Ndërlidhjet

Lufta me ushqime dëmton më së shumti Rusinë


Ilustrim

Ilustrim

Sanksionet e Moskës ndaj importimit të ushqimeve janë menduar si shpullë në fytyrë të fuqive perëndimore të cilat i kanë vendosur sanksione Rusisë për shkak të Ukrainës.

Mirëpo, ndalesat po shkaktojnë rritje të çmimeve në Rusi, e cila është importuese e madhe e ushqimeve, ndërsa ka pak alternative të shpejtë për furnizime.

Në vijim po përmendim katër gjëra që duhet ditur për luftën me ushqime dhe ndikimin e tyre.

Kush po lëndohet më së shumti?

Më 7 gusht, kur Kremlini njoftoi për ndalimin një vjeçar në shumicën e ushqimeve që importohen nga SHBA-të, Bashkimi Evropian, Australia, Kanadaja dhe Norvegjia, ky vendim befasoi shumë kë.

Kjo ndodhi për shkak se Rusia importon rreth 40 % të ushqimeve të saj, kryesisht peshk, qumësht, mish viçi dhe djathë – pra çfarëdo ndalimi i importimit lëndon drejtpërdrejt konsumatorët rusë.

Vitin e kaluar Rusia ka importuar ushqime në vlerë prej 17.2 miliardë dollarëve nga shtete që tashmë janë të sanksionuara, prej të cilave 9.2 miliardë ishin ushqime të kategorive të sipërpërmendura, të dhëna këto nga Qendra Tregtare Ndërkombëtare, një agjenci e përbashkët e OKB-së dhe Organizatës Botërore Tregtare.

Ashtu siç ka dëshiruar Moska, disa prodhues perëndimor tani po e ndjejnë ndëshkimin. Në mesin e atyre që janë më së shumti të ndikuara nga sanksionet ruse, janë shtetet që gjenden në kufi me Rusinë, pasi eksportet e tyre më së shumti shkojnë në tregun rus.

Ndikimi në vendet e BE-së ishte mjaftueshëm i madh që unioni i 28 shteteve evropiane të njoftoj më 18 gusht se ka krijuar një fond prej 170 milionë eurove për të ndihmuar fermerët të cilët nuk mund të gjejnë alternative për të eksportuar frutat dhe perimet e tyre të cilat ata momentalisht janë duke i korrur.

Por derisa BE flet për kompensimin e fermerëve, askush nuk po flet për të ndihmuar konsumatorët rusë, grupi më i madh i viktimave në luftën me ushqime të Moskës.

Zyrtarët në Moskë thonë se çmimet e peshkut të ngrirë në supermarketin më të madh të kryeqytetit rus janë rritur për 6% prejse ndalimi i importit ka hyrë në fuqi.

Çmimet më të larta po ndodhin në kohën kur konsumatorët rusë janë ende duke vuajtur inflacionin prej 7.5 %, një pjesë e së cilës vjen si pasojë e sanksioneve perëndimore ndaj Moskës për shkak të krizës në Ukrainë. Ekonomistët paralajmërojnë se sanksionet e Moskës ndaj importimit të ushqimeve do të çojë inflacionin edhe më lart.

"Si rezultat i këtyre sanksioneve, inflacioni do të rritet”, thotë Sergei Guriev, ish rektori i shkollës “New Economics” në Moskë, tani profesor në Institutin e Parisit për Studime Politike.

"Si rezultat i sanksioneve, inflacioni do të rritet. Ka vlerësime dhe modele të ndryshme që ofrohen prej analistëve. Në përgjithësi, çmimet pritet të rriten nga një deri në 2 % në vitin 2014. Kjo nuk është katastrofale. Nëse Banka Qendrore vendos të luftojë inflacionin duke rritur normat e interesit, atëherë rritja ekonomike e Rusisë do të ngadalësohet në mënyrë të konsiderueshme. Në vend të rritjes prej 1 % siç është parashikuar tashmë për këtë vit, rritja me siguri se do të jetë zero”, vlerëson Guriev.

Kryeministri rus, Dmitry Medvedev, është munduar të shoh diçka pozitive në këtë duke thënë se ndalimi i importit të ushqimeve do të stimulojë industrinë e brendshme të ushqimit në Rusi.

Më 12 gusht, duke mbajtur fjalim në rajonin jugor rus të Stavropolit, ai ka thënë se qeveria do të ofrojë edhe burimet për “të shtyrë para zhvillimin e zonave të bujqësisë kombëtare që më parë janë anashkaluar dhe janë mbështetur tej mase në importe”.

"Unë e kam nënshkruar një rekomandim special (për qeverinë) që të përgatisë amandamentime ër programin aktual kombëtar, para së gjithash për programin bujqësor kombëtar, me qëllim që të shtyjë para zhvillimin e zonave kombëtare të bujqësisë që më parë janë neglizhuar dhe janë mbështetur shumë në importe. Ka nevojë për burime shtesë. Ne do të shohim për këto burime që të heqim dorë nga varësia prej importit”, ka thënë Medvedev.

Industria e brendshme e Rusisë ka nevojë jashtëzakonisht të mëdha në shumë sektore, ku mosefikasiteti iu ka dhënë importeve më të lira prej perëndimit përparësi ndaj prodhimeve vendore.

