Ndërlidhjet

SHBA ka provuar të lirojë Foleyn dhe të tjerët

  • RFE /RL

Uashingtoni ka thënë se forcat speciale të Shteteve të Bashkuara kanë bërë përpjekje të lirojnë gazetarin e rrëmbyer, James Foley, dhe pengjet e tjera amerikane, të mbajtura nga militantët e Shtetit Islamik në Siri, por kanë dështuar në gjetjen e tyre.

Lisa Monaco, ndihmëse e lartë e presidentit Barack Obama në çështjet antiterrorizëm, ka thënë se Obama “ka autorizuar këtë verë Departamentin e Mbrojtjes që të lëvizë në mënyrë agresive për rikthimin e qytetarëve”.

Kjo është hera e parë që Uashingtoni pranon se ka pasur trupa ushtarake në Siri.

Njoftimi vjen pak ditë pasi xhihadistët kanë postuar një video, që i tregon ata duke i prerë kokën gazetarit Foley, i cili është rrëmbyer në Siri në nëntor të vitit 2012.

Monaco nuk ka dhënë detaje për operacionin e dështuar, duke thënë vetëm se “misioni nuk ka qenë i suksesshëm pasi pengjet nuk kanë qenë të pranishme”.

Zyrtarë të tjerë amerikanë kanë thënë privatisht se dhjetëra forca speciale kanë zbarkuar në Siri dhe kanë luftuar militantët e Shtetit Islamik, para se të largoheshin.

Ata kanë thënë se asnjë ushtar amerikan nuk është vrarë në operacion.

Obama është zotuar se do të vazhdojë sulmet ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik në veri të Irakut, pavarësisht kërcënimeve të tyre se do të vrasin një tjetër gazetar të rrëmbyer amerikan, Steve Sotloff, i cili punon për revistën “Time”.

Obama po ashtu ka thënë se grupi militant është “kancer” që kërcënon gjithë rajonin dhe ka shtuar se ai nuk ka vend në shekullin 21.

Caitlin Hayden, zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, ka thënë se administrata Obama nuk ka menduar të japë informacione për operacionin e shpëtimit.

Sipas saj, administrata ka dalë me informacione pasi disa organizata të mediave kanë qenë duke u përgatitur për të raportuar për operacionin dhe, pastaj, “Shtëpia e Bardhë nuk do të kishte zgjidhje tjetër pos ta pranonte atë”.

Zyrtarë të administratës nuk e kanë specifikuar se ku apo kur ka ndodhur operacioni, duke thënë se detajet duhen ruajtur për shkak të misioneve në të ardhmen.

Po ashtu nuk është e qartë se për sa shtetas amerikanë janë bërë përpjekje që të lirohen, ndonëse zyrtarë të paidentifikuar kanë thënë se Foley ka qenë në mesin e së paku katër amerikanëve që mbahen në Siri.

Ekzekutimi i Foleyt ka shkaktuar zemërim ndërkombëtar.

“Kemi burime të inteligjencës, kemi burime diplomatike, kemi burime ushtarake dhe nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për të mbajtur përgjegjës ata që kanë kryer vrasjen”, ka thënë zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Marie Harf.

Ministri i Jashtëm i Francës, Laurent Fabius, ka thënë se vrasja tregon fytyrën e vërtetë të këtij “kalifati të barbarizmit”.

Gjermania ka njoftuar se do të furnizojë kurdët në veri të Irakut me armë, për të luftuar militantët e Shtetit Islamik.

Ministri i Mbrojtjes i Italisë ka thënë po ashtu se vendi i tij do të kontribuojë me armatim.(v.tela)

XS
SM
MD
LG