Ndërlidhjet

Zgjedhjet ndikuan në moszbatimin e marrëveshjeve Kosovë - Serbi


Zgjedhjet në Serbi dhe më pas në Kosovë kanë penguar shumë procesin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialogun Prishtinë – Beograd, të ndërmjetësuar nga Brukseli, thonë analistët politikë në Prishtinë.

Përveç integrimit të një pjese të policëve serbë në veri, në kuadër të Policisë së Kosovës, marrëveshjet tjera vlerësohet se kanë mbetur në fazat e para implementuese.

Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika thotë për Radion Evropa e Lirë se agjendat politike në Prishtinë dhe Beograd kanë ndikuar në zbatimin e marrëveshjeve.

"Ajo që është më e rrezikshme, ka ngecur zbatimi i marrëveshjes për gjykata dhe funksionalizimi i plotë i komunave në veri. Kjo ka ndodhur me fajin e të dyja palëve. Por, natyrisht që Beogradi ka qenë disi më i ndjeshëm në këtë rast, sepse edhe pas zgjedhjeve në Serbi, kryeministri Vuçiq e ka shtyrë funksionalizimin e marrëveshjes për gjykatat, pavarësisht vullnetit të kryeministrit Thaçi që të shkojë në Bruksel dhe të konkludojë marrëveshjen", thotë Rashiti.

Ndërkohë, Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se marrëveshjet tashmë të arritura nuk e kanë ndryshuar pozicionin e Serbisë për normalizimin e raporteve me Kosovën dhe sidomos për shuarjen e strukturave paralele në veri.

Disa veprime të fundit në veri, të mbështetura nga Beogradi, sipas Korenicës, kanë treguar se Beogradi nuk ka interesim për integrimin e veriut në kuadër të sistemit juridik e kushtetues të Kosovës.

"Serbia me angazhimet e fundit, si me ‘Parkun e paqes’, ashtu edhe me përcaktimin e një linje të veçantë buxhetore për institucionet paralele në Kosovë në buxhetin shtetëror të saj po i thyen parimet themelore që janë dakorduar me Marrëveshjen e 19 Prillit. E, në anën tjetër, po vazhdon t'i mbajë të kontrolluara tërësisht dhe ekzistente shumë struktura paralele edhe në nivelin e sigurisë, por edhe në nivelin e administratës dhe shërbimeve publike, si në veri, ashtu edhe në disa pjesë jugore të Kosovës", deklaron Korenica për Radion Evropa e Lirë.

Sa i përket palës së Kosovës, Fisnik Korenica thotë se procesi i zbatimit të marrëveshjeve mund të ndodhë vetëm pasi që të krijohen institucionet e reja legjitime të dala nga zgjedhjet e fundit.

"Sa i takon Kosovës, mendoj se pa pasur një Kuvend të konstituuar dhe një qeveri të re, qeveria aktuale nuk e ka legjitimitetin popullor e parlamentar për t'i hyrë një rishikimit të procesit dhe vazhdimit të dialogut me Serbinë dhe mendoj që bllokimi i institucioneve në Kosovë e bën pothuajse të pamundur që ky proces të vazhdohet tutje nga ana e Kosovës", thekson Korenica.

Marrëveshja e 19 Prillit e vitit 2013, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, ishte konsideruar e para, në kuadër të marrëveshjeve që do të pasonin deri te normalizimi i raporteve ndërmjet të dyja vendeve.

Naim Rashiti mendon se për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, megjithatë do të kërkohen edhe vite e marrëveshje tjera.

"Nuk e besoj që edhe në marrëveshjen e dytë apo të tretë do të kemi një traktat apo një pakt të paqes që do të finalizonte normalizimin mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo edhe për faktin që në konkluzionet e BE-së për anëtarësimin e Serbisë në BE, kërkohet që deri në integrimin e saj të kemi një marrëveshje ligjërisht obligative për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, por kjo ka krijuar një afat kohor të gjatë për Serbinë", vlerëson Rashiti.

Marrëveshja e 19 Prillit, pasoi një seri negociatash, në atë kohë, ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, në Bruksel të ndërmjetësuara nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.

Kjo marrëveshje përmban 14 pika. Ndër tjera, ajo parashihte edhe transformimin e strukturave ilegale të Serbisë në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve dhe vendosjen e institucioneve lokale në atë pjesë dhe formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Nga këto provizione janë zbatuar disa pika, siç është ajo për mbajtjen e zgjedhjeve, kurse kanë mbetur të pazbatuara çështjet që kanë të bëjnë me vendosjen e sistemit gjyqësor në veri.

Marrëveshja e 19 Prillit, nga ndërmjetësuesi, në këtë rast Bashkimi Evropian, është cilësuar si e para në kuadër të procesit të gjatë të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, nga Bashkimi Evropian është vënë edhe si një nga parakushtet e rrugëtimit të tyre në proceset integruese evropiane.

XS
SM
MD
LG