Pra, në kushte afatshkurtra, ndalimi mundet vërtetë që t’iu jap më shumë hapësirë prodhuesve vendor.

A mund të gjejë Rusia zëvendësime të brendshme?

"Çfarëdo eliminimi i konkurrencës është përfitues për prodhuesin, prandaj ndalimi i importimit të ushqimit është lajm i mirë për bujqësinë ruse. Deri më tash, ndalimi i importit vlen për një vit. Ka shumë paqartësi. Një rritje në bujqësinë ruse është i pritshëm megjithatë”, vlerëson Guriev.

Mirëpo ka ende shumë paqartësi që mund të bëj investitorët vendor të kujdesshëm rreth përdorimit të parave të tyre në industrinë e ushqimit.

Paqartësitë variojnë nga sa i gjatë do të jetë ndalimi i importeve nëse kriza ne Ukrainë de-eskalon deri te ajo nëse Banka Qendrore do të rris nivelin e interesit për të kontrolluar inflacionin, diçka që do e bënte më të rëndë huazimin e parave nga investitorët.

Përpos kësaj, ka ende probleme serioze të furnizimit. Prodhuesit rusë të djathit, për shembull, do të kishin nevojë për më shumë qumësht për të prodhuar djathë, derisa ndalimi importimit të qumështit nga BE-ja vetëm sa do e zvogëlojë furnizimin me qumësht në Rusi.

Gjithashtu, prodhimi i qumështit në Rusi kushton për 30 % më shumë se sa prodhimi i qumështit në Evropë, çmim ky që prodhuesit do të mundohen ta bartin te konsumatorët e tyre.

A mund të gjejë Rusia furnizues të jashtëm?

Moska po kërkon për furnizues të tjerë, përfshirë edhe shtetet evropiane që nuk janë pjesë e BE-së dhe shtetet e Lindjes se Mesme dhe Amerikës Latine.

Mirëpo Moska, mund të pres që BE-ja dhe Uashingtoni të bëjnë presion ndaj këtyre shteteve që të mos bashkëpunojnë me Rusinë.

Gjuajtja e parë në betejë mund të jetë bërë kur presidenti rus, Vladimir Putin, e takoi homologun e tij egjiptian, Abdel Fattah Sisi, në Soçi, ndërsa të dy palët njoftuan se Rusia është e gatshme të blej ushqime nga Egjipti.

Vetëm një ditë më pas, më 15 gusht, ministrat e jashtëm të BE-së, diskutuan se si të formojnë një përgjigje të përbashkët ndaj Egjiptit, i cili është përfitues i madh i ndihmave nga BE-ja, dhe ndaj cilitdo shtet tjetër që mundohet të zëvendësojë vendin e BE-së në tregun rusë.

Detajet e kësaj përgjigje ende nuk janë bërë të ditura.

Ku shkojnë gjërat prej kësaj pike?

Krahas luftës me ushqime, zyrtarët në Moskë, kanë dërguar sinjale për publikun rus se ndalimi i importeve mund të mos zgjasë një vit të plotë.

“Shpresojmë, që ata nuk do e zgjasin për një kohë të gjatë”, iu ka thënë kryeministri rus, Medvedev gjatë një takimi me zëvendësit e tij më 18 gusht, në Gorki, zonë në periferi të Moskës.

Ka shenja gjithashtu që, edhe nëse ndalimi vazhdon gjatë, pasojat mund të mos jenë aq të rënda gjatë javëve në vijim se sa duken tash.

Zyrtarët rusë janë duke menduar që të lejojnë disa ushqime të ndaluara që të hyjnë në territorin rusë, nëse këto prodhime hyjnë si “prodhime” të partnerëve të partnerëve të Unionit Dogar rus, Bjellorusë dhe Kazakstanit.

Se si do të bëheshin prodhimet e BE-së, prodhime të Bjellorusë apo Kazakistanit, mbetët e paqartë.

Medvedev ka thënë se nëse riprocesimi i prodhimeve të BE-së në Bjellorusi dhe Kazakistan “shtojnë një vlerë të re të madhe në këto prodhime, atëherë ato transferohen në një prodhim të ri”.

Këto deklarime të turbullta për shtim të vlerave ngrisin çështjen nëse Bjellorusia dhe Kazakistani do të bëhen porta dytësore për prodhimet e BE-së që megjithatë të futën në tregun rus, duke lehtësuar kështu vështirësitë për konsumatorët rusë.

Nëse ndodhë kështu, atëherë kjo sugjeron qëllimin kryesor të Kremlinit se lufta e ushqimeve është më shumë për të mobilizuar opinionin publik rus prapa Moskës në konfliktin e saj me perëndimin rreth Ukrainës se sa për të mbajtur në mënyrë strikte një embargo.

"Makineria propagandistike shtetërore është duke punuar shumë që popullata të mos lidh vështirësitë kanosëse me kujtimet e dështimit të ekonomisë sovjetike, por me vështirësitë e Luftës së Dytë Botërore”, ka thënë gazetarja amerikano-ruse përmes një opinion të saj të publikuar në gazetën “Washington Post”.

“Ata duan që (popullata ruse) t’i shoh këto vështirësi si sakrifica heroike në përpjekjet për luftë”, vlerëson Masha Gessen. (a.haraqija)

XS
SM
MD
LG