Ndërlidhjet

Shlyerje borxhesh për kategoritë e rrezikuara sociale


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi

Në Maqedoni nga e hëna ka filluar afati për dorëzimin e kërkesave për shlyerje të njëfishtë të borxheve të qytetarëve nga kategoritë e rrezikuara sociale.

Në qendrat për punë sociale ku dhe bëhet dorëzimi i kërkesave për shlyerjen e borxhit për faturat e papaguara të rrymës, ujit, ngrohjes, taksave radio-difuzive apo të kredive bankare, për të cilat nuk është depozituar hipotekë materiale, vërehet interesim i madh i qyetarëve për të përfituar nga kjo masë e Qeverisë së Maqedonisë.

“Po jam duke dorëzuar kërkesën, por do ta shohim se a do të realizohet pozitivisht në favor timin”, thotë një qyetar rreth të 60-ve, duke theksuar se faturat e energjisë elektrike dhe taksës radio-difuzive kanë mbetur pa paguar në mungesë të mjeteve, meqë me 7 mijë dinarë (rreth 110 euro) aq sa merr pension, asgjë nuk mund të shlyejë me kohë.

Autoritetet qeveritare të Maqedonisë kanë theksuar se me realizimin e projektit për shlyerje të njëfishtë të borxheve, ashtu siç ishte premtuar edhe në fushatë zgjedhore, synohet t`u dilet në ndihmë kategorive të qytetarëve më të rrezikuar.

Në këtë kategori përfshihen shfrytëzuesit e ndihmës sociale, personat e papunë që në mënyrë aktive kërkojnë punë më shumë se 12 muaj dhe personat, që i janë ekspozuar rrezikut social për shkak të vdekjes së partnerit bashkëshortor ose invaliditetit si pasojë e ndonjë sëmundjeje më të rëndë.

Por, ekspertët e ekonomisë thonë se bëhet fjalë për masë populiste, e cila në asnjë mënyrë nuk zbut varfërinë e thellë, ku po zhyten qytetarët e Maqedonisë.

Nikolla Popovski, ish-ministër i Financave thotë se bëhet fjalë për një masë populliste, e cila mund të ketë efekt negativ në shumë dimensione të zhvillimit të ekonomisë me atë që qytetarët mund të fillojnë të mos i paguajnë faturat duke menduar se kjo masë edhe mund të përsëritet gjatë ciklit të ardhshëm zgjedhor, që mund të jetë pas një ose dy vjetësh.

“E para, kjo masë nuk praktikohet në asnjë vend të botës, dhe e dyta thjesht kemi të bëjmë me një masë populiste, përmes së cilës blihen votat e qytetarëve dhe në asnjë mënyrë nuk kemi të bëjmë me përmirësim të gjendjes ekonomike të kësaj kategorie”, thotë Popovski, ligjërues në Fakultetin Ekonomik në Universitein e Shkupit.

Popovski thekson se në këtë mënyrë ekonomia edhe ashtu e brishtë e vendit largohet nga parimet që vlejnë për ekonomitë e zhvilluara të vendeve evropiane.

Ndërkohë, edhe Arben Halili, drejtor i Odës Ekonomike e Maqedonisë Veri-perëndimore, konsideron se përmes këtij vendimi të Qeverisë, nuk ulet varfëria, por kjo masë për shlyerjen e borxheve paraqet një injeksion për të ruajtur mirëqenien sociale në një afat të caktuar.

Vendimi i Qeverisë për shlyerjen e borxheve të një shtrese të caktuar sociale të qytetarëve, përfundimisht nuk mund të shihet si një vendim me efekte pozitive afatgjate, i cili vendim do të kontribuonte që qytetarët e Maqedonisë të mund të dalin nga kjo gjendje latente ekonomike”.

”Thjesht, bëhet fjalë për një masë, e cila përkohësisht personave të caktuar do t’u mundësojë shlyerjen e borxhit - një infuzion, që përkohësisht do të tentojë të zbusë dhembjen nga plaga e varfërisë, por absolutisht jo edhe të shërojë të njëjtën meqë nuk bëhet fjalë për parandalimin e një krize ekonomike në të cilën po ndodhemi të gjithë, pavarësisht nëse bëhet fjalë për qytetarët apo edhe kompanitë e ndryshme”, vlerëson Halili.

Ndryshe, procedura për shlyerje të borxheve për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve pritet të përfundojë deri në nëntor të këtij viti, ndërsa në këtë masë pritet të përfshihen prej 50.000 dhe 100.000 qytetarë.

XS
SM
MD
LG