Ndërlidhjet

logo-print

Festivali Ndërkombëtar i Filmit dokumentar dhe atij të shkurtër “DokuFest”, edicioni i 13 i të cilit po mbahet këto ditë në Prizren, ka sjellë një numër të madh të filmave dhe të mysafirëve - regjisorë dhe producentë të filmave nga të gjitha kontinentet, bëjnë të ditur organizatorët e këtij festivali.

Veton Nurkollari, drejtor artistik i “DokuFestit”, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se edicioni i sivjetmë i “DokuFest”-it po mbahet me moton “Ndrysho e mos u fsheh”.

Sipas tij, një numër i konsiderueshëm i filmave që po shfaqen dhe do të shfaqen në festival, kanë mesazhe që përputhen me moton e festivalit.

“Në vazhdën e gjithë këtyre ndryshimeve të hatashme që janë duke ndodhur në botë, ne kemi përzgjedhur dhe na kanë ardhur filmat që merren me ndryshimet në botë, me protestat, me revolucionet, me luftërat civile. Kemi disa filma që kanë të bëjnë me Sirinë, disa filma tjerë që janë xhiruar në Libi, në Lindjen e Afërt, në Afganistan, por edhe në vendet tjera, sikurse Ukraina”.

“Po ashtu, filmi ‘Everyday Rebelleion’ që ishte në hapje të festivalit, solli një rrëfim global për nevojën e ndryshimeve, për nevojën e protestave jo të dhunshme, si dhe momentin ose statistikën se protestat jo të dhunshme janë shumë herë më të suksesshme se sa protestat e dhunshme”, thotë Nurkollari.

Se sa ka zgjuar interesim “DokuFest”-i, sipas Nurkollarit, tregon numri prej rreth 2 mijë e 400 filmave që kanë aplikuar për të hyrë në konkurrencë të në edicionin e 13 të festivalit.

Ai sqaron se filmat e përzgjedhur do të shfaqen në disa kategori garuese, por edhe jashtë konkurrencës.

“Janë 237 filma dhe 103 prej tyre janë shpërndarë në 6 kategori garuese, ku për secilën kategori ekziston nga një juri vlerësuese profesionale. Numri tjetër prej 124 filmave, janë të shpërndarë në 12 kategori jo garuese, ato që ne i quajmë programe speciale ose të kuruara, ku bëjnë pjesë mjaft programe të larmishme”, bën të ditur Nurkollari.

Ndërkaq, Nita Deda, drejtuese e komunikimit të “DokuFest”-it, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se aktualisht festivali është nikoqir i rreth 300 mysafirëve, njerëz nga industria e kinematografisë, filmat e të cilëve janë duke u shfaqur ose ata janë pjesë e jurive të “DokuFest”-it.

Sipas saj, në kuadër të programeve speciale të filmave, si mjaft specifik paraqitet programin i quajtur “Fokus Amerika”.

“Një program special, që e kemi sivjet, është programi ‘Fokus Amerika’. Do të thotë, jemi fokusuar në filmat që vijnë nga Amerika dhe përveç filmave, ky program sjell edhe shumë film-bërës amerikanë që do të jenë pjesë e jurisë ose e ‘master klasave’ dhe punëtorive të ndryshme”, shpjegon Deda.

Ndryshe, nikoqire e “Natës amerikane” të dytë në “DokuFest”, më 18 gusht, ishte ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson.

Përmes një komunikate Ambasada e SHBA-së, ka theksuar se “është krenare që ka sjellë Revynë e Filmave Amerikanë (AFS – American Film Shoëcase) në festival si pjesë e Fokusit të “DokuFest”-it: programin Amerika. Në bashkëpunim me Universitetin e Kalifornisë Jugore, Revyja e Filmit Amerikan do të prezantojë një program të përbërë nga 15 dokumentarë amerikanë të shpërblyer, të cilët për tema kanë diversitetin dhe shoqërinë civile”, thuhet në komunikatën e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Sipas organizatorëve të “DokuFest”-it, edicioni i sivjetmë i festivalit, përveç shfaqjes së filmave, do të përmbajë edhe shumë aktivitete të tjera, sikurse “DokuTech”, që është konferenca më e madhe teknologjisë në Kosovë.

Gjithashtu, janë duke e u zhvilluar edhe punëtori për kritikë të filmit, si dhe punëtori për krijimin e 6 filmave, e cila po udhëhiqet nga film-bërësi i njohur amerikan, Richard Pearce. Në kuadër të festivalit do të angazhohen edhe fëmijët, në programin “DokuKids”.

Ndryshe, Nita Deda thotë se “DokuFest”, në vitet e fundit është bërë emblemë kulturore e qytetit të Prizrenit dhe si e tillë është edhe sivjet.

Për ata që janë në Prizren, këtu e shohin transformimin e qytetit në një festival. Komplet qyteti është i involvuar në festival. Por, tash, nëse flasim edhe për të mirat dhe imazhi që ia sjell, ju them se kemi mbi 150 gazetarë që janë akredituar prej gjithë botës. Janë këtu në Prizren dhe po raportojnë në shtetet e tyre. Kjo është një e mirë për imazhin e Kosovës që ia sjell ‘DokuFest’-i”, thotë Deda.

Edicioni i 13-të i “DokuFest”-it do të zgjasë deri më 24 gusht.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG