Ndërlidhjet

Në tregun e brendshëm të Kosovës ka laramani çmimesh të produkteve të ndryshme, varësisht nga dyqani, lokacioni apo edhe qyteti.

Tregtarët madje çmimet e produkteve konsumuese i ngrejnë edhe në prag të festave të ndryshme, në sezonin e verës, kur për pushime vijnë emigrantë nga Kosova.

Pasi Kosova nuk ka një mekanizëm që rregullon tregun e çmimeve, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe qytetarë theksojnë se kjo hapësirë shfrytëzohet nga afaristët kosovarë.

Një qytetar nga Prishtina, mbi të 40-tat, Sami Gashi, që punon në sektorin privat, thotë se çmimet janë alarmuese dhe të papërballueshme.

“Çmimet janë shumë të shtrenjta, dallojnë nga dyqani në dyqani. Nuk di si po jeton popullata jonë. Pagat janë shumë të ulëta, papunësia është në shkallë të lartë, kurse çmimet janë alarmante”, tha Gashi.

Selatin Kaçaniku, kryetar i Organizatës joqeveritare “Konsumatori’ për Radion Evropa e Lirë, thotë se çmimet në tregun vendor përcaktohen në bazë të dëshirave dhe interesave të biznesmenëve.

“Duke pasur një ekonomi kaotike, natyrisht se çmimet nuk kanë standarde, nuk kanë rregulla dhe ato janë vetëm shprehje dëshirash dhe interesa për përfitime e jo të obligimit për t'i përmbushur standardet e caktuara, të cilat në fund do të prodhonin një kënaqshmëri të konsumatori i produkteve, mallrave dhe shërbimeve”, tha Kaçaniku.

Në anën tjetër përfaqësues të komunitetit të biznesit pohojnë se edhe në bazë të Kushtetutës së Republikës se Kosovës, ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Republikës se Kosovës.

Berat Rukiqi, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thekson se në Kosovë si në shtetet tjera, nuk ekziston ndonjë mekanizëm që monitoron tregun e çmimeve, por në sektorë të caktuar, nëse kompani të ndryshme dyshohet se krijojnë monopol, atëherë mund të ndërhyjë Autoriteti i Konkurrencës.

“Por në rastet e përgjithshme të shitjes më pakicë, sektori i shërbimeve, restaurantet, normalisht se tregu e përcakton çmimin, cilësia , vlera e produktit pastaj edhe vendi ku shitet shumë herë e determinon çmimin”, shprehet Rukiqi.

Por, Selatin Kaçaniku, nga Organizata “ Konsumatori” konsideron se autoritetet kompetente duhet të krijojnë mekanizma ligjore që të mundësohet mbikëqyrja e tregut të çmimeve.

“Fillimisht institucionet e Kosovës kanë obligim ndaj qytetarit, konsumatorit, taksapaguesve, gjeneruesve kryesor të buxhetit, prej nga financohet dhe funksionojnë këto institucione, të mundësojnë që konsumatorët në këtë mënyrë të jenë rregullatorë dhe të jenë mekanizëm i mbikëqyrjes".

"Dhe institucionet e shtetit nuk e kanë përmbushur këtë obligim ligjor. Do të thotë konsumatorit nuk i ndihmohet, nuk i lejohet mbikëqyrja ligjore, që të bëjë mbikëqyrjen e tregut”, shprehet Kaçaniku.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk ka kompetenca që të ndërhyjë në masën e çmimit të ndonjë malli, pasi oferta, kërkesa dhe tregjet e jashtme përcaktojnë çmimet e produkteve të caktuara. Përderisa njohës të çështjeve ekonomike vlerësojnë se shteti i Kosovës duhet të gjejë forma dhe mekanizma që të kontrollojë çmimet e produkteve esenciale.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG