantohet në opinion. Ai thotë se Kushtetuesja mund të nxjerrë vendimin qysh ditën e thirrjes së seancës më 21 gusht.

"Kjo çështje ka mund të trajtohet, gjykohet brenda më së shumti dy javësh, e pse jo edhe një jave. Kjo do të ishte në favorin e vendit, sepse sa më parë që të konstituohej kryesia e Kuvendit do të formohej më shpejt edhe qeveria. Vendi ka nevojë për institucione që kanë legjitimitet dhe legalitet", vlerëson profesori Smaka.

Vendimi që do të merret në Gjykatën Kushtetuese mund të ketë ndikim të madh nëse Kosova do të arrijë t'i formoj institucionet apo do të detyrohet të shkoj në zgjedhje të reja të parakohshme.

Profesori Smaka mendon se të dyja opsionet janë të mundshme, ngase bllokimi eventual në zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit, sado që nuk parashihet me Kushtetutë se e çon vendin në zgjedhje, detyrimisht do ta dërgonte drejt zgjedhjeve.

"Në qoftë se nuk do të mund të zgjidhet kryetari dhe kryesia, ani pse në kushtetutë nuk qëndron ndonjë dispozitë që e thekson shpalljen e zgjedhjeve, megjithatë, nëse nuk do të zgjidheshin kryetari dhe kryesia e Kuvendit, del se do të duhej medoemos të shpalleshin zgjedhjet, sepse Kuvendi nuk do të mund të funksiononte pa kryesi", thekson Smaka për Radion Evropa e Lirë.

Zgjedhjet e 8 qershorit nxorën si fituese Partinë Demokratike të Kosovës të drejtuar nga kryeministri në largim Hashim Thaçi, mirëpo kjo parti hasi më pas në bojkotin e katër subjekteve tjera jo fituese të zgjedhjeve për të bashkëpunuar.

Kështu që ishte krijuar blloku i partive opozitare LDK, AAK dhe Nisma të cilat kanë nënshkruar një marrëveshje për formimin e institucioneve të reja pa PDK-në, duke llogaritur se do ta kenë edhe mbështetjen e pakicave.

Në disa raste ky bllok ishte përafruar edhe me lëvizjen Vetëvendosje, por më të cilën përveç pajtimit se nuk do të bashkëpunojnë me PDK-në, nuk kanë ndonjë marrëveshje tjetër.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG