Ndërlidhjet

Maqedoni: Ndërprerja e komunikimit nxit dhunën në familje


Ilustrim
Ilustrim

Ministria e Punëve të Brendshme i Maqedonisë ka bërë të ditur se në gjysmën e parë të këtij viti është rritur për 16,1 për qind numri i veprave penale që kanë të bëjnë me dhunën në familje, krahasuar me periudhën e njëjtë vitin e kaluar.

Duke komentuar këto të dhëna, sociologët konsiderojnë se dhuna familjare është pasqyrim i gjendjes së përgjithshme, në të cilën ndodhet shoqëria maqedonase, që gjithnjë e më shumë është e tensionuar.

“Të dhënat statistikore flasin qartë se gjithmonë kur gjendja e përgjithshme në Maqedoni bëhet më turbulente, si në aspektin e sigurisë së përgjithshme, ashtu dhe aspektin e sigurisë sociale, krijohet një gjendje e tensionuar, duke rritur shkallën e agresivitetit te qytetarët. E kjo gjendje reflektohet në relacionet familjare”, thotë sociologu maqedonas, Gjorgje Tonovski.

Ndërkaq, Vesel Memedi, psikolog, thotë se rritja e dhunës në familje është si rrjedhojë e moszbatimit të ligjeve, me atë që dhuna veçanërisht mes bashkëshortëve mbetet e padënueshme edhe kundrejt një morie ligjesh, të cilat atë e trajtojnë si vepër penale.

Sipas Memedit, mediat në masë të konsiderueshme janë ato që nxisin reflektimin e sjelljeve të dhunshme, aq më shumë nëse kemi parasysh të dhënat, të cilat tregojnë se qytetarët e Maqedonisë më shumë se 4 orë kalojnë pranë ekraneve televizive.

Kjo bën që shumë nga sjelljet individë të caktuar t`i formojnë nëpërmjet imitimit të modeleve të ndryshme që i shohin në televizor.

“Pra, kemi të bëjmë me teorinë e njohur të Albert Bandurës se shumë nga sjelljet e njerëzve formohen përmes vëzhgimit të sjelljeve të të tjerëve ose të modeleve simbolike që i konsiderojmë si heronj nga televizori. Sa më shumë shohin televizor, aq më shumë mësojnë nga ajo që u ofrohet si përmbajtje, qoftë dhunë, luftë mes të mirës dhe të keqes apo diçka tjetër, andaj ekzistojnë dhe rregulla të ndryshme për t’u mbrojtur nga ndikimi i mediave me përmbajtje të dhunshme”, vlerëson Memedi.

Nga ana tjetër, sipas psikiatres Viktorija Vujoviq, një nga arsyet kryesore që nxit ushtrimin e dhunës në familje, është i ashtuquajturi “depresion profesional”, duke mos përjashtuar më pas kuptimet tradicionale siç është papunësia, varfëria, alkoolizmi, narkomania ose probleme të caktuara psikologjike.

“Dhunë familjare nuk paraqet vetëm maltretimi, fyerjet e ndryshme ndërmjet partnerëve, rrezikim i sigurisë, lëndimet fizike apo dhuna psikike, me të cilën shkaktohet ndjenjë pasigurie, por ajo që te ne ende nuk definohet qartë si dhunë, është dhe ndërprerja e komunikimit që shënon shkallën më të lartë të lëndimit shpirtëror”, thekson Vujoviq.

Ndryshe, përmes ndryshimeve të reja në Ligjin kundër dhunës në familje, përveç zgjerimit të të drejtave dhe mbrojtjes së viktimave nga dhuna, parashihen të drejta plotësuese që kanë të bëjnë me respektimin e dinjitetit dhe integritetit të atyre personave.

XS
SM
MD
LG