Ndërlidhjet

logo-print

Shqipëri: Masë arresti me burg për Agron Canën


Ilustrim

Ilustrim

Gjykata në Sarandë ka shqiptuar masën e arrestit me burg për Agron Canën, aktivist i Partisë Socialiste në qytetin e Sarandës, i përfshirë në skandalin seksual me një të mitur.

Ai u arrestua të premten nga policia në Sarandë, pasi është përfshirë në një video-përgjim, ku i kërkon një gruaje 40-vjeçare me inicialet E.G, marrëdhënie seksuale me të bijën e mitur 14-vjeçare.

Në video-përgjim dëgjohet Agron Cane, ish-sekretari i zyrës së deputetit socialist Koço Kokëdhima duke i premtuar favore vejushës 40- vjeçare, nënë e 4 fëmijëve, në shkëmbim të marrëdhënieve seksuale me vajzën e saj 14 vjeçe.

Agron Cane, 60 vjeç, ka punuar si sekretar që priste ankesat dhe kërkesat e banorëve të zonës, kryesisht për punësim, në zyrën e deputetit socialist Koço Kokëdhima.

Pas publikimit të videos, deputeti Kokëdhima është distancuar nga ngjarja, dhe ka pranuar se Cane ka punuar në zyrën e tij deri në korrik të këtij viti.

Videoregjistrimi është bërë në gusht, në zyrën e deputetit, ndonëse pretendohet se ai kishte bërë dorëzimet dhe nuk ishte pjesë e stafit të Kokëdhimës.

Mësohet se Prokuroria e Sarandës, bazuar në video-përgjimin e 40 -vjeçares E.G dhe denoncimin e kësaj të fundit, ngriti dy akuza: ngacmim seksual ndaj të miturve dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm për sigurimin e një vendi pune.

Avokati i të pandehurit, ka deklaruar se “videoja është e montuar dhe ka prapavijë politike”.

Ai sqaron se i është drejtuar Prokurorisë për ta quajtur të paligjshëm arrestimin, “pasi nuk ka asnjë provë ligjore veç zhurmës që është bërë në media …”

Skandali i video-përgjimit në Sarandë, ka shkaktuar reagime të menjëhershme të qytetarëve, ndërsa politika po përpiqet që të adresojë skandalin te kundërshtari politik.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulëzim Basha, në reagimin e tij ka deklaruar se ky skandal përfaqëson qeverinë dhe mënyrën e saj të qeverisjes.

“Turpi i përket kryeministrit Rama dhe sistemit që ai ka ndërtuar”, ka thënë Basha.

Ndërsa, kryeministri Edi Rama ka reaguar për ngjarjen rreth 24 orë me vonesë nëpërmjet rrjetit social Tëitter se “E keqja nuk ka parti”.

XS
SM
MD
LG