Ndërlidhjet

logo-print

WSJ: NATO-ja për një botë të rrezikshme


Agresioni i Rusisë e ka bërë të qartë. Ne na duhet një aleancë që është e gatshme, e shpejtë dhe më tepër fleksibile, shkruajnë në fillim të artikullit të tyre në të përditshmen Wall Street Journal, Anders Fogh Rasmussen dhe Philip Breedlove, zyrtarë të lartë të NATO-s.

Më tutje, ata shkruajnë se të dy ishin rritur nën hijen e Luftës së Ftohtë, në anë të kundërta të Atlantikut, dhe e mbajnë mend ditën e jashtëzakonshme kur është rrëzuar Muri i Berlinit.

Deri në atë ditë, NATO-ja e kishte mbajtur Luftën e Ftohtë të atillë që të mos bëhet më e nxehtë,

Pas asaj dite, lufta në Evropë dukej vështirë e imagjinueshme, pasi ish-armiqtë u bënë aleatë të NATO-s dhe u punua për ndërtimin e partneritetit të ri me Rusinë.

Tash, një periudhë e paprecedente e paqes është sfiduar nga agresioni i Rusis kundër Ukrainës, shkruan Wall Street Journal.

Për të parën herë prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, një shtet evropian ka plaçkitur pjesë të tokës së tjetrit me forcë.

Ditë pas ditësh, ne shohim dëshmi të pranisë shkatërruese ruse brenda Ukrainës, tubimin e trupave të gatshme luftarake rreth kufijve të saj dhe përpjekje cinike për ta paraqitur Rusinë si dërguese të ndihmës humanitare.

Rrëzimi tragjik i aeroplanit të udhëtarëve të Malajzisë, MH17, i tregoi shumë qartas vetëm konsekuencat globale të aksioneve të papërgjegjshme të Rusisë.

Por, rreziqet e vitit 2014 dallojnë nga kërcënimet e Luftës së Ftohtë, shkruajnë Rasmussen dhe Breedlove në WSJ dhe shpjegojnë se ato janë më të shumëfishta dhe më tepër tinëzare.

Jostabiliteti kërcënohet në jug, me një hark të krizave që përhapen nga Afrika Veriore dhe Lindja e Mesme. Rusia e zbaton një luftë hibride, me ushtrime të papritura, komando sekrete dhe raketa të kontrabanduara.

Në këtë botë të ndryshuar, misioni fundamental i NATO-s mbetet i njëjtë: për ta mbrojtur territorin, popullatat dhe vlerat e përbashkëta të të gjithë anëtarëve. Përkushtimi ynë për mbrojtje kolektive mbetet i fortë si guri, shkruajnë Rasmussen dhe Breedlove, duke shtuar se puna e tyre, si përfaqësues të lartë politikë dhe ushtarakë të NATO-s, është që të bëhet e sigurt se NATO-ja mund t’i mbrojë të gjithë aleatët kundër çfarëdo kërcënimi.

Tashmë, NATO-ja i ka dyfishuar misionet ajrore-policore, ka vendosur më tepër anije në Detin e Zi dhe Baltik, dhe ka zhvilluar më tepër ushtrime në Evropën Lindore. Të 28 anëtarët po kontribuojnë në këto përpjekje mbrojtëse.

Gjatë pak javëve, në samitin e NATO-s në Uels, do të ndërmerren hapa që NATO-ja të bëhet më e gatshme, e shpejtë dhe më tepër fleksibile, për shqyrtimin e sfidave të ardhshme, pavarësisht se prej nga vijnë. Plani Aksional i Gatishmërisë do t’i ketë tre komponentë kryesorë.

Së pari, ne duhet të ndërtojmë më tutje mbi hapat që tashmë janë ndërmarrë për t’i siguruar aleatët e NATO-s, që të jenë më të qëndrueshëm për periudhë më të gjatë.

E dyta, na duhet prania e forcave të NATO-s në Evropën Lindore, aq gjatë sa të jetë e nevojshme.

E treta, na duhet t’i avancojmë elementet e kapaciteteve tona për reagim të shpejtë, që njihet me emrin Forca Përgjegjëse e NATO-s, për t’i bërë ato më të afta, për vendosje edhe më të shpejtë edhe menjëherë pas shenjave të para të problemeve, para se konflikti të shpërthejë.

Shpejtësia është në esencë të zmbrapsjes së kërcënimeve të befasishme përgjatë kufijve të NATO-s. Duke i pasur kapacitetet e duhura, në vendin e duhur, në kohën e duhur, mund të ndryshojë raporti ndërmjet kërcënimit dhe sigurisë, ndërmjet luftës dhe paqes.

Jemi të bindur se këto masa janë të domosdoshme për miratim, për shkak të një bote të rrezikshme dhe për tu përgjigjur ndaj lojës së dyfishtë të Rusisë.

Ne vazhdojmë të kërkojmë nga Rusia që të bëjë zgjedhje të përgjegjshme: t’i tërheq trupat e saj, të mos i shfrytëzoj taktikat hibride të luftës, dhe të angazhohet me komunitetin ndërkombëtar dhe me qeverinë e Ukrainës, për gjetjen e zgjidhjes politike për krizën.

Në samitin e Uellsit, ne do të dërgojmë mesazh të qartë: sot dhe në të ardhmen NATO-ja do të thotë – një për të gjithë, të gjithë për një, shkruajnë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, dhe komandanti suprem i NATO-s, Philip Breedlove, në Wall Street Journal.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG