Ndërlidhjet

Blloku insiston - qeveri e gjerë, por pa PDK-në


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.
Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

Kosova do ta ketë një qeveri gjithëpërfshirëse, por pjesë e saj nuk do të jetë Partia Demokratike e Kosovës, kanë deklaruar të hënën liderët e bllokut të partive nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma.

Në takimin që kryetarët e këtyre tri partive politike mbajtën në selinë e AAK-së në Prishtinë, është diskutuar edhe për seancën dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të mbahet më 21 gusht, në lidhje me procedurën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Kontestimi i zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit ishte iniciuar nga Partia Demokratike.

Blloku ka konfirmuar se deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, do të kryesojë ekipin që do ta përfaqësojë këtë koalicion në këtë seancë dëgjimore.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, të cilit Kushtetuesja i ka pezulluar postin e kryetarit të Kuvendit deri në vendimin përfundimtar, ka thënë se takimi kishte si synim përgatitjet për seancën dëgjimore.

"Biseduam në lidhje me përgatitjet tona për seancën dëgjimore të Gjykatës Kushtetuese, e cila mbahet këtë javë. Po ashtu, biseduam lidhur me përgatitjet për mbajtjen e seancës së Kuvendit dhe konstituimit të Qeverisë së Kosovës menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese", ka thënë Mustafa.

Ndërkohë, lideri i AAK-së dhe i kandiduari i bllokut për kryeministër të ardhshëm, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se pas vendimit që pritet të marrë Gjykata Kushtetuese në lidhje me postin e kryetarit të Kuvendit, do të hapet rruga e konstituimit të institucioneve. Ai paralajmëroi se ditëve në vijim mund të ketë sërish kontakte edhe me Vetëvendosjen për përfshirje në koalicion.

Kurse, sa i përket Listës Serbe, deri më tani, sipas Haradinajt, nuk janë parashtruar kushte nga ky subjekt politik.

"Ne kemi pasur një komunikim të mirë me Vetëvendosjen. Por, edhe shpërputhje në disa tema. Ndërsa, me Listën 'Srpska' po ashtu kemi një komunikim të mirë dhe të them të drejtën nuk ka pasur kushte të prezantuara deri tash nga kjo listë. E di se politikanë të ndryshëm deklarohen në opinion, por e vërteta është se nuk ka pasur kushte të prezantuara".

"Ajo që ne kemi hetuar, e që besoj se është një lajm i mirë për Kosovën, është një interesim i tyre të marrin pjesë në jetën institucionale e qeverisëse, përfshirë edhe ata prej veriut", ka deklaruar Haradinaj.

Seanca dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese pritet të mbahet më 21 gusht. Aty Partia Demokratike e Kosovës, në njërën anë, dhe blloku LDK, AAK dhe Nisma në anën tjetër, do t'i ballafaqojnë argumentet në lidhje me postin e kryetarit të Kuvendit.

Sipas pozicioneve të njohura tashmë, PDK pritet ta konsiderojë jokushtetuese zgjedhjen e Isa Mustafës në seancën e 17 korrikut, duke pretenduar se vetëm kjo parti politike mund të ketë kryetarin e Kuvendit. Kurse, blloku LDK, AAK dhe Nisma do të mbrojë votimin për Mustafën në seancën e 17 korrikut dhe do të kërkojë që të vazhdojë puna e nisur e Kuvendit dhe zgjedhja e të gjitha organeve të reja.

Nëse kjo çështje do të zgjidhet për kah ana kushtetuese, mund të pritet më pas hapi tjetër i formimit të organeve të reja, përfshirë edhe qeverisë së re.

Në të kundërtën, vendi do të rrezikonte që të shkonte nga zgjedhjet e parakohshme në zgjedhjet e reja.

XS
SM
MD
LG